Rexhaj: Opozita ëndërron dorëheqjen e Kurtit, por s'do të ndodhë kjo

- 21:34Rexhaj: Opozita ëndërron dorëheqjen e Kurtit, por s'do të ndodhë kjo
- 21:05Gashi: Qeveria ka zbatuar qasje selektive sa i përket Marrëveshjes së Brukselit
- 20:48Gjinovci: Serbia me Asociacionin dëshiron të krijojë terren për konflikt të ri në Kosovë
- 20:32Rexhaj: Vetëvendosja synon që brenda mandatit 4-vjeçar ta kryejë marrëveshjen finale me Serbinë
- 20:29Demaku i përgjigjet Rexhajt: Qeveria është totalisht jotransparente për Asociacionin
- 20:25Rexhaj: Opozita të përfshihet në dialog, po tregon hipokrizi duke u munduar ta fshijë të kaluarën
Rexhaj: Opozita ëndërron dorëheqjen e Kurtit, por s'do të ndodhë kjo
Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj, ka thënë se opozita në Kosovë dëshiron ta shohë kryeministrin Albin Kurti të japë dorëheqje, porse thotë se “kjo ëndërr nuk do t’u realizohet”.
Rexhaj ka thënë po ashtu nuk do të themelohet as Asociacion me kompetenca ekzekutive.
“Unë e kuptoj një gjë. Përnjëmend opozita e ka ëndërr ta shohë kryeministrin duke dhënë dorëheqje. Pash disa fake news nëpër portale, që kishte edhe deklarime publike të analistëve, ku thuhej se kryeministri Kurti nesër po përgatit dorëheqjen. Kurti e udhëheq vendin deri fund të mandatit, për këtë ju garantoj. Te opozita e kanë ëndërr, këtë ta pranojmë, që të themelohet Asociacionin me kompetenca ekzekutive, e të thonë edhe Lëvizja Vetëvendosje është si ne. Nuk do të ndodhë. Në këtë kuptim, ëndrrat e tyre nuk mund t’i realizojmë. E vërteta është kjo. Kryeministri e udhëheq vendin, e ka shumicën plebishitare prapa, dhe do ta drejtojë dialogun. Besojmë se ai nuk do t’i thyejë konceptet mbi të cilat e ka ndërtuar Lëvizjen Vetëvendosje ne mbi të cilat po vazhdon me ndërtu e shty përpara Kosovën, në këtë rast edhe në fushën e dialogut”, tha Rexhaj në “Konfront” të KTV-së.
Gashi: Qeveria ka zbatuar qasje selektive sa i përket Marrëveshjes së Brukselit
Fitim Gashi, gazetar i Grupit KOHA, ka thënë se është problem të diskutohet për një lloj Asociacioni ndryshe nga ai për të cilin insistojnë SHBA-ja dhe BE-ja.
“Është problem të kuptohet se çfarë lloj tjetër Asociacioni, përveç këtij Asociacioni të cilin janë duke insistuar SHBA, BE-ja, duke iu referuar marrëveshjeve të kaluara. Ajo çfarë kemi parë deri tash nga kryeministri, kryeparlamentari, zyrtarë të VV-së, është se ka pasur interpretim të njëanshëm të aktgjykimit të Kushtetueses së marrëveshjes të vitit 2015. Ai aktgjykim në asnjë pikë nuk e ka hedhur poshtë Asociacionin, vetëm ka kërkuar që çështja të rikthehet te marrëveshja e vitit 2013. I ka gjetur shkeljet te marrëveshja, por askund nuk ka thënë se nuk duhet të themelohet Asociacioni. Kur i kemi pyet BE-në, kanë thënë shikoni aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese. Sipas aktgjykimit, Qeveria, kushdo që e nisë këtë proces, duhet të kthehet te marrëveshja e vitit 2013 që në gjashtë pikat e para flet për themelimin e Asociacionit”, ka thënë ai.
Gashi ka shtuar se kryeministri Albin Kurti ka dhënë sinjale se do ta japë një propozim për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Megjithatë, ka thënë ai, Qeveria nuk po tregon se cilën marrëveshje është e interesuar ta zbatojë.
