Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se plani evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë - Serbi, që njihet ndryshe si franko-gjerman, nënkupton ‘de facto’ njohjen e dy shteteve.
Bislimi në konferencë për media ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë takimit të fundit me emisarin e BE-së, Miroslav Lajçak, ka diskutuar vetëm për propozimin evropian, por jo edhe për marrëveshjet e arritura në dialog.
“Platforma tregon vetëm principet e veprimet bazë, ndërkohë gjithçka që ka të bëjë me implementimin e saj, duhet diskutuar në aneksin implementues mes palëve në Bruksel. Plani franko-gjerman tregon kornizën bazë, që nënkupton njohjen ‘de facto’ të dy shteteve, ndërkohë se si do të jetë sekuencimi i hapave, cilat marrëveshje nuk janë më të rëndësishme, e cilat duhet modifikuar, cilat duhet të zbatohen e si të zbatohen, për këtë do të diskutojnë palët në Bruksel. S’ka pasur diskutim për asnjë marrëveshje paraprake, por për kornizën e propozimit franko-gjerman”, ka thënë Bislimi në konferencë për media.
Bislimi ka thënë se gjashtë kushtet që prezantoi kryeministri Kurti pas takimit, “tregojnë se mund të diskutohet për mekanizmin e avancuar të mbrojtjes së të drejtave të njeriut”.
“BE-ja ka vërejtjet e saj në dy kushte, por cilat janë ato duhet ta pyesni z. Lajçak kur të vijë në Kosovë”, ka thënë Bislimi.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.