Kosova, nga vendet me më së paku përdorues të kanabisit në Evropë

Kanabisi, ose marihuana, është një drogë psikoaktive nga bima e kanabisit që përdoret më së shumti për rekreacion ose si drogë medicinale. Në shumicën e vendeve, përdorimi i kanabisit është ende i paligjshëm. Vitet e fundit, më shumë vende kanë filluar dekriminalizimin apo edhe legalizimin e përdorimit të kanabisit.
Kosova është nga vendet me më së paku përdorues aktivë të kanabisit në Evropë, pas Maltës dhe Turqisë. Sipas një harte të përpiluar nga uebfaqja që merret me statistika “Landgeist”, vetëm 1.3 për qind e kosovarëve nga 15 deri në 64 vjeç kanë konsumuar kanabisin në 12 muajt e fundit. Shifrat janë konfirmuar për KOHËN edhe nga qendra “Labyrinth” që vepron në Prishtinë. Sipas tyre, janë rreth 25 mijë përdorues aktivë të kanabisit, që është e njëjtë me përqindjen e “Landgeist”. Në total nga të gjitha drogat, sipas “Labyrinth”, janë rreth 35 mijë përdorues aktivë në Kosovë – prej tyre 10 mijë janë përdorues problematik ose të varur.
Në Evropë, ka vetëm një vend ku kanabisi është i ligjshëm. Malta. Megjithëse përdorimi dhe shitja e kanabisit është toleruar në kushte të caktuara në Holandë për dekada, ai ende nuk është legalizuar. Në shumicën e vendeve evropiane, kanabisi është ende i paligjshëm. Në disa vende përdorimi dhe mbajtja e sasive të vogla të kanabisit për përdorim personal, është dekriminalizuar. Në shumicën e këtyre vendeve, rritja e kanabisit ose konsumi në publik është ende i paligjshëm.
