Rusia po i përdor të gjitha mjetet për ta forcuar kapjen në Ballkan

Në javët e fundit zyrtarët amerikanë dhe përfaqësuesit e NATO-s kanë theksuar nevojën për ta mbrojtur Ballkanin Perëndimor nga ndërhyrjet dhe ndikimet malinje ruse në vazhdën e pushtimit të paprovokuar të Ukrainës nga Rusia, raporton “EU Reporter”.
Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit të SHBA-së ka thënë: “Lufta e Rusisë ka sqaruar se sa urgjente është puna jonë që të asistojmë të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor për të çuar përpara plotësisht reformat demokratike dhe për të arritur aspiratat e tyre për integrim në institucionet evropiane dhe euroatlantike”.
Rusia vazhdimisht e ka shfaqur veten në rajon, që ka rëndësi të madhe gjeostrategjike për Moskën dhe i ofron asaj mundësi për t’i minuar BE-në dhe NATO-n, si dhe për të luftuar zgjerimin e perceptuar brenda Evropës.
Në luftën e saj për ndikimin në Ballkan Perëndimor, Rusia vazhdimisht ka shfrytëzuar burimet e saj të energjisë dhe gazit natyror si mjete gjeopolitike, ndërsa njëkohësisht financon dhe mbështet në mënyrë të paligjshme partitë politike të krahut të djathtë dhe grupet e djathta ekstreme.
Ndikimi malinj rus në shtetet si Mali i Zi dhe Serbia janë dokumentuar mjaft mirë dhe në rastin e Serbisë, është e përshkruar si “kudondodhur”.
Serbia është e mbështetur për një kohë të gjatë dhe gati plotësisht në gazin e lirë rus, ndërsa prodhuesi i saj kryesor i naftës “NIS” është në pronësi të “Gazpromit” dhe “Gazpromneftit” të Rusisë.
Në vitin 2022, Serbia nënshkroi kontratë të re trevjeçare për furnizim me gaz të lirë rus.
Qeveria e Serbisë mund të konsiderohet si aleatja më e ngushtë e Rusisë në Evropë dhe, si shembull, refuzon t’i vendosë sanksione Rusisë në përgjigje ndaj luftës së saj brutale në Ukrainë.
Mali i Zi, në anën tjetër, vuajti nga një tentim grusht shteti i mbështetur nga Rusia në vitin 2016.
Një raport i një komiteti të përzgjedhur të SHBA-së zbuloi se Oleg Deripaska, një oligark i sanksionuar rus i cili ka lidhje të ngushta me Kremlinin, ka investuar dhe zgjeruar ndikimin e tij në Mal të Zi me urdhër të Qeverisë ruse. Ai ka blerë një shumicë të aksioneve në infrastrukturën kritike nacionale në Mal të Zi, të cilën e përdori për ta rritur fuqinë e tij politike.
Deri në vitin 2016, Deripaska po financonte dhe ekzekutonte një fushatë agresive të drejtuar nga Rusia për ta rrëzuar Qeverinë e Malit të Zi dhe për ta vrarë kryeministrin në një grusht shtet të dhunshëm me përkrahjen e Frontit Demokratik (DF), një parti opozitare malaziase.
Vendet e tjera në Ballkanin Perëndimor, si Shqipëria e Maqedonia e Veriut, kanë qenë historikisht më pak të ndjeshme ndaj ndërhyrjeve ruse, kryesisht për shkak se nuk janë të varura nga energjia ruse dhe mungesës së lidhjeve kulturore.
Mirëpo, gjatë dekadës së fundit Rusia vazhdimisht ka tentuar ta shtrijë ndikimin malinj në këto shtete përmes metodave të ndryshme, përfshirë financimin e partive opozitare me ndjenja proruse dhe tentimin për të paguar ose rekrutuar anëtarë të aparatit të sigurisë dhe politikës.
Në të vërtetë, siç zbulohet nga një vlerësim i deklasifikuar i Inteligjencës amerikane i vitit 2022, Rusia shpenzoi 500 mijë dollarë për financimin e Partisë Demokratike (PD) të Shqipërisë në zgjedhjet e vitit 2017, që është parti politike opozitare e qendrës së djathtë.
