Pushteti pajtohet rreth propozimit të BE-së, synohen forma të reja për Asociacionin

Dy prej udhëheqësve kryesorë të shtetit e pranuan propozimin franko-gjerman për dialogun, e përmbajtja e të cilit zyrtarisht nuk është publikuar ende.
Në mes të presionit amerikan për themelimin e Asociacionit, kryeministri Albin Kurti e kryeparlamentari Glauk Konjufca i kualifikuan si bazë të mirë diskutimet rreth propozimit. Pushteti nuk e hodhi poshtë as mundësinë e themelimit të Asociacionit, në një formë ndryshe.
Një ditë pas takimit me emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, Kurti përsëriti se plani evropian është mundësi e mirë për të arritur përparim në dialog. Qëndrimin e shpalosi pas takimit me përfaqësuesin e përhershëm të SHBA-së në OSBE, Michael Carpenter dhe ambasadorin amerikan, Jeffrey Hovenier.
“Duke folur për proceset dhe çështjet lidhur me dialogun ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, si dhe temat e tjera të ndërlidhura, kryeministri Kurti ritheksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës është e angazhuar për dialog parimor, nga i cili duhet të përfitojnë qytetarët e të dyja vendeve. Kryeministri Kurti tha se propozimi evropian për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është i pranueshëm si bazë e mirë për diskutime të mëtutjeshme dhe platformë solide për të ecur përpara”, thuhet nga Zyra e Kryeministrit.
SHBA-ja po insiston që palët të kthehen në tryezën e negociatave, duke e trajtuar si çështje të parë themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Por ambasadori Hovenier të martën e mirëpriti edhe qëndrimin e kryeministrit rreth planit franko-gjerman.
“SHBA-ja është e inkurajuar dhe e mirëpret vendimin e Kosovës që po ashtu ta pranojë në parim propozimin e Bashkimit Evropian dhe do të vazhdojë të ofrojë mbështetjen e plotë për dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Marrëveshja e përkohshme do të sjellë përfitime të konsiderueshme për Kosovën dhe për Serbinë”, tha Hovenier.
Lidhur me Asociacionin, koment pati edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, pas një takimi me shefin e zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog.
“Kosova e merr një farë obligimi për marrëveshjet e deritashme që janë arritur në dialog, pra, në këtë aspekt mund të thuhet eksplicit se është referenca e Asociacionit. Por çështja është se, këtë Asociacion e ka hedhur poshtë Kushtetuesja dhe tash duhet të gjendet një formë e re e Asociacionit”, tha Konjufca.
Ani se janë nënshkrues të ujdisë për Asociacionin, përfaqësues të opozitës tani insistojnë në marrëveshje me njohjen reciproke në qendër. Lidhja Demokratike, nëpërmjet një komunikate për media, kërkoi që dialogu të trajtohet në Kuvendin e Kosovës.
“Për LDK-në, Kosovës nuk i duhet një marrëveshje bazë që nuk përmban njohjen. Vendit tonë i duhet një marrëveshje përfundimtare që në thelb ka njohjen e ndërsjellë ndërmjet dy vendeve - si shtete të pavarura e sovrane. Çdo devijim nga ky orientim strategjik është përgjegjësi e pariparueshme e Qeverisë aktuale. LDK, po ashtu, kërkon raportim të kryeministrit në Kuvendin e Kosovës mbi procesin e dialogut. Injorimi i institucionit të përfaqësuesve të popullit nuk i jep legjitimitet asnjë procesi jetik për vendin”, thuhet nga LDK-ja.
E deputeti i Partisë Demokratike, Enver Hoxhaj, deklaroi se dialogu me Serbinë kurrë nuk ka qenë më i mbyllur dhe më jotransparent sesa tash me Qeverinë Kurti.
“Asnjëherë nuk ka qenë dialogu si proces më i mbyllur dhe më jo transparent me Serbinë, sikurse është tani, ku as qytetarët, as opozita dhe as opinioni publik nuk e dinë se kujt kryeministri Kurti dhe qeveria e tij po i thonë PO në një restorant, pa e ditur askush në Kuvend të Kosovës se çfarë përmbajnë këto plane dhe çfarë po pranojnë e cili është rezultati i përfundimtar”, tha Hoxhaj.
Reagimi i partive opozitare u bë pasi Lajçak u shpreh i kënaqur “që edhe Kosova e pranoi në parim propozimin evropian.
Krahas Kurtit në Prishtinë, Lajçaku gjatë javës e takoi në Beograd edhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, me ç’rast e paralajmëroi vazhdimin e diskutimeve të nivelit të lartë midis palëve në Bruksel.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.