Arbëri

Ushtarët e FSK-së po operojnë në rajonin më të goditur të Turqisë

 

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka thënë se kontingjenti i Forcës së Sigurisë së Kosovës po realizon me sukses të lartë operacionin e kërkim-shpëtimit në Turqi, pas tërmetit shkatërrues të së hënës. Siç ka bërë të ditur Mehaj, njësitet e FSK-së po operojnë në rajonin Hatay, që është më i godituri nga tërmeti.

“Kontingjenti ynë po realizon me sukses të lartë operacionin e kërkim-shpëtimit në Turqi pas tërmetit shkatërrimtar. Kontingjenti i FSK-së në Republikën e Turqisë që nga orët e hershme të mëngjesit është duke operuar në provincën Hatay të Turqisë në mbështetje të autoriteteve turke për kërkimin dhe shpëtimin e jetëve të njerëzve nën gërmadha”, ka thënë Mehaj në një postim në Facebook.