6 perditesime
21:19

Çeku: Do të ketë deri në 100% mbështetje për filmin

Ministri i Kulturës, Rinisë, Sportit, Hajrulla Çeku, ka thënë se me ligjin e ri për kinematografinë, do të ketë deri në 100 për qind më shumë mbështetje për filmin.

Të mërkurën në emisionin “Konfront” në KTV, Çeku ka thënë se ky ligj do të krijojë mundësi që filmi të ketë potencial industrial më të madh se që ka pasur deri tani.

“Ligji i ri për kinematografinë fillimisht e krijon mundësinë që filmi të ketë potencial industrial më të madh se që ka pasur deri tash. E dyta, ligji e ngrit prej 80 deri në 100 për qind mbështetjen për filmat. E dyta, ky ligj e krijon incentivën e rabatit, rabati është rimbursim për investimet e huaja në film. Produksionet e huaja që do të prodhojnë filma në Kosovë, do të rimbursohen deri në 30 për qind”, ka thënë ai.

Ky ligj, sipas Çekut ka kaluar në lexim të parë në Kuvend dhe është në miratimin final për të hyrë në fuqi.

Ministri i Kulturës ka shtuar se koncept-dokumenti për Kulturën është diagnostikimi më i thellë i bërë ndonjëherë për këtë fushë.

“Koncept-dokumenti për kulturën nuk e di a e keni lexuar, por është diagnostikimi më i thellë që është bërë ndonjëherë për kulturën. Koncept-dokumenti është diagnozë. Një produkt konkret i koncept-dokumentit është ligji për artin dhe kulturën që aktualisht është në procedurën e dëgjimit publik dhe shumë shpejt do të shkojë edhe në Parlament”, ka thënë ai.

21:05

Maxharraj tregon pse Çeku u quajt “Ministri i Reprizave”

Koha Ditore si çdo fundvit, edhe këtë herë pati publikuar numrin festiv dhe disa faqe ia ka kushtuar figurave më të veçanta të vitit 2022.

Nga këto figura një emërtim i ishte dhënë edhe ministrit të Kulturës, Hajrulla Çekut. Ai ishte quajtur “Ministri i Reprizave”. Për këtë në “Konfront” të KTV-së ka folur gazetari i Grupit KOHA, Shaban Maxharraj, të cilit iu kërkua nga vetë Çeku që t’i shpjegohej pse është quajtur ashtu.

Maxharraj ka thënë se ky ka qenë emri më i butë me të cilin mund të ishte cilësuar ai, për shkak të deklaratave të njëjta në çdo pyetje që i është bërë.

“Në numrin festiv të Kohës Ditore e kemi quajtur ‘Ministri i Reprizave’, ndoshta është gjetja më e butë ky emër, sepse ministri prej fushatës elektorale e tash e dy vjet për çfarëdo teme i ka deklaratat e njëjta, për çfarëdo problemi institucional që e pyet thotë po ligji unik do ta zgjidhë këtë. Projekti për ndërhyrje në Teatër Kombëtar, ka një vit që thotë është duke u punuar”, ka thënë Maxharraj.

Kurse ministri Çeku është arsyetuar se nuk jep afate asnjë herë për asnjë punë për të cilën i kërkohet datë. Ai ka shtuar se është edhe gabim pyetja kur i bëhet për të dhënë një afat të caktuar.

“Reprizat, a e din çka janë reprizat, unë po ta tregoj. Nuk ka asnjë punë që kryhet shpejtë, bile unë jam kundër punëve që kryhen shpejtë. Sa herë jam pyet ‘kur kryhet’, s’kam dhënë afate. Më së paku më pëlqen kjo pyetja ‘brenda mandatit’, sepse brenda mandatit është me mëndu politikisht, se po më vyen përvete. Është gabim, kur gazetari e bën këtë pyetje është gabim. Një renovim kur bëhet një herë, të bëhet si duhet, për mua kjo është me rëndësi. Unë kurrë nuk bëj beteja me data”.

20:46

Sopi kundër idesë që të mos ketë ansambël rezident në teatrot e Kosovës

Regjisori Agim Sopi, ka kundërshtuar idenë që të mos ketë ansambël rezident në Teatrin Kombëtar të Kosovës dhe në teatrot regjionale.

Sopi ka thënë se nuk ekziston asnjë teatër kombëtar në Evropë pa ansambël rezident.