“Ajo çfarë po kërkon BE dhe SHBA është që Qeveria ta propozojë një modalitet për themelimin e Asociacionit, deri tash kemi parë refuzim të Kurtit dhe Qeverisë, por me deklaratat e fundit ka sinjale se Qeveria megjithatë do ta japë një propozim sa i përket themelimit të Asociacionit. Por ne nuk po shohim se cilën marrëveshje tjetër ka interes ta zbatojë Republika e Kosovës, pse kryeministri Kurti kur thotë se janë 33 marrëveshje nuk e përmend një specifik, ne kërkojmë që kjo marrëveshje të zbatohet”.
Sipas Gashit, Qeveria ka pasur qasje selektive lidhur me zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit.
“Insistimi është te Asociacioni, veçmas i SHBA-së. Nga ajo që kemi parë deri tash, qeveria ka zbatuar qasje selektive sa i përket zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit. Shembull ishte çështja e targave, pati deklaratë të Escobarit që tha kërkojmë shtyrje të vendimit për targa për t’i dhënë mundësi arritjes së marrëveshjes përfundimtare. Qeveria zgjodhi ta zbatojë, por tash nuk mund të thotë se ne nuk e zbatojmë këtë marrëveshje”.
Ndërkohë, Dafina Demaku, kryeredaktore në "Periskopi", ka thënë se a do të zmbrapset kryeministri Albin Kurti nga gjashtë kushtet për Asociacionin, siç thotë që u zmbraps edhe për kushtet për të hyrë në dialog.
Gjinovci: Kurti nuk hyn në histori si personi që ia vuri themelet e difunksionalitetit Kosovës
Aktivisti i shoqërisë civile Rron Gjinovci ka thënë se është i sigurt se “Kurti s’do ta bëjë kurrë Asociacionin, e Vuçiqi se pranon kurrë Kosovën”.
“A mendoni se Serbia përnjëmend është budallicë që po lyp një Asociacion që nuk është i dëmshëm për Kosovën. U ngritën serbët i madh e i vogël në Parlament e kërkesa e tyre ishte Asociacioni e s’duam tjetër. Ne krejt bota po do me na bind se nuk është kurgjo. Botës duket me ia ndryshu mendimin duke rezistuar në kërkesat e saja, qysh po rezistohet. Vendosim kushte të papranueshme për Serbinë. Me i thënë Serbisë pranom ti se ne e bëjmë Asociacionin, a mendoni se Kurti është budallë që e thotë? Ai e di se Serbia thotë jo. Është dizajnuar mos me u pranu, si strategji. Sikur Kurti që se bën kurrë Asociacionin, ashtu Vuçiqi se pranon kurrë Kosovën. Janë dy persona kokëfortë, që nuk e shtinë veten në histori të popullit të tyre e vendit të tyre gabimisht. Albin Kurti ka dal kundër Grenellit e ka ra Qeveria. Ai është raskirant, nuk hyn në histori si personi që ia ka vu themelet e difunksionalitetit Kosovës”, tha Gjinovci në emisionin “Konfront” në KTV.
Gjinovci ka thënë se ndryshe nga opozita në Serbi që e kundërshton Vuçiqin, duke i thënë mos prano marrëveshje, opozita në Kosovë i bën presion Kurtit për pranim të marrëveshjes.
Ai ka akuzuar opozitën në Kosovë, duke thënë se është fajtore pse Kosova sot nuk mund të vendos kushte sa i përket formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Gjinovci ka thënë të martën se vendosja e kushteve nga një kryeministër aktual është hap i vonshëm sepse Kosova tashmë ka hyrë në procese ndërkombëtare dhe ka marrëveshje të cilat janë nënshkruar.
