Mbrojtja e Krasniqit thotë se dëshmitari është konfuz në deklaratat e tij

Mbrojtja e Krasniqit thotë se dëshmitari është konfuz në deklaratat e tij
Mbrojta e ish-zëdhënësit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi, Venkateswari Alagendra, ka thënë se dëshmitari i prokurorisë është konfuz në deklaratat e tij. Në gjykatoren e Hagës po dëgjohet dëshmitari i pestë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS).
Derisa ajo ka parashtruar pyetje për dëshmitarin lidhur me një person, i koduar si “numri 2”, dëshmitari fliste për “numrin 4”.
Alagendra: Na thatë që shkuat në vendin e incidentit dhe patë dy trupa të vdekur atje, dhe u larguat me makinë në shtëpi, dhe thatë se i treguat ‘numrit 2’ se çfarë kishte ndodhur a është e saktë kjo?
Alagendra: A u ktheve mbrapshtë në vendin e incidentit ku ishin trupat e vdekur pasi i tregoni ‘numrit 2’ çfarë kishte ndodhur?
Dëshmitari: I kam treguar para se mi pa kufomat, tu shku i kam treguar që i kanë marrë, kah jam kthyer prej shpatit tjetër e kam parë makinën e tij në shpat, unë kam qenë në shpatin tjetër.
Alagendra: Po flisni për ‘numrin 2’?
Dëshmitari: Kur kam shkuar në shtëpi ‘numri 2’ dhe ‘numri 4’ kanë shkuar te vendi i ngjarjes e kanë marr armën dhe kanë vazhduar rrugën përpjetë fshatit.
Alagendra: Të nderuar gjykatës më duket sikur dëshmitari është pak konfuz, a po thoni që ‘numri 2’ dhe ‘numri 4’ shkuan bashkë me njëri-tjetrin?
Dëshmitari: ‘Numri 4’ me ‘numrin 5’, më falni.
Alagendra: Pyetje ime ka të bëjë me ‘numrin 2’ pasi shkuat në vendin e incidentit kur patë se çfarë kishte ndodhur aty u kthyet mbrapshtë në fshat dhe i thatë ‘numrit 2’ se çfarë kishte ndodhur, kështu?
Dëshmitari: I kam thënë para se me shkua te vendi i ngjarjes, kur kam shkuar te vendi i ngjarjes më nuk e kam parë ‘numrin 2’, nuk kam komunikuar me ‘numrin 4’ në të vërtetë.
Më pas, mbrojtja e Jakup Krasniqi ka kërkuar që marrjen në pyetje ta bëjë në seancë të mbyllur për publikun.
Dëshmitari i pestë i ZPS-së gjatë javës së kaluar u është përgjigjur pyetjeve të prokurorisë dhe atyre të mbrojtjes së ish-presidentit, Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentarit, Kadri Veseli, ndërsa sot ka dhënë dëshmi në pyetjet e mbrojtjes së ish-deputetit, Rexhep Selimi.
Në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, deri tani kanë përfunduar dëshmitë e katër dëshmitarëve të prokurorisë.
Dëshmia e tyre nuk është bërë e ditur për publikun dhe të njëjtit kanë dëshmuar nën masa mbrojtëse.
Ish-krerët e UÇK-së, për të cilët prokuroria pretendon se kanë kryer krime lufte, po gjykohen pas një procedure paraprake që ka zgjatur më shumë se dy vjet.
Gjatë krejt kësaj kohe, ish-presidenti Thaçi, ish-kryeparlamentarët Krasniqi dhe Veseli, si dhe ish-deputeti Selimi, po qëndrojnë në paraburgim në Hagë, ndërsa në paraqitjet e tyre para gjykatës ata janë deklaruar të pafajshëm./B.Ibishi
Dëshmitari në Speciale tregon se iu vra familjari, por nuk e di sigurt nga kush
Pranë Dhomave të Specializuara në Hagë të hënën ka vazhduar marrja në pyetje e dëshmitarit të pestë të ZPS-së nga mbrojtja e Rexhep Selimit. Dëshmitari u shpreh se ndonëse nuk ka qenë prezent, nuk beson që ka pasur tjetër person që mund ta kishte vrarë numrin 1, përveç personave të maskuar që e kidnapuan.
