1 perditesime
13:06

Avokatja: Jakup Krasniqi nuk po ndihet mirë

Ish-zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Jakup Krasniqi, i cili po gjykohet në Hagë, nuk është ndier mirë gjatë seancës në të cilën po intervistohet dëshmitarja e parë e Zyrës së Prokurorit të Specializuar(ZPS).

Kështu ka thënë avokatja e tij, Venkateswari Alagendra, e cila e ka paralajmëruar turpin gjykues se mund të ketë nevojë që ai të largohet nga salla.

“Zotëri Krasniqi nuk ndihet shumë mirë për momentin, mendoj se mund të qëndrojë edhe pak por do të na thotë nëse ka nevojë të largohet dhe nëse na lejohet që të largohet. Po ashtu mund të shfrytëzoj këtë mundësi për të thënë që më herët thash që më duheshin dy orë me dëshmitarin por mendoj që do të më nevojiten më pak se një orë”, ka thënë avokatja e Krasniqit.

Në gjykatore po intervistohet dëshmitarja e parë e ZPS-së dhe seanca po zhvillohet e mbyllur për publikun. Kjo është dita e tretë e dëshmisë së saj në seancë private.

Ndërsa në fillim të seancës, avokati i Rexhep Selimit, Geoffrey Roberts ka kërkuar që të regjistrohet si provë një kallëzim penal i cili sipas tij është diskutuar në seancën e djeshme.

Këtë nuk e ka kundërshtuar prokuroria dhe trupi gjykues e ka pranuar si provë.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi po marrin pjesë fizikisht në sallë ku po zhvillohet procesi gjyqësor ndaj tyre.

Pas më shumë se dy vjet në paraburgim, gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka filluar më 3 prill me deklaratat hyrëse të palëve.

Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

Ata po gjykohen për krime të pretenduara të luftës dhe po mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020./KSP

10:10

Dëshmitarja e parë në rastin Thaçi dhe të tjerët vazhdon të pyetet në seancë të mbyllur

Të enjten në Gjykatën Speciale në Hagë ka filluar sërish dëshmia e dëshmitares së parë në rastin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Sikurse dy ditë më parë edhe të enjten, dëshmitarja e Prokurorisë po dëshmon në seancë të mbyllur për publikun.

Nga Prokuroria Speciale dhe Gjykata kanë thënë për KOHËN një ditë më parë se seancat e mërkurës dhe të enjtes do të mbahen të mbyllura në shumicën e kohës.

Seancat në Speciale janë përcjellë në vazhdimësi me ndërprerje të transmetimeve sa herë që është vlerësuar se ekziston rreziku për identifikimin e dëshmitarëve. Për këtë shkak është zbatuar vonesa prej 45 minutash në transmetim të tyre. Seanca e së mërkurës nis në orën 09:00.

Ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, dhe ish-shefi i Grupit Parlamentar të LVV-së, Rexhep Selimi, akuzohen nga Prokuroria Speciale për ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me vrasje, tortura e trajtim mizor në rreth 40 qendra ndalimi gjatë periudhës së viteve 1998-1999.

Në aktakuzën e konfirmuar në shkurt të 2023-tës, ata ngarkohen se morën pjesë drejtpërsëdrejti në frikësim, marrje në pyetje dhe keqtrajtim të të ndaluarve nëpër qendra ndalimi në Kosovë e Shqipëri.

Aktakuza përfshin mbi 400 viktima të mbajtjes në qendrat e ndalimit, mbi 100 vrasje dhe 20 të zhdukur me dhunë.

Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi i mohuan akuzat në fillim të procesit gjyqësor, përderisa mbrojtja, në shpalosjen e fjalës hyrëse, pretendoi se UÇK-ja nuk pati organizim hierarkik të tillë që parashihte që anëtarët e Shtabit t’i kontrollonin zonat operative e komandat lokale.