“Opozita përveç se është fajtore që ne jemi sot këtu, është fajtore edhe që ne nuk mund të vendosim sot kushte. Por ato kushte kanë qenë të pamundura të vendosen kur t’i për vite të tëra si shtet ke hyrë vazhdimisht në negociata, tani vjen një kryeministër dhe thotë se kemi disa kushte, është pak si tepër vonë ta bëjë atë lloj pune sepse ke hyrë në procese ndërkombëtare, ke obligime ndërkombëtare, ka marrëveshje që janë nënshkruar, është e pamundur”, është shprehur ai.
Gjinovci thotë po ashtu se viti 2023 është viti i fundit me arrit një marrëveshje Kosovë – Serbi, pasi vitin e ardhshëm ka zgjedhje në shumicë të vendeve.
“Edhe ndërkombëtarët e dinë që viti 2023 është shanca e fundit me u arrit marrëveshje Kosovë – Serbi, e me pas këtë vëmendje ndërkombëtare që e ka. Sepse vitin 2024 ka zgjedhje në plotë vende evropiane edhe Amerikë. Harroni vitin 2024”, tha Gjinovci.
Gjinovci: Serbia me Asociacionin dëshiron të krijojë terren për konflikt të ri në Kosovë
Aktivisti i shoqërisë civile Rron Gjinovci, ka thënë se Serbia me kërkesat për themelim të Asociacionit po dëshiron të krijojë terren për një konflikt të ri në Kosovë.
“Serbia se ka fare në vullnet të vetin me zgjidh çështjen e Kosovës. Jam i bindur qind për qind se Serbia po dëshiron me përsërit skenarin me të cilin dështoi në Kroaci, e në Bosnje nuk dështoi. Beson se duhet ta provojë edhe në Kosovë. Në tetor e dhjetor të vitit 1990 i ka themelu dy Asiciacione, në Kroaci nuk i dhezi e në Bosnjë e bëri Republika Sërpskan, që i dhezi. Serbia po përgatit terren për me nis konflikt të ri, kinse mes serbëve të Kosovës dhe autoriteteve kosovare”, ka thënë Gjinovci në emisionin “Konfront” në KTV.
Gjinovci ka thënë se opozita në Kosovë është peng i asaj se “çfarëdo që thotë Amerika duhet të bëjë”.
“Siç e dimë SHBA-ja është në favor të krijimit të Asociacionit. Edhe këto pak kritika opozita nuk guxon me i artikulu. Si opozitë hajde po themi s’duhet me mbështet kryeministrin, por nuk guxojnë as me kundërshtu. A mendon dikush se Ramushi, Memli e Lumiri munden me pas mendim ndryshe nga SHBA-ja a. Askush s’mendon për atë edhe s’kanë fituar zgjedhje, s’kanë prodhuar politikë të re në këtë vend. Kanë prodhuar vetëm me e përsërit atë që thonë ndërkombëtarët. Ndërkombëtarët nuk do të jetojnë në Kosovë në 30 vjetët e ardhshme. Escobar, Chollet e Hovenier e kryejnë mandatin si diplomatë, ne, fëmijët tanë do të jetojnë këtu”, ka thënë Gjinovci.
Ai ka shtuar se ajo çfarë tha Gabriel Escobar, se “Asociacioni do të bëhet edhe pa Kurtin me partnerë tjerë, nëse ai refuzon ta bëjë”.
“Ku guxon për një Qeveri të zgjedhur në mënyrën më demokratike në Ballkan Perëndimor, me thënë diçka të tillë. Në Kosovë i dhezë se mbretëron një mentalitet serviliteti”, tha Gjinovci.
Sa i përket përdorimit të termit “Zajednica”, ai ka thënë se po ekziston një “shtresë e racizmit dhe po del sikur po thu diçka negative”.
“Duhet zhdukur prej mënyrës siç komunikojmë në publikë, është urrejtje ndaj kulturës serbe”, tha Gjinovci.
Gjinovci ndërkohë ka thënë se në planin franko-gjerman ekziston një pikë e rëndësishme ku thuhet se “palët duhet të respektojnë integritetin territorial dhe juridiksionin e njëra tjetrës”.
