Kurti-opozitës: Fjalët që m’i thoni mua, thuajani me të njëjtin zell edhe Escobarit

- 12:22Kurti-opozitës: Fjalët që m’i thoni mua, thuajani me të njëjtin zell edhe Escobarit
- 12:13Haradinaj: Kurti e trashëgoi Asociacionin, Thaçit s’i kërkuam marrëveshje me njohje në qendër
- 12:08Krasniqi-Kurtit: Sille planin evropian në Kuvend apo po frikësohesh nga Escobari e Lajçaku
- 12:00Abdixhiku: Kurti e pranoi që po negocion marrëveshje që s’e ka njohjen në qendër
- 11:58Kurti: Propozimi franko-gjerman është marrëveshje bazike, por jo përfundimtare
- 11:29Abdixhiku: Në planin franko-gjerman që na prezantoi Kurti, nuk flitet për njohje reciproke
- 11:01Krasniqi, Kurtit: Dialogu nuk është çështje private mes teje e Vuçiqit
- 08:56Kuvendi mban seancë plenare
Kurti-opozitës: Fjalët që m’i thoni mua, thuajani me të njëjtin zell edhe Escobarit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka ironizuar me opozitën, duke thënë se me aq zell sa i thonë atij që mos të pranojë marrëveshjen finale pa njohje reciproke, t’ia thonë këto fjalë edhe përfaqësuesit të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
“Ju inkurajoj, qysh ashtu që jeni të vendosur se Kosova nuk duhet të pranojë marrëveshje pa njohjen reciproke në qendër, qysh m'i thoni mua - aman ja thoni kështu me të njëjtin zell edhe Escobarit, dhe jo vetëm mua. Kur e takoni Escobarin, paramendojeni se e keni përpara Kurtin dhe ja thoni këto fjalë. Shërbim më të madh Kosovës nuk mundeni me i bë”, ka thënë Kurti.
https://www.facebook.com/portalikohanet/videos/712437443870092/
Kreu i ekzekutivit ka këmbëngulur se ka qenë transparent sa i përket planit evropian. U tha liderëve opozitarë se janë ftuar ta lexojnë planin dhe atë mund ta bëjnë çdo ditë, por sipas tij, rregullat e bisedimeve nuk e lejojnë që ai plan të dalë nga zyra e tij.
“Propozimi evropian për marrëveshje, nuk ka qenë merre ose leje. I kam pyetur emisarët a është ky propozim merre ose leje. Nëse nuk është, kam thënë është bazë e mirë për diskutim të mëtejshëm. Sepse nuk më kanë thënë lëre ose merre. E kam thënë që e pranoj si platformë solide për me ecë përpara. Platforma është vendi prej nga nisesh, jo ku banon dikush. Si destinim, nuk është më ofruar. Është procesi negociator që i paraprin destinimit. Është kundër logjikës së negociatave”, ka shtuar Kurti.
Është pajtuar që të ketë seancë të jashtëzakonshme, ashtu siç kërkoi opozita, por ka thënë se në një ditë tjetër pasi sot Kuvendi, siç tha Kurti, ka disa pika të rëndësishme.
Krasniqi – Kurtit: Asociacionin e ke kthyer në qendër
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, i është kundërpërgjigjur kryeminsitrit Albin Kurti, duke thënë se ato që po i thotë tash i ka thënë edhe më me zë në State Departament.
Ai ka thënë se qëndrimin e PDK-së e ka shprehur publikisht gjithkund.
Ndërsa Kurtit i ka bërë thirrje që të tregojë “nëse po i ndërron fjalët, pse po i ndërron”.
“Për atë Asociacion e Demokariacion keni dhunu këtë Kuvend, e sot keni nis me zbukuru, me i ndërru fjalët, me u mundu me arsyetu”, ka thënë Krasniqi.
https://www.facebook.com/watch/?v=8777077802364832
Ai ka thënë se për propozimin franko-gjerman e dinë të gjithë serbët, deputetët serbë, madje edhe rusët, ndërsa ka shtuar se vetëm deputetët e Kosovës nuk e dinë.
