Plani i BE-së po vlerësohet si minimumi për të cilin kanë mundur të pajtoheshin palët
Foto: AP
Plani i Bashkimit Evropian po konsiderohet minimumi për të cilin kanë mundur të pajtoheshin palët në Bruksel. Përveçse njohja e ndërsjellë nuk duket në horizont, njohës të rrethanave thonë se propozimi është dizajnuar në atë mënyrë që Kosova e Serbia të realizojnë vetëm disa nga interesat e tyre.
“Arritja parimore e dakordimit për propozimin euroamerikan është bazë e mirë për vazhdimin e negociatave dhe dakordimin e metodologjisë së zbatimit të marrëveshjes gjatë javëve në vijim. E dyta, propozimi i dakorduar është denominuesi më i vogël i interesave të palëve. Pra, ai përfaqëson minimumin që palët kanë mundur të dakordoheshin. Pra, jemi larg njohjes përfundimtare të Kosovës nga ana e Serbisë dhe arritjes së marrëveshjes përfundimtare mes palëve. E treta, propozimi është i dizajnuar në atë mënyrë që të gjitha palët të realizojnë disa nga interesat e tyre ndonëse jo të gjitha”, tha Demush Shasha, drejtor ekzekutiv i Institutit “Epik”.
Pas takimit Kurti-Vuçiq, Bashkimi Evropian publikoi tekstin e plotë të propozimit për normalizimin e marrëdhënieve, i cili ka 11 nene.
Me këtë propozim Serbia nuk do të bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare e po ashtu thuhet se “palët nuk kanë të drejtë të inkurajojnë të tjerët të bllokojnë rrugën e njëra-tjetrës drejt BE-së”.
Do të njihen dokumentet përkatëse, diplomat, targat dhe vulat doganore. Po ashtu do të respektohen integriteti territorial dhe sovraniteti.
Në nenin 7 flitet për formalizimin e statusit të Kishës Ortodokse Serbe e po ashtu edhe për sigurimin e “një niveli të përshtatshëm të vetëqeverisjes për serbët".
“Të dyja palët përkushtohen për arritjen e aranzhimeve specifike, në përputhje me instrumentet relevante të Këshillit të Evropës dhe duke përdorur përvojat ekzistuese evropiane për të siguruar një nivel të përshtatshëm të vetëqeverisjes për komunitetin serb në Kosovë dhe mundësinë për provizione të shërbimeve në disa fusha specifike, përfshirë edhe mundësinë e asistencës financiare nga Serbia dhe kanale të komunikimit direkt të komunitetit serb me Qeverinë e Kosovës. Palët do të formalizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe të ofrojnë nivel të lartë të mbrojtjes së trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe, në përputhje me modelet ekzistuese evropiane", thuhet në nen.
Sipas Shashës, me këtë nen Serbia e fiton ngritjen e Asociacionit për të cilin insiston prej vitesh.
“Në këtë drejtim unë nuk shoh një sfidë apo rrezik për Kosovën pasi që Kosovës i janë ofruar garanci të mjaftueshme për zbatimin e nenit 7 në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe praktikat më të mira evropiane. Rrjedhimisht Kosova nuk ka asnjë lloj arsyeje të frikësohet për një lloj kali trojan brenda propozimit të dakorduar euroamerikan”, tha Shasha.
Por, sipas opozitës, propozimi ka dykuptimësi konstruktive.
Vlora Çitaku nga PDK-ja ka thënë se e vetmja gjë eksplicite është se palët janë pajtuar për zbatimin e marrëveshjeve paraprake dhe që dialogu të vazhdojë.
“E vetmja gjë eksplicite në marrëveshjen e mbrëmshme është që palët janë pajtuar për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve paraprake dhe se dialogu do të vazhdojë.
Njohja nuk përmendet, në fakt në preambulë të marrëveshjes thuhet që palët kanë pikëpamje të ndryshme për statusin dhe çështje të tjera fundamentale”, tha Çitaku.
Ndërkaq Avdullah Hoti i LDK-së ka përmendur pikën dy që flet për kapërcimin e trashëgimisë të së kaluarës dhe pikën katër, e cila nuk paragjykon pikëpamjet e palëve rreth statusit të Kosovës.
“Marrëveshja në preambulë përmban:
- Pika 2: “... për të kapërcyer trashëgiminë e së kaluarës”.
- Pika 4: “... pa paragjykuar pikëpamjet e ndryshme të palëve për çështjet themelore, duke përfshirë çështjet e statusit”. Të kapërcehet e kaluara pa u ballafaquar me të?! Pa paragjykuar çështjet e statusit?!” – shkroi Hoti në Facebook.
Në takimin e së hënës palët shfaqën pajtueshmëri rreth propozimit, ndërkaq marrëveshja bashkë me planin e zbatimit synohet të nënshkruhen brenda muajit mars.