Drejtori i Institutit EPIK, Demush Shasha, tha se me humbjen e Milo Gjukanoviq në zgjedhjet parlamentare në Mali të Zi, ka kolapsuar shtylla më e parashikueshme dhe më e qëndrueshme e stabilitetit në rajon.
Pasi rezultatet preliminare e shpallën fitues të zgjedhjeve kandidatin për kryetar të Lëvizjes Evropa Tani, Jakov Milatoviq, Shasha tha se Gjukanoviq i ka ruajtur dhe promovuar për 30 vjet me xhelozi marrëdhëniet ndëretnike mes popujve të Ballkanit. Ndërsa tash, sipas Shashës, Mali i Zi është bërë me president që e sheh me simpati Serbinë, e për Kosovën “është kohë ogurzeze”.
“Sonte Mali i Zi u bë me President i cili sheh me simpati Beogradin. Deri sa lexoni këta rreshta Presidenti Vuçiq në Verona të Italisë pinë verë me Kryeministrinë e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Dodiku nga Republika Srpska sonte theu çdo rekord dhe u bë politikan i parë i cili uroi presidentin e ri të Malit të Zi. Thënë ndryshe sot Serbia ka arritur diçka që nuk kishte arritur asnjëherë më parë në historinë e saj moderne – të këtë aleat të afërt në të gjitha shtetet e Ballkanit Perendimor, përveç Kosovës. Është kohë ogurzezë para nesh”, shkroi ai.
Shasha i EPIK-ut tha se kundër presidentit aktual malazias ishin Beogradi e Moska, por arriti t’i fitonte 40 për qind të votave.
“Edhe pse tani partia e tij ka humbur institucionin e rëndësishëm të Presidentit, në verë do të mbahen zgjedhjet e përgjithshme. Ky do të jetë shansi i fundit për të shpëtuar Malin e Zi, por edhe për të zmbrapsur dominimin e Serbisë në rajon. Shpresoj se këtë mendim do e ndaj edhe faktori shqiptar jo vetëm në Mal të Zi, por edhe Prishtinë, Tiranë dhe Shkup. Forcat demokratike në Mal të Zi do të kanë nevojë për çdo ndihmë të mundshme. Mali i Zi iu ka gjet popullit shqiptar në kohërat më të këqija. Është radha jonë të kthejmë favorin”, shtoi ai.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.