Prezantohet agjenda shtetërore për 15-vjetorin e Pavarësisë dhe Epopenë e UÇK-së

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku, kanë prezantuar të mërkurën agjenden për shënimin e 15-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt dhe Epopenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës më 5, 6, 7 mars. Këto aktivitete do të zgjasin për 30 ditë.
Bislimi ka thënë se programi për këto dy data “shumë të rëndësishme për Kosovën” është hartuar nga grupi punues i përbërë nga Çeku si përgjegjës kryesor, ndërsa anëtar janë edhe ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ministri i Financave, Hekuran Murati, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, gjeneralmajor Bashkim Jashari, drejtori i RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj e përfaqësuesi i organizatave të dala nga lufta, Muhamet Bilalli.
