3 perditesime
20:54

Krasniqi: Neni 7 i marrëveshjes me Serbinë do ta ndryshojë Kosovën

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, e ka cilësuar si problem të madh nenin 7 të aneksit të planit evropian, duke thënë se ky nen do ta ndryshojë Kosovën.

Të enjten në “Konfront” të KTV-së, Krasniqi ka thënë se një tjetër problem përveç këtij neni është preambula e këtij plani për ta pranuar se Serbia nuk ka nevojë ta njohë pavarësinë e Kosovës.

“Një prej problemeve më të mëdha është neni 7 sepse do ta ndryshojë Kosovën. Preambula për ta pranuar se Serbia nuk ka nevojë të na njohë, për mua nuk është vetëm banale e absurde, është papërgjegjësi ajo që ka pranuar”, ka thënë ai.

Sipas Krasniqit, Kosova ka kaluar nga qëllimi për ta arritur njohjen reciproke në pajtim për mosnjohje.

“Kemi kaluar nga qëllimi për ta arritur njohjen e ndërsjellë në pajtim për mosnjohjen e ndërsjellë dhe ky është një problem që do të na përcjellë gjatë. Sepse ky do të bëhet pjesë e obligimeve të Serbisë në procesin integrues, sikurse do të na bëhet edhe neve”, ka thënë ai.

Duke e cilësuar si jo të mirë marrëveshjen e arritur nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq më 18 mars në Ohër, Krasniqi ka thënë se është papërgjegjësi politike.

“Me këtë marrëveshje që na ka sjellë sot në tavolinë kryeministri i Kosovës është thjeshtë t’ua lëmë atyre pas 15 vjetëve ndoshta e kryejnë këtë punë. Ky është një dëm i madh, është një papërgjegjësi politike në radhë të parë që t’i iket kësaj përgjegjësie, mirëpo e di që sot ka njerëz që e kanë vështirë ta kuptojnë”, është shprehur ai.

Lideri i partisë më të madhe të opozitës ka thënë se njohja e ndërsjellë me Serbinë do ta bënte Kosovën automatikisht shtet anëtar të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

“Gjithmonë pritja ka qenë që arritja e marrëveshjes finale gjithëpërfshirëse do të jetë preludi i njohjes së pesë shteteve dhe i anëtarësimit të Kosovës në OKB. Njohja e ndërsjellë me Serbinë automatikisht e bën Kosovën shtet anëtar të OKB-së dhe anëtarësimi në OKB e përmbushë konsolidimin ndërkombëtar të Kosovës. Kjo është çështje e praktikave ndërkombëtare”, ka thënë ai.


“Duket se me Kurtin, Serbia do ta arrijë pengimin e funksionalitetit të Kosovës”

Lideri opozitar, Memli Krasniqi, ka thënë se Serbia po kërkon autonomi në Kosovë për ta penguar funksionalitetin e Kosovës.

I ftuar në “Konfront” të KTV-së të enjten, Krasniqi ka thënë se duket që me kryeministrin Albin Kurti në udhëheqje kjo kërkesë që nuk është arritur në të kaluarën, do të arrihet.

“Ajo që po ndodh është një lloj demarkacioni i ri. Serbia kërkon autonomi në Kosovë dhe nivel të ndërmjetëm të pushtetit për ta penguar funksionimin e Kosovës si shtet e me Albin Kurtin fatkeqësisht po duket se do ta arrijë sepse në të kaluarën nuk e ka arritur”, ka thënë ai.

Sipas Krasniqit, ndonëse nga disa individë në pushtet po thuhet se nuk mund të ketë autonomi territoriale, do të ketë autonomi politike.

“Prej kryeministrit e tutje thonë se nuk do të ketë autonomi territoriale, ne e dimë që nuk mund të ketë autonomi territoriale sepse nuk mund të lidhet Shtërpca me Leposaviq e as Kllokoti me Zubin Potok. Problemi është që do të ketë autonomi politike”, ka thënë ai.

Sa i përket statusit të Kishës Ortodokse Serbe, ai ka thënë se si opozitar ka thënë se duhet të zbatohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

“Prej pozicionit të opozitës kam dalë publikisht dhe kam thënë se duhet të zbatohet ky vendim. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë obligative, as neve nuk na kanë pëlqyer të gjitha. Kur është obligative për Asociacion, është edhe për Kishën Ortodokse Serbe. Ky vendim nuk është zbatuar as në Qeverisjen Haradinaj”, ka thënë ai.

20:36

Krasniqi: Kosova s’ka fituar as njohje de facto nga Serbia

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se Kosova s’ka fituar asnjë njohje de facto nga Serbia me marrëveshjen e Ohrit, siç ka deklaruar kryeministri Albin Kurti.

Ai ka thënë të enjten në Konfrontin e KTV-së se me këtë marrëveshje, Serbia ka fituar autonomi potenciale politike dhe mundësi më të mira.