Rusia, po ashtu, pretendohet se përkrahu grupet e djathta ekstreme, të cilat kanë propaganduar më pas se kryeministri aktual Edi Rama dhe partia e tij politike (PS) janë të kontrolluara nga George Sorosi.
Dëshmitë e mëtejshme të zbuluara tregojnë se Monika Kryemadhi, bashkëshortja e ish-presidentit Ilir Meta, që qeverisi në koalicion me PD-në, ka marrë një sërë pagesash në vitin 2017 nga kompanitë e kontrolluara përfundimisht nga biznesmenë rusë të naftës me lidhje të ngushta me Kremlinin. Pagesat merreshin nga kompani “offshore”.
Kryemadhi bëri një pagesë për një kompani “offshore”, “Vradus Holdings”, që u zbulua se kontrollohej përfundimisht nga Vitaly Savvin, një tregtar rus i naftës, kompania e të cilit, sipas “Forbesit”, ka qenë një prej donatoreve më të mëdha të partisë politike të Vladimir Putinit.
Kryemadhi, po ashtu, ka marrë pagesa nga kompania offshore “Holdem Holdings”, që kontrollohet nga oligarkët rusë të naftës Aleaxander Smuzikov dhe Alexander Kaplan.
Smuzikov dhe Kaplan bënë pasurinë e tyre në botën e turbullt të naftës ruse, në një kompani të kontrolluar nga oligarkët rusë, të cilët që nga atëherë janë sanksionuar për shkak të lidhjeve të tyre me Kremlinin.
Është e paqartë se pse Kryemadhi i mori ato pagesa nga këta biznesmenë rusë. Siç përshkruhet në dokumentet e pagesave, referencat përfshijnë “dividentë për aksionarët” dhe “shërbimet e marketingut”.
Bashkëshorti i Kryemadhit, Meta, aktualisht është kryetar i Partisë së Lirisë së Shqipërisë, një nga partitë më të mëdha opozitare në Shqipëri, e lidhur ngushtë me PD-në e mbështetur nga Rusia.
Kjo nuk është hera e parë që Smuzikov dhe Kaplan janë zbuluar duke u përfshirë në Ballkanin Perëndimor. Në vitin 206, Reuters raportoi se Smuzikov dhe Kaplan janë zbuluar si palë kontrolluese prapa kompanisë nga Britania e Madhe që synonte të merrte në pronësi “Makpetrolin”, distributorin kryesor të produkteve të naftës në Maqedoni të Veriut. Oferta e tyre u bllokua përfundimisht nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut.
Mirëpo, një vit më vonë, në vitin 2017, shërbimi i brendshëm i Inteligjencës së Maqedonisë së Veriut zbuloi se shteti i ishte nënshtruar “një propagande të fortë armiqësore dhe aktiviteteve të Inteligjencës të zbatuara përmes Ambasadës ruse”. Sipas raporteve të Inteligjencës vendore, agjentët rusë kishin tentuar të rekrutonin ish-anëtarë dhe anëtarë aktualë të Ushtrisë së Maqedonisë së Veriut dhe të Ministrisë së Drejtësisë për të krijuar një “masë të madhe të personave të trajnuar ushtarakisht” që “në një moment apo situatë të caktuar politike do të përdoreshin për t’i përmbushur interesat ruse”.
Agjentët rusë ishin përpjekur të ndikonin dhe të ofronin fonde për mediat maqedonase, duke përfshirë edhe ato që synonin shqiptarët atje, në mënyrë që të përhapnin “informata dhe dezinformata” në përkrahje të qëllimeve të politikave proruse.
Në dritën e këtyre taktikave gjithnjë e më agresive dhe ekspansioniste të Rusisë, është esenciale që BE-ja dhe NATO-ja t’i rrisin veprimet diplomatike për të siguruar stabilitet dhe integritet sovran në Ballkanin Perëndimor, që Shqipëria të mos bëhet Mali i Zi i ardhshëm, apo Mali i Zi të mos bëhet Ukraina e ardhshme.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Sinani akuzon Arifin për nënshtrim ndaj Serbisë, ky e quan gënjeshtare - shkak flamuri serb

Poshtë Ibrit, vetëm në Graçanicë respektohet thirrja e Listës Serbe për ditë zie

Dialogu konsiderohet i pakuptimtë, përderisa nuk zbardhet rasti i sulmit në veri
