Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, deklaroi se kryeministrin Albin Kurti e ka kundërshtar politik, por që Kosovën e do të jetë prosperuese, pavarësisht pozicioneve politike.
Në një takim me mërgatën në Zvicër, Krasniqi deklaroi se në Kosovë është krijuar gjendje e rënduar për shkak të Qeverisë Kurti, që ai e quajti të paaftë.
“Unë jam kundërshtar politik i Albin Kurtit, por Kosovën e kemi të përbashkët, dhe unë e dua një Kosovë të mirë e prosperuese, pavarësisht pozicioneve politike që kemi sot a nesër. Realiteti i brishtë i periudhës aktuale në Kosovë, që edhe ju e dini dhe po e shihni, nuk lidhet me betejat tona politike ditore, lidhet me gjendjen e rëndë që e ka përfshirë Kosovën, e që fatkeqësisht, është krijuar nga një pushtet totalisht i paaftë për ta ndalë degradimin e mëtutjeshëm”, deklaroi Krasniqi, njoftoi PDK-së.
Sipas Krasniqit, është detyrë e përbashkët për ta ndalur degradimin e Kosovës “dhe ta nisim një rrugë të re, krejt ndryshe prej kësaj aktuales”.
“Sepse në Kosovë, të rinjtë e të rejat kanë potencial, por ju duhet edhe një adresë që i sheh e i nxjerr në dritë. Ata meritojnë t’i kenë Kosovë mundësitë që i kanë fëmijët e juaj këtu dhe kjo është arsyeja pse unë personalisht qëndroj në politikë. Që Kosovën mos ta lëmë të zbrazet, por ta bëjmë të qëndrojë në këmbë të veta, e t’ia mundësojë rinisë një jetë me dinjitet e perspektivë. Për ta bërë këtë gjë, përgjegjësia më e madhe bie mbi ne, mbi Partinë Demokratike të Kosovës, sepse ju e dini se nuk ka punë, as projekt, as zhvillim që është bërë në Kosovë, e që nuk e ka vulën e PDK-së”, theksoi kryetari i partisë opozitare.
Krasniqi theksoi se PDK-në dhe mërgimtarët i ka lidhur kauza për çlirimin e Kosovës.
“Prandaj, në këtë përvjetor të 15-të të Pavarësisë, ju ftoj që të bëhemi bashkë, si bashkëkombës e bashkë partiakë, që të lidhemi edhe më fort dhe që së bashku e të lidhur ngushtë me njëri-tjetrin, të punojmë pa u ndalë për ta rikthyer Kosovën në binarët e sigurt të zhvillimit. Uroj shumë që çdo ditëlindje e shtetit tonë, të jetë edhe ditëlindje e një Kosove më të qeshur, më të hapur, më të drejtë e më të dashur, për juve e për gjithsecilin”, tha Krasniqi.
Ndërsa, për ish-krerët e UÇK-së që po akuzohen për krime lufte në Dhomat e Specializuara, Krasniqi tha se po vazhdojnë betejën për nderin e Kosovës.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.