Shasha: Liberalizimi në vitin 2016 ishte punë e kryer, duhej kaluar vetëm demarkacioni me Malin e Zi

- 21:14Shasha: Liberalizimi në vitin 2016 ishte punë e kryer, duhej kaluar vetëm demarkacioni me Malin e Zi
- 21:04Palokaj: Kosova edhe ashtu është zbrazur nga rinia, vizat s’janë shqetësim
- 20:48Hyseni s’pret fluks të madh ikjesh pas liberalizimit të vizave
- 20:41Shasha: Pushteti e opozita duhet t’ia njohin meritat njëra-tjetrës për liberalizimin e vizave
- 20:36Gjinovci: Kompleksi i qytetarëve do të rritet kur ta kuptojnë sa të ndryshëm janë prej tjerëve për shkak të izolimit
- 20:34Hyseni: Liberalizimin e vizave do ta kishim më herët nëse do të përformohej më mirë në gjyqësor
- 20:24Shasha për liberalizimin e vizave: Po vjen fundi i një padrejtësie
Shasha: Liberalizimi në vitin 2016 ishte punë e kryer, duhej kaluar vetëm demarkacioni me Malin e Zi
Drejtori i Institutit EPIK, Demush Shasha, ka thënë se në vitin 2016 çështje e liberalizimit të vizave për Kosovën ishte “punë e kryer”.
Shasha tha se po të kalohej demarkacioni me Malin e Zi në atë kohë, atëherë Kosova do ta fitonte liberalizimin e vizave.
“Në vitin 2016 kjo çështje e liberalizimit të vizave ishte e mbyllur. Mos harroni viti 2016 Rusia kishte nisur të bënte atë që po bën tash, të pushtonte Ukrainën. BE-ja deshi të përforconte marrëdhëniet me vendet e lindjes dhe në mënyrë urgjente propozoi liberalizimin e vizave për Ukrainën, Moldavinë dhe Gjeorgjinë. BE-ja duke e njohur urgjencën politike e gjeopolitike, propozoi liberalizim të shpejtë për këto vende. Kosova ishte në fund të përmbushjes së kritereve, dhe BE-ja tha ok po e fusim Kosovën në këtë pako. Duke qenë se Kosova ishte në pako me këto vende me rëndësi gjeopolitike për të cilat liberalizimi ishte i garantuar, ishte e pamundshme që Kosova të mos e fitonte liberalizimin. Duke shikuar prapa, mund të themi me siguri se në vitin 2016 po të kalohej demarkacioni me Malin e Zi, atëherë liberalizimi do të ishte histori”, tha Shasha në “Konfront” të KTV-së.
Shasha tha se duhet marrë mësim nga gabimet e kaluara, për të mos u përsëritur në hapat e mëtejmë në rrugën integruese. Shasha ka thënë se BE-ja për Kosovën ka bërë diçka që nuk ka bërë për askënd tjetër.
“Kosova nuk njihet nga pesë shtete anëtare të BE-së, përkundër kësaj BE-ja ka nisur rrugën e liberalizimit të vizave dhe po ashtu anëtarësimin zyrtarë përmes MSA-së”, tha Shasha.
Palokaj: Kosova edhe ashtu është zbrazur nga rinia, vizat s’janë shqetësim
Korrespodenti i KOHËS, Augustin Palokaj, thotë se nuk duhet të shihet me shqetësim se liberalizimi i vizave do të bëjë që qytetarët e Kosovës të largohen me të madhe nga vendi. Ai ka theksuar se deri tash mjaft qytetarë kanë ikur nga Kosova dhe tash marrja e vizave nuk do të krijojë fluks.
Palokaj ka shtuar se liberalizimi i vizave do të shfrytëzohet më së shumti për vizita familjare dhe turistike.
“Nuk e kam atë shqetësim. Për një fakt të thjeshtë dhe ai është i hidhur se Kosova ashtu kështu është zbrazur nga rinia. Mbajtja e vizave nuk ka ndikuar që kosovarët të mos largohen nga Kosova. Janë lëshuar shumë viza puna, të rinjtë e Kosovës e kanë pasur më të lehtë ta marrin një vizë për të shkuar për të punuar në vendet e BE-së, sesa për të marrë një vizë si turist. Pra, këto viza do të hiqen vetëm për vizita, si udhëtime si turistë e kurrsesi për të punuar në vendet e BE-së. Për më tepër ata që do të keqpërdorin udhëtimin pa viza për të punuar ilegalisht në ndonjë vend të BE-së, rrezikojnë të dënohen me ndalim hyrje në të gjitha vendet e BE-së së paku 5 vjet”.