Avokati mbrojtës i Selimit, Geoffrey Roberts, pyeti dëshmitarin nëse e di me siguri që personat e maskuar që kidnapuan numrin 1, e vranë ose jo.
Dëshmitari i pestë iu përgjigj duke thënë se personat me maska kanë marrë personin 1, 2 dhe 3, dhe se të njëjtit persona janë që e kanë kryer vrasjen.
Roberts: Sa i takon kidnapimit, ti e di që burrat e maskuar që morën numrin 1, e morën nga fshati por nuk e di me siguri nëse janë të njëjtët persona përgjegjës për vrasjen e këtij personi se nuk ka qenë i pranishëm kur ka ndodhur?
Dëshmitari: Personat me maska e kanë marrë personin 1, 2 dhe 3, 2 dhe 3 i kanë zbritur dhe kanë vazhduar rrugën dhe unë pas tyre jam nisur dhe të njëjtë persona janë që e kanë bërë vrasjen.
Roberts: Të jemi të qartë. Ti nuk e di qind për qind se këta persona që morën personin 1, janë të njëjtë që e kanë vrarë se ti nuk ke qenë atje kur ka ndodhur?
Dëshmitari: Nuk kam qenë prezent.
Roberts: Megjithëse ndonjëherë mund të jetë e dukshme, por në të njëjtën kohë ti nuk mund ta dish me siguri dhe nuk mund të thuash që fleta u vendos nga të njëjtat persona që kidnapuan numrin 1 kështu.
Dëshmitari: Kam shkuar e kam gjetur të vrarë dhe letrën e kam gjetur aty, nuk mund të them asgjë.
Roberts: E kuptova, por nuk e di me siguri, domethënë ti e di që këto kanë ndodhur, por nuk e di qind për qind që personat e maskuar ishin përgjegjëse për të dyja këto gjëra?
Dëshmitari: Vetë nuk kam qenë prezent, por përpos tyre nuk besoj që ka pasur të tjerë.
Gjatë seancës së sotme në fillim të dëshmisë, dëshmitari me kodin 3165, ka deklaruar se në nëntor ishte larguar për 1 muaj nga UÇK-ja dhe ka qëndruar në shtëpi për ngushëllime, dhe pas mbylljes së ngushëllimeve i kishin thënë se ai përsëri mund të kyçej për të mbrojtur fshatin me ushtarët tjerë.
Ndërsa, i pyetur se a ka pasur persona jashtë fshatit që kanë ardhur në fshat për mbrojtje në mes marsit-prillit 1998 , dëshmitari tha se nuk i kujtohet.
Po ashtu, dëshmitari deklaron se nuk e di nëse ka pasur pasoja ndaj ndonjë personi, i cili dëshironte të çkyqej nga UÇK-ja.
Dëshmitari: Pasi më ka ndodhur rasti duhej të rrija në shtëpi për ngushëllime që kanë ardhur për ngushëllime dhe te ne ka qenë zakon të vinin një kohë të gjatë për ngushëllime, afër 1 muaj gati për ditë kam ndenjur në familje duke pritur njerëz.
Roberts :Më pas kur u rikyçe u rikyçe në atë momentin më të përshtatshëm sipas mendimit tënd?
Dëshmitari: U mbyll e pamja tani më erdhën dhe më thanë se prapë je i lirë nëse do të kyçesh në mbrojte të fshatit me ushtarë të fshatit me bërë roje në fshat.
Roberts: Kjo ka qenë në nëntor, pasi nuk ishte më ushtar i UÇK-së për 1 muaj më përpara. Po njerëz të tjerë në fshatin tuaj a u çkyçen nga UÇK-ja dhe pastaj u ribashkuan me UÇK-në më vonë?
Dëshmitari: Pas ofensivës kanë shkuar nëpër shtëpi derisa janë tubuar prapë, por tash nuk e di me datë.
Avokati: A ka pas ndonjë person jashtë fshatit tuaj që ka ardhur në fillim të marsit-prillit 1998 që erdhi për të mbrojtur fshatin tuaj?
Dëshmitari: Nuk më kujtohet, nuk e di.
