Arbëri

Propozimi evropian dhe Plani i zbatimit duhet të nënshkruhen të pandara

 

Kosova dhe Serbia duhet t’i nënshkruajnë si dokumente të pandara Propozimin evropian dhe Planin e zbatimit, ka thënë një zyrtar i Bashkimit Evropian. BE-ja pret që kjo të ndodhë më 18 mars në Ohër, e nëse nuk ndodh, atëherë palët janë të vetëdijshme për pasojat. BE-ja e sheh obligimin për themelimin e Asociacionit si më të vështirin, por ka krijuar një listë prej së paku 16 shembujve evropianë se si mund të duket dhe të jetë i pranueshëm për Kosovën.

Bashkimi evropian pret që në një skenar ideal kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në takimin e radhës të pajtohen edhe për planin e implementimit të marrëveshjes për normalizimin e raporteve.

Takimi i radhës është konfirmuar sot në BE. Ai do të zhvillohet më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Një zyrtar i lartë i Bashkimit Evropian ka thënë sot se plani i implementimit dhe marrëveshja për normalizimin e raporteve janë dy elemente përbërëse të të njëjtit dokument dhe ato s’mund të ndahen.