Dëshmitari i dytë flet për daljen publike të UÇK-së në varrimin e mësuesit Halit Geci
- 14:19Dëshmitari i dytë flet për daljen publike të UÇK-së në varrimin e mësuesit Halit Geci
- 12:08Nis dëshmia e dëshmitarit të dytë ndaj Thaçit dhe të tjerëve
- 11:55Përfundon dëshmia e dëshmitares së parë në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve
- 10:45Pranohet mocioni i mbrojtjes së Selimit kundër një pjese të dëshmisë së dëshmitares së parë
- 10:03Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve kalon në seancë të mbyllur
- 08:43Sot vazhdon gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve
Dëshmitari i dytë flet për daljen publike të UÇK-së në varrimin e mësuesit Halit Geci
Gjatë dhënies së dëshmisë së tij, dëshmitari i dytë i ZPS-së ka folur për daljen e parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në varrimin e mësuesit Halit Geci, në të cilin varrim tha se kishte marr pjesë edhe vet.
Paraprakisht, i njëjti tregoi se ai ka qenë pjesëtar i UÇK-së.
“Pas vrasjes së familjes Jashari atëherë i madh e i vogël u kyçën në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”, tha dëshmitari.
Ai tha se kishte mësuar më pastaj kush kishte qenë nga përfaqësuesit e UÇK-së në atë ceremoni, duke përmendur emrat e Mujë Krasniqit, Rexhep Selimit dhe Daut Haradinaj.
“Pastaj unë kam mësua se ishte Mujë Krasniqi, Rexhep Selimi edhe Daut Haradinaj, me sa e kujtoj Muja ka qenë pa maskë, e tjerët kanë qenë me maska”, tha dëshmitari.
Lidhur me Mujë Krasniqin ai tha se atë e kishte njohur edhe më herët, ndërsa në varrim nuk kishte qenë afër tij por gjatë asaj dite e kishte kuptuar se kishte qenë ai.
Sipas tij, është bërë thirrje që sa më shumë njerëz të ju bashkëngjiten UÇK-së.
Kurse tha se njëri nga personat me maskë kishte pasur fjalim më të rreptë duke përmendur më pastaj se ky person kishte qenë Rexhep Selimi.
Ai tha se kishte pasur mesazhe se për pavarësi duhet të fillohej lufta dhe se kjo nuk mund të arrihej me njerëz pacifist, që sipas tij, ky mesazh ishte kuptuar se kishte qenë për LDK-në, ndonëse nuk ishte përmendur ky emër konkretisht.
Po ashtu, i pyetur nga prokurori James Pace, ai tha se UÇK-ja kishte pasur shtrirje në fshatrat e Malishevës si në qershor ashtu edhe në korrik të vitit 1998.
Ndërkaq, fillimisht ka folur për komunikatat e lëshuara nga UÇK-ja për të cilat tha se i ka pasur të njohura përmes gazetave si ‘Koha Ditore’, ‘Bujku’ dhe televizioni shqiptar.
Seanca ka vazhduar kryesisht në seancë private. Në fund të seancës, Prokuroria ka thënë se ndonëse ka planifikuar 7 orë për marrje në pyetje të dëshmitarit, beson se do të shfrytëzojë më pak se 6 orë./Betimipërdrejtësi
Dëshmitari pretendon se kishte presion që LDK-ja të pushonte aktivitetin e saj në Malishevë
Dëshmitari i dytë i Prokurorisë në çështjen kundër Thaçit dhe të tjerëve, ka thënë se e ka vazhduar aktivitetin në Lidhjen Demokratike të Kosovë (LDK) edhe pasi ishte kyçur në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës(UÇK).
Ai ka thënë se raportet në mes të UÇK-së dhe LDK-së nuk ka qenë shumë të mira dhe sipas tij ka pasur presion që kjo e fundit të pushonte aktivitetin e saj në Malishevë.
Dëshmitari i mbrojtur është përgjigjur në pyetjet e prokurorit James Pace dhe një pjesë e seancës është zhvilluar private.