Avokati: A jeni në dijeni të ndonjë personi që u çkyç nga UÇK-ja edhe juve megjithëse ju u çkyçët për një muaj, a ka pasur persona që u çkyçën nga UÇK-ja për një periudhë më të gjatë sesa 1 muaj? A kishte pasoja nëse një pjesëtarë i UÇK-së largohej ose dëshironte të largohej dhe dorëzonte armën dhe nuk luftonte më, kishte pasoja për këtë person?
Dëshmitari: Nuk e di.
Më pas avokati i Selimit, ka pyetur dëshmitarin e pestë të ZPS-së, nëse mund të largoheshin në çdo pikë nga UÇK-ja kur ata e shihnin të përshtatshme.
E në përgjigjen e tij, dëshmitari tha se të largoheshin pa pasur ndonjë arsye nuk ka qenë e mirë dhe e ndershme.
Dëshmitari i pestë i ZP-së gjatë marrjes në pyetje nga mbrojtja e Selimit tha se personat që i kishin kidnapuar të afërmit e tij, ishin të maskuar dhe kishin marrë masa ekstreme maskimi të mos identifikoheshin.
Mbrojtja e Selimit u interesua të di edhe më shumë për uniformat që mbanin veshur personat e maskuar. I pyetur nga mbrojtja nëse uniformat që mbanin veshur këta persona të maskuar ishin të njëjta apo jo, dëshmitari tha se nga ajo çka ka parë kanë qenë identike.
Dëshmitari: Çka kam pa identike, tash nuk e di çka e qysh kanë pasur, shoferin nuk e kam pa, çka i kam parë unë i kanë pasur identike.
Roberts: Dhe këto uniformat identike mund të bliheshin thjesht dhe të qepeshin thjesht sepse thjesht ishin rroba të zeza?
Roberts: Dhe nuk e di në qoftë se ata ishin thjesht anëtarë të Policisë ushtarake, pasi kishin vesh këto uniforma?
Dëshmitari: Policia ushtarake mbanin këso uniforma të zeza të njëjta gati identike kanë qenë, veç që këta kanë qenë me emblemë të UÇK-së atë ditë.
Roberts: Duke pas parasysh faktin që thjesht ishin disa uniforma të zeza, ti nuk mund të thuash që ata ishin individë apo persona të policisë ushtarake, thjesht sepse mbanin këto uniforma të zeza, nuk mund ta thuash me siguri apo jo?
Dëshmitari: Me uniforma, a kanë qenë ushtarë nuk e di, unë i kam parë me tesha të zeza dhe emblemë të UÇK-së edhe me maska dhe nuk e di çfarë pozicioni kanë pas.
Roberts: Në thelb ti e pranon se ka mund të jetë kushdo me uniformë të zezë?
Edhe në këtë seancë në disa përgjigjet të dëshmitarit nuk është dëgjuar përgjigja e tij.
Në gjykatoren e Hagës ku po mbahet kjo seancë gjyqësore të pranishëm në sallë janë ish-presidenti, Hashim Thaçi, ish-kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli dhe ish-deputeti, Rexhep Selimi, ndërsa edhe këtë seancë të sotme ish-kryekuvendari, Jakup Krasniqi po e përcjell përmes video-lidhjes.
Dëshmitari i pestë i ZPS-së gjatë javës së kaluar u është përgjigjur pyetjeve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe kundra-pyetjeve të mbrojtjes së ish-presidentit, Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentarit, Kadri Veseli.
Para këtij dëshmitari kanë dëshmuar edhe katër dëshmitarë të tjerë, dëshmia e të cilëve u zhvilluar në seancë të mbyllur për publikun përkundër masave tjera mbrojtëse.
Ndërsa të mërkurën, trupi gjykues u ka kërkuar parashtrime palëve, deri më 31 maj, në lidhje me hapat konkret që mund të merren për të siguruar që procedurat të jenë publike në shkallë më të lartë.
Ish-krerët e UÇK-së, për të cilët prokuroria pretendon se kanë kryer krime lufte, po gjykohen pas një procedure paraprake që ka zgjatur më shumë se dy vjet.
