Administratorët e gjykatave fitojnë të drejtën për kontrata të përhershme
Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil ka konstatuar shkelje në të drejtat e marrëdhënies së punës nga ana e Këshillit Gjyqësor të Kosovës ndaj dy administratorëve. Krerët e administratave të gjykatave në Gjakovë dhe Mitrovicë janë ankuar lidhur me kontratat afatshkurtra që ua dha KGJK-ja. Me vendimet e saj, KPMSHC-ja i ka kthyer në fuqi kontratat e përhershme për ta dhe i ka shfuqizuar vendimet për t’iu dhënë atyre kontratat për periudhë 5-vjeçare
Administratorët e gjykatave themelore të Gjakovës e Mitrovicës kanë fituar kontestet ligjore në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës të Shërbyesve Civil.
Ata janë ankuar ndaj vendimeve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), që atyre u ka dhënë kontrata afatshkurtra pesëvjeçare, derisa kishin akt-emërime të përhershme si shërbyesit e tjerë civilë.
KGJK-ja vendosi t’ua jepte kontratat afatshkurtra, pasi në maj të vitit të kaluar aprovoi një rregullore për administratorët.
Por në vendimet për ankesat e Rudin Elezit e Lumnije Surdullit është konstatuar shkelje edhe e aktgjykimit të Kushtetueses për Ligjin e Shërbyesve Civilë dhe të pjesëve të këtij ligji që i ka lënë në fuqi aktgjykimi.
“Kolegji i Këshillit në kuptim të përcaktimit të statusit të marrëdhënies së stafit administrativ në sistemin gjyqësor dhe aplikimit të ligjit material, analizoi Aktgjykimin në rastin KO203/19 të Gjykatës Kushtetuese, me të cilin është konstatuar se neni 2 paragrafi 3 (fusha e zbatimit) dhe neni 85 i Ligjit Nr.06/114 për Zyrtarët Publikë nuk janë në pajtueshmëri me nenin 108 (Këshilli Gjyqësor i Kosovës) të Kushtetutës, dhe si rrjedhojë duke iu referuar konstatimeve të dhëna në aktgjykim, Kolegji i Këshillit erdhi në përfundim se në kuptim të fushës së zbatimit, gjegjësisht përkufizimit të shërbimit civil në sistemin gjyqësor ka mbetur në fuqi Ligji Nr.03/L0149 për Shërbimin Civil i Republikës së Kosovës”, thuhet në vendimin e KPMSHC-së për ankesën e Lumnije Surdullit.
Ligji për Shërbyesit Civil i vitit 2010, siç ka konstatuar KPMSHC-ja e jo Rregulloja e KGJK-së, janë të zbatueshëm kur bëhet fjalë për statusin e punësimit të administratës së gjyqësorit.
Në vendimet e KPMSHC-së thuhet se Rregullorja s’mund t’i mbivendoset ligjit, meqë është më poshtë për nga hierarkia e legjislacionit.
“Kolegji i Këshillit nga analizimi i këtyre dispozitave ligjore konstaton se administratorët e gjykatave kanë statusin e nëpunësit civil të karrierës dhe për pasojë marrëdhënia e tyre e punës duhet të bëhet në pajtim me dispozitat e Ligjit për Shërbimin Civil. Rrjedhimisht, për aq kohë sa këto dispozita ligjore janë në fuqi, Kolegji i Këshillit, në dritën e parimit të supremacisë juridike të ligjit, vlerëson se me akt nënligjor, përjashtimisht përcaktimit të detyrave dhe përgjegjësive, nuk mund të përcaktohet ndryshe statusi, akti i themelimit të marrëdhënies së punës, procedura e përzgjedhjes dhe shkarkimi i administratorëve të gjykatave”, thuhet tutje në vendim.
Më 31 maj të vitit të kaluar, anëtarët e KGJK-së kanë votuar Rregulloren për administratorët me shumicë votash.
Vetëm anëtarët e rajonit të Mitrovicës, Avni Mehmeti e tashmë ish-anëtari Nikola Kabashiq e vënë në pikëpyetje atë.
“Nuk mundet me akt nënligjor të ndryshohet statusi i administratorit, nuk mundemi me një akt nënligjor aktemërimin e përhershëm të administratorit që ja garanton ligji dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese të kufizohet me këtë rregullore”, ka thënë Avni Mehmeti, anëtar i KGJK-së.
Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor, Albert Zogaj, ka thënë për KOHËN se në mbledhjen e parafundit kanë vendosur që Rregullorja të dërgohet në plotësim-ndryshim dhe se vendimet e KPMSHC-së të zbatohen pa asnjë diskutim.
Për Rregulloren e ndryshuar ka thënë se i është kthyer komisionit normativ për të përgatitur ndryshimet për mbledhjen e ardhshme.
Për rregullimin e mëtejshëm ligjor të administratës së gjyqësorit, sipas Zogajt, është nënshkruar një letër zotimi me Ministrinë e Drejtësisë për ta bërë një ligj të veçantë për administratën gjyqësore.