Arbëri

Tri ditët e tmerrit në Krushë të Madhe dhe Celinë

Foto: Alban Bujari / Koha / Arkiv
 

Banorët e fshatrave Krushë të Madhe e Celinë, edhe në përvjetorin e 24-t të masakrave të kryera ndaj civilëve shqiptarë nga forcat e rregullta dhe ato paramilitare serbe, i kanë të freskëta datat 25, 26 e 27 mars të vitit 1999. Ata shprehen të dëshpëruar që për më shumë se dy dekada mungon drejtësia për qindra civilë të ekzekutuar, përfshirë edhe fëmijë

Mëngjesi i 26 marsit i vitit 1999 ishte hera e fundit kur Nexhmije Hoti pa djalin e saj, Kreshnikun, para se trupi i tij të goditej nga një granatë e hedhur nga forcat serbe në fshatin Krushë të Madhe të Rahovecit.

Përjetimet për tri ditët e tmerrit, më 25, 26 dhe 27 mars, kur përveç djalit, humbi edhe bashkëshortin, ajo i mban ende të freskëta. Nexhmija në rrëfimin e saj plot dhimbje ka treguar se për t’iu shmangur vrasjeve ia kanë mësyrë malit, ndërkohë që forcat paramilitare serbe kishin rrethuan fshatin. Por hedhja e një granate thotë se ia ka ndryshuar jetën përgjithmonë.