5 perditesime
15:26

Masakra e Çikatovës, krerët e shtetit: Të vendoset drejtësia

Krerët e shtetit i kanë bërë thirrje të hënën Prokurorisë së Shtetit që të punojë për vendosjen e drejtësisë për krimet e kryera në Kosovë. Në 24-vjetorin e masakrës në Çikatovë të Vjetër, ata kanë kujtuar viktimat, duke thënë se kjo është dëshmi e gjenocidit të shtetit serb.

Presidentja Vjosa Osmani ka deklaruar se masakra në Çikatovë të Vjetër është dëshmi e llahtarshme e gjenocidit që Serbia ka kryer mbi popullatën e pafajshme.

"Edhe kjo masakër tregon që egërsia e pushtetit serb ka qenë ndaj të gjithëve, nuk është kursyer askush. As pleqtë, as fëmijët dhe janë pushkatuar në raste të caktuara dhe janë djegur pa asnjë mëshirë dhe ajo çfarë kërkojmë edhe sot në këtë përvjetor është drejtësia për të gjitha viktimat", është shprehur Osmani pas homazheve në Kompleksin Memorial në Çikatovë të Vjetër.

Kryeministri Albin Kurti ka theksuar se para 24 vjetëve janë vrarë 23 civilë të paarmatosur nga regjimi fashist i Millosheviqit.

"Jo vetëm që u vranë shqiptarët që jetonin në tokën e tyre dhe dëshironin veçse liri dhe paqe. Por, gjithashtu edhe kufomat e tyre u rrëmbyen dhe i dërguan në varreza masive, në pesë varreza masive, mbi 950 shqiptarë. Njëra prej atyre varrezave është edhe varreza në Rudnicë të Rashkës, ku në fakt janë eksohumuar edhe të vrarët e Çikatovës se Vjetër. Pra, ata që u vranë këtu u zbuluan si kufoma në Rudnicë të Rashkës, atje ku krerët shtetërorë të Serbisë i mbajnë mbledhjet me përfaqësues politikë të Listës Serbe, me eksponentë të krimit të organizuar dhe me drejtues të strukturave paralele në Kosovë", ka deklaruar Kurti.

Ai është shprehur se katër vjet më parë në parlament është amendamentuar Kodi i Procedurës Penale, ku është mundësuar që kriminelët serbë të gjykohen në mungesë. Ai ka thënë se është koha e fundit që të sjellin drejtësi për viktimat.

"Ne këtu si tre krerët e institucioneve shtetërore që jemi bëjmë thirrje edhe një herë që Prokuroria e Shtetit, sistemi i drejtësisë në vendin tonë të jetë shumë aktiv, sepse është koha e fundit që të sjellim drejtësi për viktimat, e dënim për kriminelët. Nuk mund të presim që faktorët ndërkombëtarë do të bëjnë punën tonë, nëse ne nuk e bëjmë një gjë të tillë së pari vetë", ka shtuar ai.

Kryeparlamentari Glauk Konjufca është shprehur se masakrat e kryera tregojnë për qëllimin e pushtetit serb për shfarosjen dhe zhdukjen e kombit shqiptar.

"Meqenëse nuk janë kursyer as fëmijët, kjo tregon që të gjithë janë vrarë vetëm për shkak të përkatësisë kombëtare, për shkak se kanë qenë shqiptarë. Serbia është prej shteteve që më së shumti ka shkaktuar viktima në Ballkan gjatë viteve të '90-ta dhe më së paku është dënuar si shtet. Strukturat e saj të larta ushtarake, policore, të inteligjencës dhe të shtetit, të cilat kanë qenë segmentet kryesore që e kanë organizuar gjenocidin në Bosnjë edhe në Kosovë, fare pak janë dënuar. Përkundrazi, gjeneralët e ushtrisë, oficerët e nivelit të lartë kanë bërë karrierë të lirë ushtarake, policore në Serbi. Jo vetëm që nuk janë dënuar, por po e shohim edhe sot e kësaj dite përcaktimin që e ka shteti i Serbisë, aspak nuk ka ndryshuar mendje për gjithë ata që gjenocid që ka bërë, nuk ka kërkuar falje, nuk janë penduar fare udhëheqësit e Serbisë që janë të sotmit, por edhe ata kanë qenë në vitet e 90-ta pjesë e aparatit shtetëror", është shprehur ai.

Tre liderët e shtetit kanë bërë homazhe edhe Kompleksin Memorial në Poklek të Drenasit, ku janë vrarë, masakruar e djegur mbi 50 viktima në shtëpinë e familjes Muqolli.

