Rrëfimi i gazetarit shqiptar për tërmetin në Turqi: Spitalet e mbushura me fëmijë të paidentifikuar
Gazetari i A2/CNN, Jul Kasapi, ka rrëfyer për qëndrimin e tij në zonat e prekura nga tërmeti në Turqi. Kasapi qëndroi në disa nga qytetet më të prekura nga tërmeti për katër ditë.
Në një intervistë për “60 Minuta” të KTV-së, Kasapi ka thënë se në spitalet që ka vizituar kishte mijëra fëmijë të cilët ishin të paidentifikuar, pasi sipas tij, nuk ishte paraqitur asnjë familjar për t’i marrë.
“Në shumicën e qyteteve, banorët janë larguar. Ne kemi vizituar edhe disa spitale. Në spitale kishte me mijëra fëmijë të paidentifikuar. Të paidentifikuar në kuptimin që asnjë prindër, asnjë familjar nuk është paraqitur për t’i marrë ata. Imagjinojeni. Është dramë e madhe”, ka thënë ai.
Përvojën më të rëndë, Kasapi thotë se e përjetoi kur vizitoi qytetin e Pazarcikit.
“Kur shkuam në Pazarcik përjetova një ndër përvojat më dramatike që ndonjëherë më kanë parë sytë. Ishte shkatërruar komplet. Ishte shndërruar në një qytet fantazmë”, ka thënë Kasapi.
Kasapi ka treguar se për 300 kilometra, duke lëvizur nëpër zonat e tërmetit, kanë bërë 11 orë rrugë.
“Ajo që të bënte përshtypje ishte shpresa e popullit turk”, ka thënë ai.
Kasapi tutje ka thënë se përveç policisë e ushtrisë turke, edhe qytetarët janë treguar solidarë duke ndihmuar me çka është e mundur.
“Qytetarët kanë ndihmuar edhe grupet mediatike të huaja”, ka rrëfyer Kasapi.
ka rrëfyer gazetari i A2/CNN, në qytetet e prekura nga tërmeti nuk kishte asnjë shërbim, qoftë taksi apo hotele. Ka thënë se u desh të flinin nëpër automjete.
Tërmetet që goditën Turqinë dhe Sirinë të hënën e kaluar kanë lënë më shumë se 37 mijë të vdekur deri tash.