“Kosova e Serbia nëse kanë marrëveshje sipas kësaj, atëherë Serbia nuk mundet të hyjë në territorin e Kosovës, të cilës ia respekton juridiksionin. Nuk ka më vend për asnjë strukturë paralele”, ka thënë Gjinovci.
Rexhaj: Vetëvendosja synon që brenda mandatit 4-vjeçar ta kryejë marrëveshjen finale me Serbinë
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj, ka thënë se partia në pushtet synon që brenda mandatit të saj katërvjeçar ta kryejë çështjen e marrëveshjes finale me Serbinë.
I pyetur në emisionin “Konfront” të KTV-së nga gazetari i KOHËS, Fitim Gashi, se a e kanë parë planin franko-gjerman dhe a e kanë shtruar brenda Lëvizjes njërin prej drafteve të këtij plani, Rexhaj ka thënë se pala kosovare e ka hequr barrën “në kuptimin argumentativ”, duke thënë se është një dokument bazë mbi të cilin mund të ecet.
Sipas tij, Serbia është ajo e cila dëshiron statusquo dhe do ta luajë rolin e saj destruktiv, pasi si# thotë ai, në fund nuk do të ketë “Zajdenicë”.
“Lëvizja Vetëvendosje synon që brenda mandatit të saj 4-vjeçar ta kryejë çështjen e marrëveshjes finale, realisht ta kenë një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë. Arsyeja pse z.Kurti ka qenë shumë kritik ndaj të dërguarve special ka qenë çështja e datave, çështja e datave për ne ka rëndësi të veçantë për arsye se kjo çështje nuk duhet të shtyhet në pambarim dhe ju vetë e thatë që kjo politika fluturuese ta ketë një fond. Tash për tash Vuçiqi, sidomos në fjalimin e fundit në kuvendin e tyre tregoi se është një fashist me plot kuptimin e fjalës duke akuzuar liderin opozitar se pse e ka lëshuar Albin Kurtin dhe të tjerët nga burgu kur dihet se ata kanë qenë pengje lufte, dihet se ata fare nuk janë të interesuar ta nxjerrin një marrëveshje finale. Ata dëshirojnë statusquo. Ne e kemi hequr barrën në kuptimin argumentativ duke thënë që është një dokument bazë dhe mund të ecim mbi atë dokument. Serbia nuk është fare e interesuar ta arrijë një marrëveshje me Kosovën. Do të jetë prapë Serbia ajo që do ta luajë rolin e saj destruktiv ashtu siç e ka luajtur përherë sepse në fund fare nuk do të ketë ‘Zajednicë’”, ka thënë Rexhaj.
Demaku i përgjigjet Rexhajt: Qeveria është totalisht jotransparente për Asociacionin
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj, pati kritika për opozitën për të cilën tha se nuk kanë qëndrim të qartë sa i përket formimit të Asociacionit. Por kësaj iu kundërpërgjigj Dafina Demaku, kryeredaktore në “Periskopi”, e cila ka thënë se sjellja e opozitës lidhet me procesin, që sipas saj, është totalisht jotransparent.
“Cila duhet të jetë sjellja e opozitës ndaj një procesi totalisht jotransparent nga ana e Qeverisë. Kritikat e tyre janë edhe në këtë pikë. Qëndrimi i tyre ka qenë i qartë, që do ta përkrahin Qeverinë në procesin e dialogut. Opozita thotë se nuk e ka planin franko-gjerman. Pyetja duhet të ngrihet edhe në këtë drejtim, kush e ka këtë dokument përveç Albin Kurtit”, ka thënë ajo në “Konfront” të KTV-së.
Por deputeti Rexhaj ka thënë se opozita ka qenë e njoftuar me kohë për planin franko-gjerman, që tash po njihet si plani evropian.
