2 perditesime
17:40

Kryetari i Zveçanit: Nuk do të dal në zyrë derisa të stabilizohet situata

Kryetari i Zveçanit, Ilir Peci, deklaroi se nuk ka pasur propozim nga Ambasada Amerikane që të mos dalin në punë. Ai tha se ditën e sotme punën e tij e ka kryer nga zyra për komunitete në fshatin Lipë të Zveçanit.

“Nuk kemi pasur kësi lloj propozimi nga ambasada amerikane. Prej ambasadës kemi pasur propozim vetëm mos me u shkaktua ndonjë ekses, jo mos me u lajmërua (në objektet e komunës). Sot kemi vazhduar në Zyrën e Komuniteteve në fshatin Lipë në Komunën e Zveçanit, por jo në zyrën e kryetarit në objekt të komunës”, deklaroi Peci.

Peci shtoi se nuk do të shkojë në Komunë derisa të stabilizohet gjendja.

“Ta shohim sipas gjendjes, nëse stabilizohet gjendja dhe është në rregull, atëherë vazhdojmë në objektin e komunës. Nëse për momentin vazhdon kjo gjendje, atëherë do të vazhdojmë derisa të stabilizohet gjendja... Për momentin janë kushtet me vazhdua edhe prej aty për shërbime të qytetarëve”, shtoi ai.

Ditën e djeshme, kryetari i Zveçanit, Ilir Peci, dhe ai i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, kanë takuar ambasadorin amerikan, Jeffrey Hovenier.

Protestuesit serb po kundërshtojnë hyrjen e kryetarëve shqiptarë në ndërtesat komunale.

Situata në këto komuna është tensionuar të premten e 26 majit kur kryetarët e betuar u detyruan të futën në zyrat e tyre të punës nën asistencën e Policisë së Kosovës./ KosovaPress

10:12

Peci nuk shkon sot në ndërtesën e Komunës së Zveçanit

Kryetari i Komunës së Zveçanit, Ilir Peci, nuk do të dalë sot në zyrën e tij në ndërtesën e Komunës.

Ai obligimet e tij do t’i kryej nga fshati Lipë.

KOHA e ka kontaktuar në telefon, porse ai ka thënë se aktualisht nuk mund të  përgjigjet për shkak se është në një takim. 

Peci më herët i ka thënë KOHËS se gjatë ditës do të shkojë në ndërtesën e Komunës, porse një gjë e tillë duket se nuk do të ndodhë. Kështu ka raportuar gazetarja e KOHËS, Saranda Ramaj.

Ajo ka thënë se aktualisht në Zveçan është situatë e qetë ndërsa KFOR-i ka vendosur barrikadat afër komunës duke e pamundësuar qasjen në atë pjesë.

 

07:24

Kryetari i Zveçanit: Do të dal sot në zyrë, kam takime

Kryetari i Komunës së Zveçanit, Ilir Peci, deklaroi se të martën do të dalë në zyrën e tij në Komunë, për t’i vazhduar punët. Ai i tha KOHËS se në zyrë do të dalë me ndihmën e trupave të KFOR-it, ndërsa shtoi se ka komunikuar edhe me përfaqësues të Qeverisë.

“Do të dalë në zyrë në orën 09:00, me ndihmën e KFOR-it. Kam disa takime me komunitete. Natën e kam kaluar në shtëpi mbrëmë, mbrëmë kam pasur edhe një bisedë të gjatë me ministrin e Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi. Kam marrë përkrahjen e tij dhe të Qeverisë. Jam edhe në komunikim me KFOR-in e Policinë e Kosovës”, deklaroi ai.

Peci shtoi se ende s’ka ndonjë informacion mbi situatën aktuale në komunën ku udhëheq.

Peci dhe kryetari i Zubin-Potokut, Izmir Zeqiri, i shkuan në takim të hënën ambasadorit të SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ku është diskutuar mbi situatën në veri. Krerëve të komunave veriore iu është bërë thirrje të mos dalin në zyra, por të punojnë nga lokacione të tjera.