“Nuk është Zyra e Kryeministrit klub i leximit e të më thuash hajde lexo. Sille këtu në seancë në Kuvend. Thuaj ky është teksti, zotohemi për konfidencialitet, jemi të betuar me ligj mos me nxjerr, e ta shohin edhe deputetët e tu. E jo neni 10, preambula 1. Po e fshehni një të vërtetë të madhe, e keni degradu procesin. Para 3-4 vjete kemi fol për njohje të ndërsjellë, anëtarësim në OKB, marrëveshje finale ligjërisht obligiative. E sot po folim për marrëveshje bazike, e disa lëvizje përpara. Ndoshta na jep njohje Rumania e Greqia, ndoshta na fusin diqysh nëpërmjet një dere në Partneritet Për paqe, krejt i ke me ndoshta. Prej njohjes së ndërsjellë e ke Asociacionin në qendër”, ka thënë Krasniqi.
Reagimi i Lumir Abdixhikut, kryetarit të LDK-së: E keni gabim edhe ju [Kurti] edhe Haradinaj
https://www.facebook.com/portalikohanet/videos/571129215072063/
S’kalon mocioni i LDK-së për seancë të jashtëzakonshme për dialogun
Nuk ka kaluar mocioni i Lidhjes Demokratikë të Kosovës për të mbajtur seancë të jashtëzakonshme lidhur me dialogun Kosovë-Serbi.
Lëvizja Vetëvendosje ka votuar kundër këtij mocioni.
Është miratuar në parim Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të agjencive ekzekutive.
Haradinaj: Kurti e trashëgoi Asociacionin, Thaçit s’i kërkuam marrëveshje me njohje në qendër
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se nuk duhet të vihet në faj kryeministri Albin Kurti, pasi sipas tij, tema e Asociacionit është e trashëguar nga pushtetet e mëhershme.
Ai ka kërkuar nga partitë tjera opozitare që të bëhen të sinqerta.
“Ka rëndësi çka po duam ne të tjerët, njohjen reciproke, por si ta nxjerrim? Situata është e thjeshtë, aleatët tanë e kanë ndihmuar Kosovën deri te një marrëveshje që ta divorcojë Kosovën nga Serbia. Amerika ju thotë të gjithëve, ju përkrahim për partneritet për paqe. Nëse ne i themi qeverisë nuk ta pranojmë pa njohjen reciproke marrëveshjen, matuni mirë çka po i thoni”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se askush nuk i ka thënë ish-presidentit Hashim Thaçi më 2013, s’ka marrëveshje pa njohje reciproke.
“Për mua dhe AAK-në është i pranueshëm propozimi franko gjerman. I kërkoj kësaj qeverie, pranoje dhe mos u vono. T’i mbajmë zgjedhjet në veri dhe ta kthejmë normalitetin. Nëse mund të punojmë me dobësu Asociacionin, po punojmë të gjithë”, ka thënë ai.
Krasniqi-Kurtit: Sille planin evropian në Kuvend apo po frikësohesh nga Escobari e Lajçaku
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Kransiqi, i ka kërkuar kryeministrit Albin Kurti ta sjellë planin evropian në Kuvend para deputetëve, qoftë edhe me dyer të mbyllura.
Por në seancën e Kuvendit të enjten, Krasniqi i ka thënë Kurtit se pse po frikësohet ta bëjë një gjë të tille.
“Me fjalimin tuaj keni konfirmuar atë që thashë në fillim, që në stilin tuaj fshiheni pas parimeve e silleni e veproni sipas rrethanave. U befasova se sa mirë e sa ëmbël keni filluar me arsyetu propozimin evropian apo planin evropian, sepse askush nuk dini ta thoni saktë as termin e këtij dokumenti. Fillove t’i vendosësh mjaltë këtij ilaçi të hidhur. Për mua është transformim i madh. Pse nuk po ia sjellë Kuvendit këtë dokument, qoftë me dyer të hapura apo të mbyllura. Pse po fshihesh prapë pas opozitës, pse po frikësohesh apo të ka frikësuar Escobari e Lajçaku. Qytetarët janë më të rëndësishëm se Escobari e Lajçaku. Mos u fsheh, thuaj qe po vij me dyer të mbyllura”, ka thënë Krasniqi.
Kreu i PDK-së ka thënë se nëse nuk ka marrëveshje përfundimtare me njohje reciproke, atëherë sipas tij, Kurti është duke shkuar kot në Bruksel.
Abdixhiku: Kurti e pranoi që po negocion marrëveshje që s’e ka njohjen në qendër