“Kjo është ide e dy tre matrapazëve që kanë qenë që 20 vjet përkrahës të PDK-së që t’i shkatërrojnë institucionet dhe t’i përdorin si instrument për zhvatjen e parasë. Kjo vazhdon fatkeqësisht dhe këto ide vazhdojnë të shtyhen qoftë përmes ligjeve, qoftë përmes përmes grupeve të interesit. Kjo do të thotë shkatërrimi i ansambleve rezidente në teatrin kombëtare dhe në teatrot regjionale, domethënë shkatërrimi i rrjetit të teatrove regjionale në Kosovë, mbi të gjitha shkatërrimi i Teatrit Kombëtar”, ka thënë Sopi në “Konfront” të KTV-së.

20:44

Çeku: Është mbyllur ndërtesa e jo Teatri, ai vazhdon të funksionojë

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka thënë se po thuhen pasaktësi të mëdha lidhur me funksionimin e Teatrit Kombëtar të Kosovës. Sipas tij, Teatri nuk është mbyllur por ndërtesa.

I ftuar të mërkurën në “Konfront” të KTV-së, Çeku ka thënë se po barazohen institucionet me ndërtesa dhe ky sipas tij, është një gabim i madh.

“Po thoni pasaktësi të mëdha, po thoni se është mbyllur teatri. Teatri vazhdon të funksionojë. Si mund të mbyllet teatri. Ndërtesa është mbyllur. Institucioni nuk mbyllet. Ju po e barazoni institucionin me ndërtesën, ky është gabimi më i madh që po e bëni”, ka thënë ai derisa po debatonte me regjisorin Agim Sopi.

Sopi nga ana tjetër tha se për 20 vjet, teatri nuk ka paraqitur asnjë lloj rreziku që të mbyllej.

“Në atë teatër nuk ka asnjë lloj rreziku, që 20 vjet që ka funksionuar. Unë kam qenë aty ditë e natë dhe e di që ka pasur komisione që e kanë vlerësuar dy herë në vit dhe kanë dhënë raporte se siguria është në rregull. Nëse janë tri katër karrige të prishura, nëse dikush është dashur ta sajoj një tender ajo është tjetër gjë”, ka thënë ai.

Kësaj deklarate i është përgjigjur ministri Çeku, i cili tha se nuk ekziston ministër i Kulturës në Kosovë që mund ta mbyllë Teatrin Kombëtar.

“Teatri kombëtar nuk është mbyllur. Nuk ekziston ministër kulture në këtë vend që mund ta mbyllë teatrin kombëtar. Mos flisni gjëra që nuk qëndrojnë aspak. Përveç amfiteatrit të ri te pallati i rinisë, shumë shpejt nis adaptimi i një hapësire të re të objekti i rilindjes për ta krijuar edhe një amfiteatër për teatrin kombëtar të Kosovës. Dhe kjo nuk do të jetë e përkohshme”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se po tentohet që në prill të këtij viti të realizohet projekti i rinovimit që mundëson nisjen e procedurës për rinovim të ndërtesës.

“Ne jemi shumë të interesuar që ndërtesën kryesore të Teatrit Kombëtar të Kosovës ta rinovojmë, sado që merr kohë kjo punë. Gjatë prillit do ta kemi projektin e rinovimit dhe kjo na mundëson ta nisim procedurën për rinovimin e ndërtesës së teatrit. Me ligjin e ri të artit dhe kulturës nuk do të ketë obligim ose detyrim që institucionet e kulturës të kenë ansamble rezidente. P.sh, opera e Kosovës funksionon pa ansambël rezident. Opera ekziston”, ka thënë ai.

20:33

Neziraj për koeficientin: Ka bazë për pakënaqësi

Dramaturgu Jeton Neziraj ka thënë se pakënaqësitë për koeficientin e prezantuar nga Qeveria janë evidente në pjesën e teatrit.

Ai ka thënë se ka bazë për pakënaqësi.

Sipas tij, mënyra arbitrare e përcaktimit të rrogës së një kategorie të mediumit artistik, lë shije të keqe.

Neziraj ka thënë se kështu siç janë përcaktuar koeficientet, duken të padrejtë dhe të pasinqertë.

“Kjo nuk është çështje egosh, sepse një kriter është dashur të ekzistojë në këto përcaktime. Përderisa të gjithë nuk e kanë të barabartë, sepse njëri grup e ka rrogën më të vogël e një tjetër më të madhe. Pra duhet të caktojmë se cili kriter është përmbushur, a është kriteri i prezantimeve publike, i orëve të punës, kriteri profesional apo formimi i artistit. Kur i kemi këtij informata mund të kishim besuar në sinqeritetin apo metodologjinë e matjes dhe përcaktimit të rrogave. Kështu siç janë përcaktuar, më duken jo shume të drejta dhe jo shumë të sinqerta”, ka thënë ai.