“Thuajse nuk ishin bash të mira. Edhe pse ishim një pjesë e vogël të kyçur në UÇK, mirëpo nuk kanë qenë edhe bash raportet e shëndosha të mira, ngase vazhdimisht bëhej presion që LDK të pushonte aktivitetin në Malishevë”, tha dëshmitari.
Ai shtoi se presion ushtronte “drejtoria publike e UÇK-së në Malishevë”.
Tha se komandant ajo drejtori e kishte Gani Krasniqin.
Ai tha se sa ka qenë pjesëtar i UÇK-së ka kryer punët e LDK-së po ashtu.
“ Kam punuar, kam vepruar në çfarë është dashur. Ka pasur që kanë kërkuar me u tërheqë, mirëpo nuk jam tërheqë ngase e kisha mbështetjen, e kisha edhe autoritetin”, tha ai.
Pyetjet e fundit të kësaj seance kanë vijuar të mbyllura për publikun.
Gjykimi do të vazhdojë nesër në Dhomat e Specializuara në Hagë me dëgjimin e këtij dëshmitari, që është dëshmitari i dytë i mbrojtur i ZPS-së./KSP
Nis dëshmia e dëshmitarit të dytë ndaj Thaçit dhe të tjerëve
Ka nisur dëgjimi i dëshmitarit të dytë të Prokurorisë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Fillimisht dëshmitari bëri betimin se do ta thotë të vërtetën para trupit gjykues, derisa Gjykata njoftoi se dëshmia do të zgjasë të paktën pesë ditë.
Dëshmitari i dytë, që u tha se ka qenë pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës, po intervistohet për organizimin e kësaj partie nga viti 1990.
Ai u pyet nga Prokuroria nëse kishte struktura të LDK-së në Malishevë gjatë atij viti.
Zyra e Prokurorisë së Specializuar i ka kërkuar 7 orë kohë për ta intervistuar dëshmitarin, mbrojtja e viktimave 15 minuta dhe mbrojtja e të akuzuarve 12 orë.
Ndërsa paraprakisht, Gjykata njoftoi se gjatë ditës do të lëshohet një vendim verbal për një çështje që ka të bëjë me të akuzuarin Thaçi.
Me të nisur dëshmia, procesi kaloi në seancë të mbyllur.
Përfundon dëshmia e dëshmitares së parë në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve
Ka përfunduar dëshmia e dëshmitares së parë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar në çështjen ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Dëshmitarja e mbrojtur është dëgjuar për më shumë se tri ditë tërësisht në seanca private.
Pas një pauze, në gjykatore do të flasë dëshmitari i dytë i Prokurorisë, gjithashtu i mbrojtur, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur për publikun.
Sipas trupit gjykues, ai mban kodin W02652.
Lidhur me këtë dëshmitar, avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson ka ngritur një çështje në seancë private.
Ndërsa më vonë, nga Zyra e Prokurorit të Specializuar kanë deklaruar se e kundërshtojnë një kërkesë të mbrojtjes së Hashim Thaçit dhe për këtë kanë bërë të ditur se do të dorëzojnë parashtrim.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi janë parë në sallën ku po zhvillohet procesi gjyqësor ndaj tyre.
Pas më shumë se dy vjet në paraburgim, gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka filluar më 3 prill me deklaratat hyrëse të palëve.
Ata janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.
Ish-krerët e UÇK-së po gjykohen për krime të pretenduara të luftës dhe po mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020. /KSP
Pranohet mocioni i mbrojtjes së Selimit kundër një pjese të dëshmisë së dëshmitares së parë
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, trupi gjykues ka pranuar mocionin e mbrojtjes së Rexhep Selimit për mospranimin si provë të një pjese të dëshmisë së dëshmitares së parë në çështjen ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), ish-presidentit Hashim Thaçit, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputetit Rexhep Selimi.