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, u ka bërë thirrje deputetëve që t’i mbledhin nënshkrimet për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme për dialogun.
Ai ka thënë se kryeministri Albin Kurti ka pranuar që nga një marrëveshje finale, ligjërisht të obligueshme të pranojë një marrëveshje që nuk është finale por është bazë, duke shtuar se ky është devijim i madh i dialogut.
Sipas tij, Kurti në fjalim e pranoi edhe që po negocion një marrëveshje që nuk e ka njohjen në qendër.
“I kryeministër unë nuk po të gjykoj ju pyeta se çka nga platforma juaj është reflektuar në marrëveshjen që e ke pranuar. Dhe janë dy çështje shqetësuese: Ke pranuar që nga një marrëveshje finale të pranosh një marrëveshje bazë. Ti nuk po tregon se çka po bëhet por e ke pranuar një dokument. Si mund të pranosh marrëveshje që nuk është finale dhe nuk e ka njohjen në të. Meqë ke devijuar nga ky proces ne duhet të thërrasim seancë të jashtëzakonshme. Dhe po e thërrasim këtë seancë ju ftoj të gjithëve që t’i japim nënshkrimet”, ka thënë ai.
Kurti: Propozimi franko-gjerman është marrëveshje bazike, por jo përfundimtare
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se propozimi evropian, që po njihet si franko-gjerman, është një propozim, një kornizë për marrëveshje bazike, e jo përfundimtare.
“Nuk është finale, është sërish një kornizë, është marrëveshje bazike, por jo përfundimtare. Kjo marrëveshje, që ka paragrafë e fjali të tëra që merren nga modeli i dy Gjermanive, sërish është veçse një marrëveshje bazë, jo marrëveshje ligjërisht obliguese, ndërkombëtarisht obliguese çfarë na duhet”, ka thënë Kurti në seancë të Kuvendit.
Ai ka thënë se duhet proces i gjatë negociator për të arritur deri te një marrëveshje. Kurti ka thënë se marrëveshje finale pa njohje të ndërsjellë s’mund të ketë.
“Kemi mosnjohje reciproke. Ajo çfarë na duhet është njohja e ndërsjellë. Marrëveshje finale pa njohje reciproke në qendër s’mund të ketë. Nuk është finale. Marrëveshja sipas modelit të dy Gjermanive, e bën ndarjen e njohjes reciproke në ndarje de facto dhe de jure. Andaj po të thoshim diçka për atë propozimin që na është ofruar, aty paragrafët që merren nga modeli i dy Gjermanive i vitit 1972, janë paragrafë që pikërisht i referohen asaj njohjes de facto. Në kuadër të preambulës, i ka pesë fjali, është edhe trashëgimia e së kaluarës. Duhet kuptuar nuk janë as vetëm dy faqe taman. Është tekst i përgjithshëm e i shkurtër. Kur thuhet në anglisht, ‘legacy of paste’, trashëgimia e së kaluarës, do shumë punë e definim të asaj për të adresuar. Ne në këtë kuptim jemi fillim të fillimit. Në preambulë ka referencë për pakicat kombëtare, por çfarë do të bëhet me këtë togfjalësh varet nga zhvillimet politike e procesi i mëtutjeshëm negociator. Ajo çfarë kam thënë nga shtatori, ky propozim paraqet bazë të mirë për diskutim të mëtutjeshëm, e platformë solide për të ecur para. Se kam refuzuar propozimin, por kam thënë se diskutime e mëtutjeshëm mbi këtë bazë do të mund të bëjmë”, ka thënë Kurti.
Kurti ka thënë se në vitet e kaluar s’ka pasur propozim ku janë konceptet evropiane, demokratike me vlera universale.
“Ishte ajo që mund ta quajë ideologjia e zgjidhjes së problemeve. Konsiderohet se ke problem e duhet zgjidhur në mënyrë shumë të veçantë. Qasja të kaluarën ka qenë kështu, zgjidhje problemesh, pa koncepte e kategori universale. Në propozimin e ofruar janë kategoritë universale. Qysh në fillim është pavarësia, demokracia, integriteti territorial, sovraniteti, vetëvendosja të drejtat e njeriut. Të gjitha janë vlera universale. Një marrëveshje bazë që ka vlerat universale brenda konsideroj se është e drejtë dhe e dobishme për Kosovën”, ka thënë Kurti.