Palokaj ka shtuar se nuk sheh ndryshim me gjendjen aktuale me atë që mund të krijohet pas janarit 2024.
“Nuk shoh ndonjë ndryshim në krahasim me atë që ekziston tani. Jo vetëm Gjermania, por edhe Kroacia si vend i vogël në dy vjetët e fundit diku 15,000 leje pune i ka dhënë për kosovarët. Nëse ia shtojmë edhe Zvicrën, Slloveninë, Austrinë, kosovarët janë larguar në numër të madh edhe ashtu pa marrë parasysh regjimin e vizave. Shpenzimet për të aplikuar për viza kanë qenë më të mëdha se që kushton një biletë për ta vizituar një vend të BE-së”.
Ai ka theksuar se qytetarët e Kosovës do të përballen me realitetin në Perëndim dhe ai është se jeta atje është e vështirë dhe e shtrenjtë.
“Kosovarët do të shkojnë në vende të BE-së për të parë si është, do të përballen me një realitet se jeta nuk është aq shumë e mirë se në Kosovë nëse nuk janë të vendosur dhe nuk kanë një jetë të ndërtuar me vite. Jeta është shumë e shtrenjtë në Perëndim”.
Palokaj ka pohuar se liberalizimi i vizave është përdorur si mjet presioni ndaj Kosovës që ta mbajë peng në procese të tjera.
“Kanë qenë gjithsesi pasi Kosova nuk është njohur nga 5 shtetet e BE-së. Si pasojë në procesin e integrimeve evropiane pas nënshkrimit të MSA-së BE-ja nuk ka pasur asgjë t’i ofrojë Kosovës, dhe duke e ditur sa e rëndësishme është çështja e liberalizimit, e kanë mbajtur peng si mjet presioni ndaj Kosovës deri në momentin e fundit”.
Hyseni s’pret fluks të madh ikjesh pas liberalizimit të vizave
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Driton Hyseni, ka thënë se nuk pret që të ketë fluks të madh ikjesh pas liberalizimit të vizave, ashtu siç ka ndodhur me vendet e rajonit.
Sipas Hysenit, në vitet e fundit shumë qytetarë të Kosovës kanë ikur me viza pune dhe nuk është fluksi sikur në vitet 2009 apo 2010, kur iu hoqën vizat vendeve të rajonit.
“Konsideroj se jemi në një fazë tjetër sesa faza e viteve 2009/10 kur iu hoqën vizat Maqedonisë, Malit të Zi e Serbisë. Pasi në këto vitet e fundit, ne me viza pune kemi pas emigracion të madh. Një numër i madh i bashkatdhetarëve tash janë sistemuar atje. Nuk pres një fluks të tillë si në vendet e rajonit, por rritje të vizitorëve nga Kosovës në zonë Schengen do të ketë nga kureshtja për të parë vendet evropiane. Nuk pres që të ketë ato trendët si në vendet e rajonit. Në fund të fundit, këtë do e doja”, ka thënë ai në “Konfront” të KTV-së.
Shasha: Pushteti e opozita duhet t’ia njohin meritat njëra-tjetrës për liberalizimin e vizave
Drejtori i Institutit EPIK, Demush Shasha, ka thënë se opozita dhe pushteti duhet t’ia njohin njëra-tjetrës meritat sa i përket procesit të integrimeve evropiane, më saktësisht çështjes së liberalizimit të vizave.
Shasha ka thënë se një miks i gjërave ka ndikuar që më në fund liberalizimi i vizave për Kosovën të realizohet.
