Arbëri

ZPS-ja i akuzon për vrasjen e kundërshtarëve politikë, ish-drejtuesit e UÇK-së deklarohen të pafajshëm

Foto: AP
 

Të hënën ka nisur shqyrtimi kryesor pranë Dhomave të Specializuara në Hagë, në procesin gjyqësor në të cilin ish-drejtuesit e UÇK-së: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Në fjalët hyrëse të Zyrës së Prokurorit të Specializuar është thënë se viktimat ishin të komuniteteve të ndryshme, porse shumica shqiptarë që konsideroheshin tradhtarë e kundërshtarë politikë. Të katër të akuzuarit , që për dy vjet e gjysmë mbahen në paraburgim, u deklaruan të pafajshëm

Ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë deklaruar të pafajshëm, të hënën, në seancën e parë të shqyrtimit kryesor të rastit, ku nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë ata akuzohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi - në luftë anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, e pas saj ushtrues të disa funksioneve shtetërore - para trupit gjykues i kanë konfirmuan deklaratat e dhëna më herët kur kanë thënë se nuk janë përgjegjës për asnjë nga pikat e aktakuzës.