Ai ka thënë se po zhvillohet një betejë e ashpër politike e diplomatike.
“Në njërën anë prej 33 marrëveshjeve, Beogradi do që ta përzgjedhë vetëm njërën më të të dashurën, të 19 prillit të vitit 2013, atë për Asociacionin. Ato marrëveshje nga pikëpamje e Qeverisë së Kosovës s’kanë hierarki as vlerore as logjike. Ato kanë rend kronologjik. S’janë nënshkruar krejt në një ditë. Rend kronologjik kanë. Hierarki vlerore e logjike s’kanë. Nuk mund të përzgjedhësh një nga 33 e ta vendosësh njërën para tjetrës. Po zhvillohet një betejë e madhe politike e diplomatike. Beteja tjetër në kuadër të propozimit të BE-së, ai neni i dhjetë, që i referohet marrëveshjeve të mëhershme, me një lloj s’forcimi e insistimi të nxirret gati preambulë. E papranueshme është për ne. Te propozimi evropian, franko-gjerman, është e fundit në nenin 10. Beogradi po bën betejën ndoshta më të madhe që nenin 10, fjalinë e fundit të tij ta nxjerrë preambulë. Që Asociacioni i komunave me shumicë serbe i nënshkruar para 10 vjetëve, të jetë parakusht ose në qendër. Për ne nuk është i pranueshëm as si parakusht as qendër. Për këtë propozimi evropian është shumë në favor tonë, pasi nuk e ka as parakusht as në qendër”, tha Kurti.
Kurti ka thënë se është i hapur për të diskutuar gjëra, porse nuk mund të bëjë në seancë të zakonshme.
Kurti ka thënë se mund të takojë liderët e partive në çdo moment, apo të organizohet një seancë me dyer të mbyllura.
“Besoni mezi nuk presin të na akuzojnë se ne i nxorëm hollësitë. Procesi i dialogut duhet të jetë transparent por edhe konfidencialiteti i bisedimeve të jetë aty”, tha Kurti.
Kurti në fillim të fjalimit të tij ngushëlloi viktimat e tërmetit në Turqi e Siri, ndërsa përgëzoi ekipin e FSK-së, prej 36 anëtarëve që po ndihmon në gjetjen e të mbijetuarve.
Sa i përket çështjes së ngritur në lidhjet me vërshimet në Kosovë, se si nuk u pranua ndihma nga Shqipëria, Kurti, tha se Kosova ishte në gjendje ta menaxhonte situatën.
“Është e vërtetë që Shqipëria ka shprehur gatishmërinë të ndihmojë me ushtrinë e saj kur ndodhën vërshimet javë më parë. Por, Ministria e Mbrojtjes dhe ajo e Brendshme, kanë qenë të qarta se janë shumë falënderuese për gatishmërinë e Shqipërisë, porse nuk kanë nevojë për atë llojë ndihme, pasi ato aftësi i ka FSK-ja, policia dhe AME-ja. Ishim shumë larg prej limiteve të kapaciteteve tona të na vijë ndihmë Shqipëria. Ata ishin në Kukës. Jemi shumë mirënjohës e falënderues në një rast të vështirësimit të mëtutjeshëm të gjjendjes, për shkak vërshimeve e përmbytjes, do të mund të na ndihmonte Shqipëria. Por për shkak të organizimit të mirë, solidaritetit të madh, edhe ndërmjet qytetarëve, edhe komuna me Qeverinë, arritëm me forca tona t’ia dalim me sukses”, tha Kurti.
Për këtë, deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, ka thënë se Qeveria vetë e ka thirrur konvojin dhe më pas vetë e ka kthyer prapa.
“Për rastin e kthimit dhe moslejimit të konvojit në Kosovë ju si qeveri i keni bërë thirrje me ardhë. Si është e mundur ti kërkoni ndihmë dhe ti ktheni. Për këtë e keni detyruar ish-këshilltarin të japë dorëheqje. Kjo është e turpshme. Kjo është turp kryeministër turp”.
Abdixhiku: Në planin franko-gjerman që na prezantoi Kurti, nuk flitet për njohje reciproke