Sipas gjykatësit Charles Smith III, pranueshmëria e kësaj prove do të mund të shkaktojë cenim të pa drejtë të të akuzuarve.
I njëjti ka thënë se nuk lejohet ZPS-ja të bëjë pyetje për incidentet e përshkruara në paragrafin 3, 16 dhe 23 të materialit.
Sa i takon dëshmisë së dëshmitarit, ai tha se duhet redaktuar referencat lidhur me këto sulme nga çdo material që synojnë të paraqesin si prova.
Fillimisht i njëjti sqaroi do të trajtohet mocioni i mbrojtjes së Selimit për përjashtimin e provave dorëzuar më 6 prill, me të cilën kërkesë janë pajtuar edhe mbrojtja e Thaçit dhe mbrojtja e Krasniqit.
‘‘Mbrojtja e Selimit kërkon që të përjashtohet dëshmia e dëshmitarit X, për provat që janë jashtë kuadrit kohor të ngjarjeve të paraqitura në aktakuzë’’, tha tutje gjykatësi.
Për këtë mocion, gjykatësi Smith tha se ZPS është përgjigjur me 12 prill.
Sipas gjykatësit, ZPS ka kundërshtuar të njëjtin mocion me argumentimin se dëshmia është e pranueshme sipas rregullit 137 dhe 138 dhe duke e konsideruar dëshminë si relevante dhe autentike.
‘‘Trupi gjykues rikujton që pala që dorëzon prova duhet të demonstroj se faktet që kërkon të vërtetoj janë përkatëse për çështjen’’, tha tutje gjykatësi Smith.
Ndryshe, seanca është duke vazhduar me dëgjimin e dëshmitares duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtjes së Krasniqit, seancë e cila është private sikurse edhe herët e tjera. /Betimipërdrejtësi
Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve kalon në seancë të mbyllur
Gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, i cili ka filluar të hënën nga ora 09:00, ka kaluar në seancë të mbyllur.
Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve ka filluar dy javë më parë, teksa po vazhdon sikurse shumë prej seancave që janë mbajtur kryesisht të mbyllura për publikun.
Nga java e kaluar ka nisur dëgjimi i dëshmitares së parë të Prokurorisë.
Sot vazhdon gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve
Dhomat e Specializuara kanë njoftuar se gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, do të vazhdojë të hënën.
Siç është bërë e ditur nga Gjykata Speciale, gjykimi do të nisë nga ora 09:00, ndërsa do transmetimi do të nisë 45 minuta me vonesë.
Nga java e kaluar ka nisur dëgjimi i dëshmitares së parë të prokurorisë, ndaj Thaçit dhe të tjerëve.
Seancat po mbahen kryesisht të mbyllura për publikun.
Procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka nisur rreth dy vjet e gjysmë pas arrestimit të Thaçit dhe të tjerëve. Ata po akuzohen për krime lufte.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Për gjuhën e urrejtjes fajësohen edhe politikanët

Për tre vjet asnjë seancë për rastin e kalimit të 99 valixheve pa kontroll

Vdes një zyrtar policor në Jarinjë

Haxhiu: Dhuna nuk do të normalizohet
Tahiri: Tre vjet pa njohje e pa anëtarësim në organizata ndërkombëtare, rroftë Gani Jakupi

Moti për javën e ardhshme në Kosovë

Kosova kërkon personat e pagjetur edhe në Bosnje dhe Kroaci, Serbia nuk bashkëpunon

Haradinaj: Kosova është ndërtuar nën hijen e mohimit të të drejtave të njeriut

GAP: Edhe këtë vit Qeveria ndau më shumë mjete për komunat e udhëhequra nga VV-ja

Kosova as këtë vit s’u bë pjesë e Partneritetit për Paqe, pengesë vendet mosnjohëse e dialogu

44-vjetori i ndarjes së Nobelit për Shën Terezën
