Arbëri

Huliganët, klanet e drogës dhe presidenti serb

 

Televizioni publik gjerman ARD mbi lidhjet e A. Vuçiqit me një grup kriminal të Beogradit dhe frikën e presidentit serb nga shefi i mafias Velko Belivuk, i cili para gjyqit ka thënë se «ka kryer punë» me urdhër të «shefit të madh». Njëra nga këto punë duket se ka qenë vrasja e njerëzve dhe copëtimi i tyre me një makinë për grirjen e mishit.

Pas një teksti të gjatë hulumtues të “New York Times Magazine” mbi lidhjet e presidentit serb A. Vuçiq me një grup të krimit të organizuar në Beograd, mbi këtë skandal të madh në Serbi ka raportuar tani edhe televizioni publik gjerman ARD. Sipas këtij mediumi një proces gjyqësor po e mban pa frymë opinionin në Serbi. Bëhet fjalë për huliganë, të cilët punonin për një klan të fuqishëm të drogës dhe akuzohen se kanë kryer vrasje brutale. Lidhjet e këtij grupi arrijnë me gjasë deri në krye të shtetit.

Në Beograd është duke u zhvilluar një proces gjyqësor kundër 31 personave, të cilët akuzohen për vrasje, posedim droge, kidnapime dhe tregti me armë. Kreu i bandës quhet Velko Belivuk, prijës i huliganëve të ekipit të futbollit «Partizan» të Beogradit. Përkrahësit e këtij ekipi njihen si tejet agresivë dhe mbajnë lidhje me struktura të krimit të organizuar.