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se në gusht të vitit që shkoi i është përgjigjur pozitivisht ftesës së kryeministrit Albin Kurti për një takim të përbashkët lidhur me dialogun Kosovë-Serbi.
Ai ka thënë se në këtë takim përveç LDK-së ftesës i ishte përgjigjur edhe AAK-ja.
Sipas Abdixhikut, pas diskutimit në fund të takimit për dialogun, Kurti ua ka dorëzuar një dokument një-faqësh. Ai ka thënë se dokumenti mbante e elemente të kornizës së marrëveshjes finale.
Abdixhiku ka shtuar se në një takim tjetër, kur Kurti ua kishte dorëzuar planin franko-gjerman, në të nuk shkruhej njohja reciproke.
“Kapitulli i parë parashihte njohjen reciproke me Serbinë. Kapitulli i dytë krimet e luftës të zhdukurit, në kapitullin e pestë thuhej se do të bëhej rikonsiderimi i marrëveshjeve të arritura në Bruksel. Në një takim tjetër të zhvilluar në zyrën e tij, disa muaj më vonë, kryeministri më kishte dorëzuar një dokument dy-faqësh i njohur si propozimi franko-gjerman, ai propozim nuk përmbante marrëveshjen finale dhe ishte larg dokumentit që ma kishte propozuar Kurti në takimin e parë”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se më 6 shkurt 2023 nëpërmjet një postimi të kryeministrit në Twitter kuptuan se kryeministri e ka pranuar ne parim propozimin në fjalë.
Sipas tij, askush nuk e di në Kuvend se çka ka pranuar kryeministri.
“Se edhe ashtu ai nuk i raporton këtij Kuvendi. I kam 4 pyetje për kryeministrin për ta kuptuar se çka ka nënshkruar ai. Në marrëveshjen e pranuar nga ju në parim a bëhet fjalë për marrëveshje përfundimtare ligjërisht të obligueshme apo për marrëveshje bazë? Marrëveshja e pranuar nga ju në parim a e ka njohjen e ndërsjellë në qendër të saj? Marrëveshja e pranuar nga ju në parim a i ka elementet e platformës suaj që na i prezantuat në gusht të 2022-tës? -Marrëveshja e pranuar nga ju në parim a e parasheh rikonsiderimin e marrëveshjeve paraprake apo implementimin e të gjitha marrëveshjeve pa dallim? Na trego se çfarë elementesh ka produkti juaj përfundimtar në këtë proces të udhëhequr nga ju”, ka thënë ai.
Krasniqi, Kurtit: Dialogu nuk është çështje private mes teje e Vuçiqit
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, duke iu referuar Qeverisë ka thënë se e vetmja gjë që nuk është as fisnike, as pragmatike, është mungesa e guximit për ta ushtruar përgjegjësinë që i takon. Sipas tij, kjo është rruga që është duke e ndjekur kryeministri Albin Kurti.
Ai ka thënë se Kurti në raport me dialogun nuk ka nevojë të fshihet, as të mashtrojë, as të luajë rolin e shpëtimtarit, e as të tradhtarit.
“Për PDK-në vetëm duhet të luajë rolin që i takon në mënyrë transparente. Nuk ka nevojë ta fshehësh prej Kuvendit asnjërin prej pozicioneve që mban në këtë proces. Nuk ka nevojë të na njoftojë se e ka pranuar planin franko-gjerman nga një restorant me biftek përpara. Nuk është as demokratike as fisnike që qëndrimet t’i bësh në mënyrë të fshehur e jo transparente. Dialogu nuk është çështje private mes teje dhe Vuçiqit, por janë çështje shtetërore mes Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se mbështetjen e ka dhe opozita po pret rezultate.
Krasniqi tutje e ka pyetur Kurtin pse nuk po e shkarkon ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.
“Pse nuk e shkarkon Martin Berishajn. Si është e mundur një proces që është ndër skandalet më të mëdha në rajon vazhdon të qëndrojë si ambasador. Edhe pse përgjegjësia jote nuk është me dhënë komente, përgjegjësia jote është të ndërmarrësh veprime. Kur do ta shkarkosh Martin Berishajn dhe kur ky njeri do të dalë para drejtësisë në Kosovë”, ka pyetur ai.