Në Poklek të Vjetër dhe Çikatovë të Vjetër, ushtria serbe ka masakruar dhe i ka vrarë, pastaj edhe i ka djegur kufomat e 77 shqiptarëve civilë të paarmatosur, duke filluar prej foshnjave gjashtëmuajshe e deri te pleqtë 75 vjeç. /KSP

14:57

Osmani: Urdhëruesit e masakrave po shpërblehen me pozicione të larta në Policinë e Serbisë

Presidentja Vjosa Osmani, gjatë homazheve në Poklek dhe Çikatovë të Vjetër në 24 vjetorin e masakrës në këto dy fshatra, ka thënë se ajo që ka ndodhur më 17 prill 1999 është ndër dëshmitë më të fuqishme që tregon se qëllimi i regjimit serb ishte shfarosja e popullit shqiptar.

Ajo ka shtuar se kryesit e kësaj masakre dihen me emër e mbiemër dhe ka prova të mbledhura për ta, megjithatë dënimi i tyre është shpërblimi me pozicione të larta në Policinë e Serbisë.

“Është një prej ditëve më të trishta të përkujtimit të viktimave të luftës së fundit në Kosovë. Në Poklek ka ngjarë një holokaust i vërtetë. Diku 50 anëtarë të familjeve Muqolli, Elshani dhe të tjerë kryesisht gra dhe fëmijë, në fakt shumica dërmuese për tyre fëmijë fillimisht janë ekzekutuar pastaj janë djegur dy herë në mënyrë që të eliminohen gjurmët. Janë dëshmi se si akoma nuk ka drejtësi për viktimat e popullit tonë. Kjo është një ndër dëshmitë më të fuqishme se regjimi serb kishte për qëllim shfarosjen e popullit tonë dhe kishte për qëllim që asnjë shqiptarë të mos mbetet në tokën e Kosovës. Personat që e kanë urdhëruar masakrën në Poklek dihen me emër dhe mbiemër, për ta janë mbledhur prova, por për fat të keq regjimi i sotëm në Serbi nuk po vendosë drejtësi dhe ata që kanë urdhëruan këto masakra në fakt po shpërblehen me pozicione edhe më të larta në Policinë e Serbisë”, ka thënë ajo.

Edhe kryeparlamentari Glauk Konjufca, ka thënë se 17 prilli është ditë e dhimbjes, por edhe e krenarisë.

“Janë akte të gjenocidit që i kanë bërë forcat serbe mbi popullin tonë. Është ditë e dhimbjes, por edhe e krenarisë për arsye se pikërisht falë këtij gjakut të derdhur të popullit të Kosovës dhe sakrificave të panumërta që ne i kemi bërë si popull dhe si shoqëri. Ne kurrë nuk do të rreshtim së kërkuari drejtësi për popullin e Kosovës dhe kundër gjenocidit të Serbisë mbi popullatën kryesisht të pa mbrojtur dhe të pafajshme të shtetit tonë”, ka thënë ai.

13:46

Kurti: Plani i Serbisë ishte për shfarosje jo vetëm të jetëve, por edhe të qenies

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë homazheve në fshatrat Poklek dhe Çikatovë e vjetër, me rastin e 24-vjetorit të masakrës në këto fshatra, ka thënë se ajo që ka ndodhur është dëshmi e gjenocidit të Serbisë në Kosovë dhe qëllimit të saj për të shfarosur shqiptarët.

“Nuk ka mjaftuar vrasja, por ka pasuar edhe djegia e kufomave, që do të thotë se plani ka qenë për shfarosje jo vetëm të jetërave, por edhe të qenies. Andaj, masakra e Poklekut është dëshmi e gjallë e gjenocidit të Serbisë edhe sot e kësaj dite”, ka thënë ai.

Derisa ka përmendur civilët e vrarë, Kurti ka kujtuar se vetëm në Poklek 25 nga 54 të vrarët kanë qenë nën moshën 18 vjeçare.

“Pesë kanë qenë foshnje prej gjashtë muajsh deri në 2 vjeç, ndërkaq Lirie Muqolli, ka qenë veç 6-muajshe si foshnje kur është vrarë në këtë masakër”, ka thënë ai.

Kurti më tej ka deklaruar se në muajin e ardhshëm bëhen katër vjet prej se në Kuvend është mundësuar që Prokuroria e Shtetit, prokurorët specialë, të ndjekin e më pastaj sistemi i drejtësisë edhe të gjykojë në mungesë kriminelët serbë.

“Pra, në muajin e ardhshëm bëhen katër vjet që ekziston një mundësi e tillë. Dhe për këto krime të kryera gjatë luftës që janë edhe gjenocid, edhe krime kundër njerëzimit, edhe krime lufte, do të duhej të ketë drejtësi për viktimat, por edhe dënim shtetëror e ndërkombëtar për ata që ekzekutuan dhe ata që i urdhëruan ato”, ka thënë ai.

Duke folur për masakrën e 17 prillit të vitit 1999 Kurti tha se në Çikatovë të Vjetër të Drenicës, “jo vetëm që u vranë shqiptarët që jetonin në tokën e tyre dhe dëshironin veçse liri dhe paqe, por gjithashtu edhe kufomat e tyre u rrëmbyen dhe u dërguan në Serbi në varreza masive, në pesë varreza masive gjithsej mbi 950 shqiptarë”.

