I shkarkuari akuzon Qeverinë Kurti se po tenton ta kapë “Trainkosin”
Ish-kryesuesi i Bordit të “Trainkosit”, Nol Dedaj, ka akuzuar Qeverinë Kurti se po synon ta kapë këtë ndërmarrje me emërimet politike, ndërsa është shprehur i shokuar me fjalët që thotë se ia ka thënë ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, në një takim me ta.
Me justifikimin e shkeljes së detyrave dhe mospërmbushjes së përgjegjësive të parapara me kod të etikës dhe të qeverisjes së korporatave, kabineti qeveritar e shkarkoi të mërkurën kryesuesin e Bordit të “Trainkosit”, Nol Dedaj. Tek e arsyetoi vendimin, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se Bordi i drejtorëve është vonuar në kërkimin e përgjegjësive nga menaxhmenti për rënien e performancës.
Por Dedaj ka thënë se u shkarkua për shkak se nuk iu bind urdhrit të ministres Rizvanolli, e cila sipas tij, kërkoi që të shkarkohej kryeshefi ekzekutiv Gelor Shala. Dedaj ka thënë se nuk e nënshkroi urdhrin dhe paralajmëroi Rizvanollin se do të paguanin 52 mijë euro në rast se e shkarkonin, por ai thotë se ministrja nuk donte ta dinte.
“Deri te shkarkimi ka ardhur për shkak të mosfunksionimit të Ministrisë, moszhvillimit të politikave të tyre dhe mosdëgjimi për ta shkarkuar kryeshefin, që u shkarkua drejtpërdrejt nga ministrja. Në takimin e parë me ministren, ajo menjëherë na u drejtua me fjalët ‘që duhet me shkarku’. Do të thotë në takimin e parë kur prisnim të flisnim për gjendjen ekonomike katastrofale të ndërmarrjes, ajo kërkonte shkarkim. I kam thënë se pasojat nëse e shkarkojmë Shalën janë 52 mijë euro pasi ka kontratë deri më 2025-n dhe Inspektorati i Punës na dënon. Ministrja tha ‘më mirë me pagu se me e pa aty’. Jam shokuar kur ministrja më ka thënë se ‘Inspektorati ende nuk është në kornizat e Qeverisë, dhe funksionon me njerëz të qeverive të kaluara’. E kanë zgjedh Bordin e vet për me i qitë epshet e veta politike”, ka thënë ai në “60 Minuta” të KTV-së.
Tutje, ai ka thënë se gjendja e “Trainkosit” është shumë pranë kolapsit. Ka paralajmëruar se nëse nuk do të ketë riparim të vagonëve, nga tetori do të ndalohet edhe transporti i udhëtarëve me tren.
“Nëse nuk kryhet riparimi ose kontrolli teknik i vagonëve në tetor, s’ka më transport të udhëtarëve. S’ka kushte për punë. ‘Trainkos’ është para kolapsit, në gjendje kaotike. Transporti i udhëtarëve s’ka arsyeshmëri ekonomike nëse nuk subvencionohet”, ka thënë Dedaj.
Dedaj u shpreh se ministrja Rizvanolli ka qenë e njoftuar për këtë gjendje tash e dy vjet. Madje, tregoi se kanë shitur vagonët për të paguar rrogat e punëtorëve.
Ai është shprehur i dëshpëruar me Qeverinë dhe kryeministrin Albin Kurti, që i konsideron të njëjtë me qeveritë e kaluara për emërimet politike nëpër borde të ndërmarrjeve. Kurtin e ka quajtur mashtrues.
“Unë nuk jam aktivist i asnjë partie politike. Në krye të Bordit tash ka ardhur Riza Spanca, i cili është tërësisht politik pasi i ka plotësuar dëshirën ministres për shkarkimin e kryeshefit. Kam konkurruar me idenë që vendit i duhen idenë profesioniste inxhinierike dhe për me ec përpara. Nuk kam menduar që edhe kjo qeveri, sikur ato tjerat, kanë shkuar me emërime politike. Po e shoh prej takimit të djeshëm të Albin Kurtit edhe një mashtrim jashtëzakonisht të madh për opinion nëse më ka shkarkuar mua si inxhinier, si profesor i transportit. Dhe është mashtrues i opinionit në rast se shkarkon profesionistët”, ka thënë ai.