Këshilli i Ministrave të Bashkimit Evropian do të aprovojë liberalizimin e vizave për Kosovën nën “pikën A”, në diskutimet që do të mbahen të enjten dhe të premten në Bruksel.
Kjo u bë e ditur nga drejtori i Institutit EPIK, Demush Shasha, i cili ka publikuar agjendën e Këshillit të BE-së mbi këto diskutime legjislative më 9 dhe 10 mars.
Sipas tij, kjo nënkupton se konsensusi brenda të gjitha vendeve anëtare është arritur edhe në nivelin politik.
“Lajm i shkëlqyer që nesër Këshilli i Ministrave të BE-së do të aprovon liberalizimin e vizave për Kosovën, nën ‘piken A’ që nënkupton se konsensusi brenda të gjitha vendeve anëtare është arritur edhe në nivelin politik”, ka shkruar ai krahas agjendës së publikuar.
Së fundmi, Bashkimi Evropian e ka shtyrë funksionalizimin e sistemit ETIAS për në vitin 2024, ndonëse ai është paraparë të hyjë në fuqi më 1 nëntor të këtij viti. Megjithatë, në vendimin për vizat për Kosovën, është thënë se nëse sistemi ETIAS, nuk hyn në fuqi deri në nëntor të këtij viti, liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës do të hyjë në fuqi më 1 janar 2024.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.