“Njohje de facto do të ishte sikur të ishte obliguar Serbia të mos e njihte formalisht Kosovën, por të ndërronte preambulën e Kushtetutës së saj. Sikur të dakordohej për ndërrim të Kushtetutës dhe ta hiqte Kosovën dhe sikur të mos dorëzonte një notë verbale për njohjen formale, ne padyshim do të pajtoheshim që do të ishte njohje de facto. Por, njohje de facto s'ka. Ka autonomi për serbët dhe ekstraterritorialitet për kishën ortodokse serbe”, ka deklaruar Krasniqi.

Ai ka thënë se kryeministri Albin Kurti dikur thoshte se s’do të pranonte asnjë Asociacion njëetnik, ndërsa në Nenin 7 të Marrëveshjes së Ohrit, për Krasniqin, është decidive.

“Në Nenin 7 nuk shkruan fjala ‘shqip’ e as ‘shqiptar’, është vetëm ‘serb’. Kjo është një marrëveshje që e ka vetëm një qëllim, krijimin e një niveli vetëqeverisës. Këta i thonë menaxhues, por unë kam frikë autonom”, ka shtuar ai.

20:27

Krasniqi: Me Marrëveshjen e Ohrit flitet për autonomi politike për serbët

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se me Marrëveshjen e Ohrit, nuk bëhet më fjalë për Asociacion të komunave me shumicë serbe, por për autonomi politike. Sipas Krasniqit, Marrëveshja s’i plotëson as kërkesat e as pritjet e Kosovës, ndërsa ka thënë se për këtë qasje në dialog fajtor dhe përgjegjës është kryeministri Albin Kurti.

“Presioni ndërkombëtar është rritur me qasjen ‘merre ose lëre’. Kjo është marrëveshje e pamjaftueshme për Kosovën, marrëveshje që s'i plotëson as për afërti as pritjet e as kërkesat e Kosovës. ‘Lëre’ është shumë keq, por do e mirëkuptoja po të thoshte Kurti ‘më falni kam gabuar rrugës’. Nuk mund të sillesh me aq shpërfillje, me atë mungesë të koordinimit në raport me njerëzit që të kanë mbështetur dhe të thuash tash e kemi ndërruar situatën. Ne s'po flasim për Asociacion fare, po flasim për Autonomi politike potencialisht për komunitetin serb”, ka deklaruar deputeti i partisë opozitare.

Krasniqi ka theksuar se Kurti s’po arrin as ta sqarojë çka është vetëmenaxhimi, e kur po tenton “po bëhet qesharak”.

Ai ka thënë se suksesi i vetëm i kësaj qeverie në raport me Serbinë është se kanë arritur ta ndërrojnë termin nga “vetëqeverisje” në “vetëmenaxhim”.

20:21

Krasniqi: Ndërkombëtarët humbën ambicien për Kosovën për shkak të Kurtit

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka deklaruar se partnerët ndërkombëtarë e kanë humbur ambicien që ta ndihmojnë Kosovën në arritjen e një marrëveshjeje finale me Serbinë.

Ai ka thënë në emisionin “Konfront” në KTV të enjten se kjo ka ndodhur për shkak të qasjes së kryeministrit Albin Kurti. Sipas Krasniqit, momentumi për arritjen e marrëveshjes finale me Serbinë është humbur, e nga kjo siç ka thënë ai, Kosova ka humbur shumë.

Krasniqi ka thënë se gjithçka nisi nga agresioni rus në Ukrainë.

“E kemi mbështetur Qeverinë në raport me Serbinë, duke i dhënë hapësirën e plotë të veprimit pa pengesa. Duke mos e ftuar as Kuvendin e Kosovës për të raportuar, për t'i ikur çfarëdolloj tensionimi të situatës në mënyrë që ta inkurajojmë sa më shumë që ai të angazhohet në proces dhe të shfrytëzojë mbështetjen e madhe që ekzistonte të bashkësisë ndërkombëtare... Gjatë kësaj periudhe Kurti ka qenë përtej arrogant, ka qenë edhe irracional. Ka qenë komplet i papërgatitur e i papërvojë po mbi të gjitha edhe shpërfillës. Jo vetëm ndaj nesh, por edhe ndaj partnerëve ndërkombëtarë, ndaj ndërmjetësve, në mënyrë të veçantë në periudha të caktuara edhe ndaj SHBA-së, BE-së, që ka ndikuar në qasjen e përgjithshme sa i përket dialogut”, ka thënë ai.

Sipas Krasniqit, Kurti u krijoi pasiguri vendeve aleate përgjatë një viti, e kjo për Krasniqin, është argument për ndërrimin e qëndrimeve të vendeve mike për Kosovën.

“Kjo mungesë e sigurisë që ai ua shkaktoi të gjithëve krizat thuajse se janë në unison ai dhe presidenti Vuçiq. Kur krijoi një krizë në korrik e pastaj vazhdoi në shtator, e një eskalim në nëntor. Besoj se e ka ndryshuar qasjen edhe të partnerëve ndërkombëtarë”, u shpreh Krasniqi.