“Opozita ka qenë e njoftuar me kohë. Kemi qenë shumë transparent në këtë çështje. Qeveria e Vetëvendosja nuk ka realizuar ndonjë marrëveshje që e dëmton sovranitetin e Kosovës, rëndom siç kanë bërë partitë e tjera politike kur kanë nisur dialogun”, ka thënë ai.
Rexhaj: Opozita të përfshihet në dialog, po tregon hipokrizi duke u munduar ta fshijë të kaluarën
Deputeti i VV-së, Arbër Rexhaj, ka thënë se partitë opozitare duhet të përfshihen në çështjen e dialogut Kosovë-Serbi, pasi siç ka thënë ai, kjo temë është edhe e subjekteve tjera dhe jo vetëm e Qeverisë.
Në “Konfront” të KTV-së ai ka thënë se opozita duhet të dalë në debate për dialogun. Sipas tij, partitë në opozitë nuk kanë qëndrim të qartë rreth dialogut.
Rexhaj ka shtuar se opozita po tregon hipokrizi duke u munduar ta fshijë të kaluarën e qeverisjes së tyre me marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015.
“Do duhej të dalin nëpër debate sepse dialogu nuk është vetëm çështje e pozitës por edhe e opozitës, megjithatë e kuptoj sepse 2013-ta, sidomos 2015-ta e Asociacionit, Zajednicës është produkt i tyre. Ende sot e kësaj dite unë nuk e kam një pozicion të qartë të opozitës a janë për Zajednicë, a janë për Asociacionin pa kompetenca ekzekutive, a nuk janë për asnjërën, a e përkrahin Kurtin në këtë rrugëtim, a janë pro propozimit evropian. Megjithatë ka qëndrime kundërshtuese ndaj Qeverisë që janë të përgjumura, pjesë-pjesë, dhe me një fjalë opozita nuk ka qëndrim fare në raport me zhvillimet e fundit politike në vend. Kjo tregon një hipokrizi të tyre sepse në një anë po mundohen ta fshijnë të kaluarën dhe kur po i ballafaqojmë me të kaluarën e tyre, ata reagojnë, siç është puna e atyre videove që i nxjerr sekretariati ynë për media”, ka thënë Rexhaj.
As për propozimin evropian, Rexhaj ka thënë se opozita nuk ka nevojë të kundërshtojë pasi nuk ka diçka konkrete që është nënshkruar. Ai ka shtuar se siç ka deklaruar kryeministri, ky propozim është vetëm bazë e mirë për diskutim dhe se nuk do të thotë që pranohet tërësisht.
“Kurti thotë se është bazë e mirë për marrëveshje, nuk ka diçka që është nënshkruar. Kurti në parim pos pikës së fundit ku thuhet të zbatohen të gjitha marrëveshjet, me gjërat tjera nuk e ka problemin. Thotë se është bazë e mirë për diskutim dhe kjo nuk na shpi në rrugë drejtpërdrejt të pranimit apo mospranimit. Asgjë nuk kemi, përpos një dokument që është bazë e mirë për të vazhduar dialogun”.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Kushtetuesja rrëzon Ligjin për KPK-në

QUINT-i pro mbajtjes së zgjedhjeve në veri më 23 prill, edhe pa Listën Serbe

PSD-ja paralajmëron “protestë të madhe” për ta kërkuar dorëheqjen e Kurtit

Policia me strukturë të re organizative, Sveçla: Synojmë që të rrisim efektivitetin

“Mos u zgërdhij, unë s’të respektoj fare”, përplasje mes Hotit e Muratit për Trustin

Krasniqi: Qeveria Kurti e ka rritur koston e jetesës

Mot me shi dhe shkarkime rrufesh gjatë vikendit

Osmani për Epopenë e Dukagjinit: Familja Haradinaj tregoi se liria është e panegociueshme

Abdixhiku: Gjysmë milioni euro humbje në Trust çdo ditë, Qeveria në gjumë

SHKUNDEN ÇMIMET për Ramazan!

Hill: Populli serb s’do ta harrojë kohën e bombardimeve, partneriteti ynë me ta është i palëkundur