“Procesi ka kërkuar përmbushjen e 95 kritereve teknike, e mazhoranca duhet ta njohë faktin se 94 kritere nuk janë përmbushur gna Lëvizja Vetëvendosje, por qeveritë e mëparshme. Opozita e sotme duhet ta njohë se Vetëvendosja ka plotësuar një kriter, që ka qenë problem në të kaluarën, është sundimi i ligjit. Kjo është thënë e rithënë nga ambasadorë të shumtë. Pas ardhjes në pushtet të VV-së u pa frymë më optimiste e progresive sa i përket sundimit të ligjit. U zbërthy në një numër akteve e vendimeve politike. Kjo frymë u njoh edhe nga observuesit objektivë ndërkombëtarë që konfirmuan të njëjtën gjë. BE-ja pa frymë të re sa i përket sundimit të ligjit e njohu progresin. E fundit ka qenë pushtimi rus i Ukrainës. Zhvillimi atje, i ka vendosur në lëvizje gjërat që kanë krijuar mjedis politik të favorshëm për liberalizimin e vizave. Gjërat që kanë marrë me vite kohë, po ndodhin për çështje javës a muajsh”, tha Shasha në "Konfront" të KTV-së.
Gjinovci: Kompleksi i qytetarëve do të rritet kur ta kuptojnë sa të ndryshëm janë prej tjerëve për shkak të izolimit
Aktivisti Rron Gjinovci, ka thënë se me lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës në vendet evropiane pas 1 janarit të vitit të ardhshëm, ata do ta kuptojnë se sa të vegjël janë.
Duke përmendur disa shembuj që sipas tij, mund të ndodhin me liberalizim të vizave, Gjinovci ka thënë se kompleksi i qytetarëve do të rritet pasi do ta kuptojnë se sa ndryshe prej tjerëve kanë mbetur për shkak të izolimit.
“U gëzova dhe u pikëllova në të njëjtën kohë. U gëzova kur e mora vesh se një dëshirë e shtypur e një shoqërie të shtypur, që u shndërrua më vonë në një kompleks pse nuk po na pranojnë të tjerët, tashmë do të shuhet dhe në anën tjetër u pikëllova kur e di sa do të ndihen të vegjël të rinjtë e Kosovës kur të dalin në një qytet të madh të Evropës dhe të shohin se si nuk dinë të përdorin trafikun publik, se si nuk dinë të sillen, ecin në shteg të biçikletave siç ecin këtu, e atje polici të gjobitë. Mënyra se si do të na trajtojnë të tjerët edhe më keq, e ai kompleksi me heqjen e vizave do të rritet edhe më shumë, do të shohin se sa ndryshe kemi mbetur prej tjerëve për shkak të izolimit”, ka thënë ai.
Sipas Gjinovcit, gëzimi i kujtdo sot, në situatën në të cilën ndodhet vendi, tregon dëshirën për ikje nga Kosova.
“Është dashur shumë më moti të na realizohet. Kjo e drejtë na është mohuar për shkak të korrupsionit, për shkak të politikës së gabuar, për shkak të Çakorrit të cilin prapë nuk e kemi. Asgjë nuk kemi si duhet, po gëzohemi që do të mund të ikim prej këtu, nuk e di nëse është për t’u gëzuar”, ka thënë ai.
Hyseni: Liberalizimin e vizave do ta kishim më herët nëse do të përformohej më mirë në gjyqësor
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Driton Hyseni, ka thënë se Kosova do ta kishte liberalizimin e vizave më herët nëse do të përformonte më mirë në aspektin e gjyqësorit.
Sipas Hysenit, përformimi i mirë në aspektin e gjyqësorit rrjedhimisht do të ishte pozitive për luftën ndaj krimit dhe korrupsionit, pika kyçe për të cilat ai thotë se u vonua edhe heqja e vizave për qytetarët e Kosovës.
Me Qeverinë Kurti, Hyseni ka thënë se sundimi i ligjit është përmirësuar në raportet ndërkombëtare dhe ka bërë që vendet skeptike si Franca dhe Holanda të ndryshojnë mendim për heqjen e vizave.