20:31

Sopi: Puna e aktorit është më e rëndë se e minatorit, pagat duhet të jenë dyfish

Sipas regjisori Agim Sopi pagat e punëtorëve të Teatrit Kombëtar duhet të jenë të diferencuara dhe dyfish më të mëdha.

Sopi ka arsyetuar se puna e aktorëve është shumë e rëndë dhe se nuk mund të krahasohet me asnjë punë në institucione të tjera, dhe si e tillë ai ka thënë se punëtorët aty duhet të kenë kushte më të mira.

“Unë kam ardhur në teatër 25 vjeç, kam punuar regjisor 10 vjet, dhe përpos se teatri kombëtar është pasqyra elitare e një kombi, është një teatër ku punohet shumë. Sikur teatri të mos ishte mbyllë, teatri ka dhënë 6 shfaqje në javë, mbi 200 shfaqje në vit. Nëse këta njerëz arrijnë të luajnë 200 shfaqje në vit, të kenë shfaqje për çdo ditë, i bie që prova të kenë nga ora 10 deri në 4, të shkojnë të hanë drekë dhe në ora 6 të përgatiten për shfaqje dhe të luajnë shfaqje dhe të ngelen në teatër deri në orën 12 të natës. Është punë më e rëndë se e minatorit, nuk mund të krahasohet me asnjë punë të asnjë institucioni tjetër. Prandaj, pagat e punëtorëve të teatrit kombëtar duhet të jenë të diferencuara, madje dyfish”, ka thënë ai.

Në Konfront të KTV-së ai ka bërë krahasim me nivelizimin e pagave gjatë kohës së ish-Jugosllavisë dhe tash të punëtorëve të teatrit.

“Në teatrot e ish-Jugosllavisë paga e aktorit kryesor ka qenë paga e kryeministrit. Tash paga e drejtorit është gati dyfish më e madhe se e aktorit, është shpërputhje e patolerushme, siç ka qenë në kohën kur kam qenë drejtor me pagë 470 euro si drejtor i përgjithshëm kurse aktorët 850. Aty ka ngelë e aktorëve tash, por drejtorit iu ka bë 1300”.

20:24

Çeku për Ligjin e Pagave: Kultura është radhitur me Arsimin e Shëndetësinë

Ministri i Kulturës, Hajrullah Çeku, ka thënë se me Ligjin e Pagave të sektorit publik, Kultura është radhitur bashkë me Arsimin dhe Shëndetësinë sa i përket koeficientit të pagave.

Çeku ka thënë të mërkurën në “Konfront” të KTV-së se koeficienti i drejtorit të përgjithshëm të institucionit kombëtar të Kulturës është 13, i ngjashëm me atë të drejtuesve të SHSKUK-së dhe të rektorit të Universitetit.

“Me koeficientet që janë përcaktuar tash për pagat e drejtuesve, të punëtorëve dhe performuesve të institucioneve të kulturës ky është niveli më i lartë i pagave ndonjëherë që i kanë gazetarët këta pjesëtarë. Koeficienti i drejtuesit pra i drejtorit të përgjithshëm të institucionet kombëtar të kulturës është 13 dhe është shumë afër si i drejtuesve të tjerë si SHSKUK, rektori i Universitetit e kështu me radhë. Pra edhe kultura bashkë me arsimin e shëndetësinë është radhitur aty në nivelin më të lartë të pagave për ta. Udhëheqësi artistik i institucionet është vetëm 0,5 më pak se drejtori i përgjithshëm, ndërkaq drejtuesit e tjerë të lartë fillojnë me koeficientin 11. Nëse e shihni edhe rangimin e performuesve në secilin rast kemi rritje të konsiderueshme të pagave”, ka thënë Çeku.

Sipas tij, nuk ka qëndrime të bazuara dhe të argumentuara kur shprehen kundërshtime për pagat.

“Unë besoj që kjo renditje e reflekton edhe rritjen e nevojshme që e kanë pasur dhe rritjet janë të konsiderueshme. Nëse dikush thotë se rritjet janë të vogla duhet ta argumentojnë. Ka më shumë ankesa që nuk po bazohen në fakte dhe argumente. Mundësitë aktuale kanë qenë këto, besoj që në një moment të radhës do të ketë edhe rritje. Koeficienti i pagave caktohet çdo vit”, ka shtuar ai.