Mbi 3 muaj pas nënshkrimit, Qeveria i dërgon për ratifikim në Kuvend tri marrëveshjet rajonale
Foto: Driton Paqarada / KOHA
Qeveria u ka dhënë miratim tri marrëveshjeve rajonale të nënshkruara në nëntorin e vitit të shkuar, në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit. Me këtë, marrëveshjet dërgohen për ratifikim në Kuvend, mbi tre muaj pas nënshkrimit të tyre në Berlin. E krahas kësaj, ekzekutivi, në mbledhjen e së mërkurës, mori vendim edhe për subvencionimin e rreth 600 specializantëve me vetëfinancim, përfshirë edhe ata nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi
Tri marrëveshje rajonale, të arritura në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit, morën të mërkurën miratimin e Qeverisë.
Udhëheqës nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Bosnjë-Hercegovina dhe Serbia patën nënshkruar nëntorin e shkuar në Berlin marrëveshjet mbi lëvizjen e lirë me letërnjoftime, për njohjen e diplomave të arsimit të lartë dhe për njohjen e kualifikimeve profesionale të mjekëve, dentistëve dhe arkitektëve përreth vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Miratimi në Qeveri, mbi tre muaj pas nënshkrimit, hapi rrugën për ratifikimin e tyre në Kuvend. Këtë kryeministri Albin Kurti e kualifikoi si tregues të përkushtimit dhe të angazhimit të Qeverisë për bashkëpunim rajonal.
“Me aprovimin e këtyre tri marrëveshjeve dhe me zbatimin e tyre, vendi ynë dhe gjithë rajoni bëjnë një hap para drejt përfitimeve konkrete nga procesi i integrimit të gjashtë shteteve”, ka thënë kryeministri Albin Kurti.
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, gjatë mbledhjes së Qeverisë theksoi rëndësinë e marrëveshjeve.
“Me Marrëveshjen për njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë, diplomat e institucioneve publike të arsimit të lartë të shteteve të Ballkanit Perëndimor do të njihen me procedura të thjeshtësuara dhe falas....Me Marrëveshjen për njohjen e kualifikimeve profesionale bëhet e mundur që profesionet e mjekësve, dentistëve dhe arkitektëve të ushtrohen lirshëm në 6 vendet e Ballkanit Perëndimor”, ka thënë Nagavci.
Krahas ujdive, në mbledhjen e ekzekutivit mori miratim edhe subvencionimi i rreth 600 specializantëve me vetëfinancim nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi.
Arben Vitia, ministër i Shëndetësisë, në një konferencë për media pas mbledhjes, tha se mes veprimeve të tjera që pritet të ndërmerren është edhe adresimi i ikjes së profesionistëve shëndetësorë nga Kosova. Ai përmendi koeficientin e vendosur për punonjësit shëndetësorë, si dhe një plan investimi prej 42 milionë eurosh në infrastrukturë shëndetësore.
“Kemi filluar dhe është një rregullore e cila do të përcaktojë se për stafin shëndetësor, për mjekët specialistë të cilët vendosin të punojnë vetëm në sektori publik do të ketë një shtesë ekstra dhe natyrisht është edhe përvoja e punës dhe për një mjek specialist me të gjitha këto pas kalimit të koeficientëve dhe Ligjit të Pagave, një mjek specialist me të gjitha këto që përmenda nëse punon vetëm në SHSKUK mund t`i shkojë rroga diku në 1700-1800, ndoshta edhe më shumë euro në muaj”, ka thënë Vitia.
Qeveria i ka dhënë miratim të mërkurën edhe nismës për marrëveshje me Qeverinë e Kroacisë rreth transferimit të personave të dënuar dhe për ndihmë të ndërsjellë juridike.