Gjatë krejt kësaj kohe, ish-presidenti Thaçi, ish-kryeparlamentarët Krasniqi dhe Veseli, si dhe ish-deputeti Selimi, po qëndrojnë në paraburgim në Hagë, ndërsa në paraqitjet e tyre para gjykatës ata janë deklaruar të pafajshëm. /KSP
Mbrojtja e Krasniqit nis pyetjet, dëshmitari i pestë dëshmon për vrasjen e personit 1
Mbrojtja e ish-kreut të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqit, avokatja Venkateswari Alagendra, ka filluar marrjen në pyetje të dëshmitarit të pestë me kodin 3165, i cili po vazhdon të dëshmojë për vrasjen e personit 1.
Pyetjet e saj kryesisht janë zhvilluar lidhur me një dokument (jo publik), të cilin dëshmitari e pohoi se është ankesë e bërë nga ai por që nuk e di datën e saktë të saj, raportoi ‘‘Betimi për Drejtësi’’.
I pyetur se a është e saktë ajo që ka thënë në këtë ankesë se numri 1 është marrë nga UÇK-ja nga shtëpia e tij, ai tha se ‘‘jo nuk është e vërtetë se në shtëpi, ndoshta një gabim te përkthimi’’.
Tutje ai tha se ai i ka parë personat me maska por jo të gjithë, ndoshta sipas tij dy apo tre, duke mos qenë i sigurt për numrin e saktë.
Ai tha se nuk kishte thënë se të maskuarit i ka parë pa maska kurse personat 14 dhe 15 tha se i ka parë pas vrasjes por që tha se ata nuk kanë qenë të dyshuarit por kanë dëgjuar krismat dhe kanë dal.
I pyetur se në këtë dokument kishte thënë se ‘‘pas incidentit kam parë dy të dyshuar pa maska’’, ai tha se ‘‘përkthimi nuk është i saktë’’.
Kurse lidhur me një dokument tjetër të 23 janarit 2003, avokatja Alagendra tha se janë përmendur disa persona të dyshuar, dëshmitari tha ‘‘i kam parë 12-shin dhe 13-shin’’.
Kur u pyet se a i keni parë pa maska, përmbajtja ka qenë e redaktuar.
Po ashtu kur iu tha se ‘‘dy personat qe dyshoje se ishin të përfshirë në vrasjen e numrit 1 ishin numri 12 dhe 13 dhe dyshimin e kishe sepse nuk kishin uniforma atë ditë kështu’’, Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) vendosi që të ketë përmbajtje të redaktuar përgjigja e tij.
Lidhur me personin 14, ai tha se "ai i ka dëgjuar krismat dhe ai ka dal në rrugë prej malit kur i ka dëgju, dhe i ka pa të vrarë’’, por nuk e kishte ditur se kush.
Në vazhdim, dëshmitari lexoi një paragraf në atë dokument për të cilin tha se ‘‘nuk e kam thanë unë këtë’’.
Gjatë dëshmisë ka pasur edhe pjesë të tjera me përmbajtje të redaktuara.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

KFOR: Pas sulmit në Banjskë, kemi katërfishuar praninë në veri

Krimet e pandëshkuara të luftës

Abazoviq feston fitoren e Partizanit të Beogradit me këngë serbe

98 për qind e fëmijëve që s’dëgjojnë, s’dinë shkrim-lexim pas shkollës së mesme

Osmanaj: Draftstatuti cenon Kushtetutën në disa pika

Serbia rekruton në ushtri edhe të rinj nga veriu i Kosovës

Familjarët i bëjnë thirrje Prokurorisë t’ia lejojnë zhvarrimin e Liridona Ademajt

Vëllai i Liridonës: Dyshojmë se e vranë për të përfituar para nga sigurimi jetësor

Kosova avancon strategjinë e përballjes në raste sulmi si në Banjskë

Mbi 4000 vetura konvertuan targat ilegale në RKS

“Nuk ka paqe pa sigurinë e grave”, të martën protestë në Prishtinë