“Perceptimi i Francës dhe Holandës ka qenë për sundimin e ligjit dhe ndikimin që politika e ka në gjyqësor që i ka bërë vendet hezituese në raport me heqjen e vizave. Raporti i fundit të BE-së, prej qershor 2021 - qershor 2022, njëvjeçar i plotë i Qeverisë Kurti, e thekson faktin se gjyqësori nuk është i ndikuar nga politika. Kjo oërbën element pozitiv. Në luftën kundër korrupsionit rangohet më lartë, i jepet kredi Qeverisë drejt reformave në gjyqësor. Qeveria aktuale nuk e ndikon drejtpërdrejt gjyqësorin. Ka qenë një prej pikave kyç pasi po të kishte pasur mundësi Kosova të përformonte më mirë në aspektin e gjyqësorit, edhe çështja e luftës ndaj krimit dhe korrupsionit do të ishte më substanciale, por edhe liberalizimin e vizave do ta kishim më herët”, ka thënë ai në “Konfront” të KTV-së.
Të martën, Parlamenti Evropian ka miratuar vendimin final. Qytetarët e Kosovës do të lëvizin të lirë në Evropë nga 1 janari i vitit 2024.
Shasha për liberalizimin e vizave: Po vjen fundi i një padrejtësie
Drejtori i Institutit EPIK, Demush Shasha, ka thënë se vendimi final i marrë të martën nga Parlamenti Evropian për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, është fundi i një padrejtësie që ka zgjatur me vjet.
Shasha ka thënë se është një moment gëzimi, por edhe qytetarët së shpejti do ta kuptojnë se për të shkuar e vizituar qytetet evropiane kushton para.
“Është fundi i një epoke, që ka filluar para 12 vjetëve. Një proces që ka tejzgjatur përtej çdo pritjeje. Nëse kthehemi prapa më 2012, këdo që ta pyesje atëherë, nuk do ta imagjinonte se në vitin 2023 ende do të flisnim për liberalizim të vizave për Kosovën. Është fundi i një epoke dhe një padrejtësie. Fundi i një padrejtësie që u është bërë qytetarëve, që heqin me kufizimet për të lëvizur në Shengen, ndërsa fqinjët tanë lëvizin lirshëm tash e sa kohë”, ka thënë Shasha në “Konfront” të KTV-së.
Shasha ka thënë se është hequr një pengesë psikologjike.
“Është moment gëzimi, dhe moment kur mund të lëmë tash dalëngadalë deri më 1 janar këtë temë prapa nesh e të kuptojmë një gjë, të cilën e kanë kuptuar qytetarët e shteteve fqinje ‘që asgjë nuk përfundon me ditën e liberalizimit të vizave’. E gjitha këto probleme me të cilat ne ballafaqohemi këtu në Kosovë do të mbesin këtu në Kosovë. Do të kthehemi te diskutimi i temave të rëndësishme për një jetë cilësore këtu, njëjtë siç kanë bërë vendet e rajonit. Do të kuptojmë shumë shpejt se për të shkuar deri në Paris e Berlin duhet para, është shpenzim i jashtëzakonshëm”, tha Shasha.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Sijarina: Po tentojmë ta rrënojmë mendësinë që po rezulton e dhunshme

Gërvalla kërkon anëtarësim të shpejtë të Kosovës në Këshill të Evropës

Ajri i pashëndetshëm në Prishtinë, IKSHPK-ja me thirrje për qytetarët që të mos dalin në qytet

Townsend: Ballkani të mos mbetet larg vëmendjes së SHBA-së dhe BE-së

Vrasjet brutale të grave në Ballkan ngrenë alarm për lëshimet në sistem

Gjinovci për rezultatin në “PISA 2022”: Qeveria duhej të mbante mbledhje urgjente

Osmani: Në COP28 u prezantua vizioni i Kosovës përmes projekteve inovative

Batalioni italian nga Forca Rezervë e NATO-s vendoset në Kosovë

Koci: Kushdo që e përmend Kanunin, duhet të procedohet penalisht

Kosova rrezikon anëtarësimin në KiE nëse nuk i adreson gjetjet e raportit

Qindra protestues kërkojnë drejtësi për gratë e vrara