Kadrijaj pyet Qeverinë se çfarë bëri për t’i ndihmuar të prekurit nga vërshimet
Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, ka pyetur se çka ka bërë Qeveria për t’i ndihmuar të prekurit nga vërshimet në Skenderaj e Deçan.
Ajo ka thënë se nuk është e drejtë që kryeministri Albin Kurti të mos merret me këto komuna, vetëm pse nuk udhëheqë Vetëvendosja me to.
“Pse u ndal kolona me ndihma nga Shqipëria në kufi dhe pse nuk erdhi në Kosovë? Cila ishte arsyeja?”, ka pyetur ajo.
Kuvendi mban seancë plenare
Kuvendi i Kosovës sot (e enjte) do të mbajë seancë plenare.
Ajo pritet të fillojë nga ora 10:00.
Në rend të ditës janë 17 pika:
1. Deklarimet jashtë rendit të ditës,
2. Pyetjet parlamentare,
3. Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-123 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të agjencive ekzekutive,
4. Votimi i Raportit vjetor të Komisionit të Pavarur të Mediave për vitin 2021,
5. Votimi i Raportit vjetor të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare për vitin 2021,
6. Votimi i Raportit me rekomandime nga mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit nr.05/L-003 për Mbikëqyrjen Elektronike të Personave të Cilëve u Kufizohet Lëvizja me Vendim të Gjykatës,
7. Votimi i Raportit me rekomandime nga mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit nr.06/L-010 për Noterinë,
8. Votimi i Rekomandimeve të dala nga shqyrtimi i Raportit të Auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Universitetit të Prishtinës për vitin 2021,
9. Votimi i Raportit të Performancës së Ndërmarrjeve Publike Qendrore për vitin 2020,
10. Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-201 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.05/L-081 për Energjinë,
11. Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-206 për Arsimin e Lartë në Republikën e Kosovës,
12. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-121 për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme,
13. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-175 për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar,
14. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 08/L-213 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 08/L-193 mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2023,
15. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-199 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.05/L-060 për Mjekësinë Ligjore,
16. Shqyrtimi i rekomandimeve për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit nr.04/L-109 për Komunikimet Elektronike,
17. Përzgjedhja e një (1) anëtari joekzekutiv të Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK).
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Hetuesia kthehet sërish në Klinikën e Kardiologjisë në QKUK

Bombardimet që i dhanë fund agresionit të Serbisë mbi Kosovën

Tahiri: Rrëzimi i Ligjit për KPK-në, lajm shumë i mirë për drejtësinë

Kushtetuesja rrëzon Ligjin për KPK-në

QUINT-i pro mbajtjes së zgjedhjeve në veri më 23 prill, edhe pa Listën Serbe

PSD-ja paralajmëron “protestë të madhe” për ta kërkuar dorëheqjen e Kurtit

Policia me strukturë të re organizative, Sveçla: Synojmë që të rrisim efektivitetin

“Mos u zgërdhij, unë s’të respektoj fare”, përplasje mes Hotit e Muratit për Trustin

Krasniqi: Qeveria Kurti e ka rritur koston e jetesës

Mot me shi dhe shkarkime rrufesh gjatë vikendit

Osmani për Epopenë e Dukagjinit: Familja Haradinaj tregoi se liria është e panegociueshme