“Ata që u vranë këtu në Çikatovë të Vjetër u zbuluan si kufoma në Rudnicë të Rashkës. Pra në Rashkë atje ku krerët shtetërorë të Serbisë i mbajnë mbledhjet me përfaqësues politikë të listës serbe, me eksponentë të krimit të organizuar dhe me drejtues të strukturave paralele në Kosovë, kjo ndodhë pra në Rashkë të Serbisë. E në Rudnicë të Rashkës është një varrezë masive prej të cilës janë ekshumuar edhe shqiptarët e vrarë në Çikatovë të Vjetër nga forcat serbe para 24 vjetëve,” tha Kurti.

 

Image
Image
Image

 

12:32

Osmani, Kurti e Konjufca vizitojnë shtëpinë e familjes Muçolli në Poklek

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca, kanë vizituar të hënën shtëpinë e familjes Muçolli në Poklek, ku janë vrarë dhe djegur 53 civilë nga forcat serbe.

Krerët e shtetit fillimisht bënë homazhe në Kompleksin Memorial në këtë fshat.

17 prill të vitit 1999, në fshatrat Poklek dhe Çikatovë e Vjetër, ushtria serbe ka masakruar dhe i ka vrarë 77 shqiptarë civilë të paarmatosur, kufomat e të cilëve më pas i ka djegur. Në mesin e të vrarëve ka pasur foshnja e pleq.

 

12:11

Krerët shtetërorë bëjnë homazhe në Poklek në 24-vjetorin e masakrës

Krerët institucionalë, presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca, të hënën kanë bërë homazhe në kompleksin memorial në fshatin Poklek të komunës së Drenasit me rastin e 24 vjetorit të masakrës në këtë fshat.

Pas homazheve, ata pritet ta vizitojnë shtëpinë e familjes Muçolli në Poklek dhe do të bëjnë homazhe në fshatin Çikatovë e Vjetër.

Më 17 prill të vitit 1999, në fshatrat Poklek dhe Çikatovë e Vjetër, ushtria serbe ka masakruar dhe i ka vrarë 77 shqiptarë civilë të paarmatosur, kufomat e të cilëve më pas i ka djegur. Në mesin e të vrarëve ka pasur foshnja e pleq.

07:57

24 vjet nga masakrat e Poklekut dhe Çikatovës së Vjetër

Sot bëhen 24 vjet nga masakra në fshatin Poklek i Vjetër dhe Çikatovë të Vjetër komuna të Drenasit, ku ushtria serbe ka masakruar dhe i ka vrarë, pastaj edhe i ka djegur kufomat e 77 shqiptarëve civilë të paarmatosur, duke filluar prej foshnjave gjashtëmuajshe e deri te pleqtë 75-vjeçarë.

Aty pësuan fëmijë, të rinj, të reja, burra dhe pleq që u vranë, u masakruan dhe disa prej tyre u dogjën. Edhe pas dy dekadash, askush nga urdhërdhënësit dhe ekzekutorët nuk u ndëshkua nga drejtësia.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani – Sadriu do të bëjë sot homazhe në kompleksin memorial në Poklek dhe Çikatovë të Vjetër.

Vetëm në fshatin Poklek të Vjetër, ushtria barbare serbe ka masakruar dhe i ka vrarë, pastaj edhe i ka djegur kufomat e 53 shqiptarëve civilë të paarmatosur, duke filluar prej foshnjave gjashtëmuajshe e deri te pleqtë 75 vjeçar./KSP


Haradinaj përkujton masakrat e Poklekut dhe Çikatovës së Vjetër

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka kujtuar masakrat në Poklek dhe Çikatovë të Vjetër.

Haradinaj ka shkruar se pas masakrave të njëpasnjëshme anekënd Kosovës, në Poklek të Drenicës forcat serbe vranë dhe masakruan mbi 54 anëtarë të familjes Muqolli dhe Elshani, shumica prej tyre gra, pleq dhe fëmijë. Në të njëjtën ditë, u vranë edhe 24 shqiptarë civilë në fshatin Çikatovë e Vjetër.

“Përulemi në kujtim të jetëve që u sakrifikuan për lirinë tonë! Para 24 vjetësh, pas masakrave të njëpasnjëshme anekënd Kosovës, në Poklek të Drenicës forcat serbe vranë dhe masakruan mbi 54 anëtarë të familjes Muqolli dhe Elshani, shumica prej tyre gra, pleq dhe fëmijë. Në të njëjtën ditë, u vranë edhe 24 shqiptarë civilë në fshatin Çikatovë e Vjetër. Edhe pas më shumë se dy dekadash, askush nga urdhërdhënësit dhe ekzekutorët e këtyre krimeve nuk u ndëshkuan nga drejtësia”, ka shkruar ai.