Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se ai dhe ekipi i tij kanë punuar dhe do të punojnë intensivisht ditëve të ardhshme për të dalë nga kriza në veri të Kosovës.
Në përshkrimin e punës për javën që po mbyllet, Lajçaku ka thënë se të gjitha zhvillimet kanë mbetur nën hijen e “ngjarjeve dramatike në veri të Kosovës”.
“Sapo jam kthyer në Bruksel nga Bratislava ku mora pjesë në konferencën e përvitshme GLOBSEC. Pjesëmarrja ime sivjet mbeti nën hijen e zhvillimeve dramatike në veri të Kosovës dhe dhunës që rezultoi me lëndime të pjesëtarëve të KFOR-it, qytetarëve, mediave dhe zyrtarëve të forcave ligjore. Si rezultat, ia kam dedikuar shumicën e kohës në këtë konferencë koordinimit të ngushtë me partnerët tanë dhe monitorimit të situatës në terren”, ka shkruar Lajçaku në Facebook.
Ai ka komentuar edhe takimin me kryeministrin Albin Kurti. Ka thënë se ka kërkuar “shtensionimin e menjëhershëm, rikthimin e qetësisë dhe kthimin në përpjekjet për normalizim, nën dialogun e lehtësuar nga BE-ja”.
Lajçaku ka bërë të ditur se ka pasur takime edhe me zyrtarë të NATO-s si dhe “partnerë të rëndësishëm”.
“Në ditët në vijim, ekipi im dhe unë do të punojmë me intensitet me të gjitha palët dhe partnerët tanë për të gjetur rrugëdalje nga kriza”, ka shkruar tutje ai.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.