Arbëri

Politikanë e aktivistë serbë: Prishtina dhe Beogradi bashkëfajtorë për situatën në veri

 

Politikani serb, Nenad Radosavljeviq, ka thënë se tensionet në veri janë pasojë e regjimit të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili, sipas tij, përmes strukturave paralele nuk i lejoi serbët të dalin në zgjedhjet e 23 prillit. Në debatin e organizuar në Çagllavicë me politikanë të tjerë dhe aktivistë të shoqërisë civile, po ashtu u kërkua që Qeveria e Kosovës t’i largojë njësitë speciale nga veriu dhe të krijohen rrethanat për zgjedhjet pluraliste në veri

Politikanë e përfaqësues të shoqërisë civile nga komuniteti serb kanë diskutuar të premten për hapat që duhet ndërmarrë për shtensionimin e situatës në komunat veriore. Në debatin me temën “Situata në veri të Kosovës pas zgjedhjeve lokale – sfidat dhe zgjidhjet”, politikanë nga Leposaviqi e Zubin- Potoku e kanë fajësuar Prishtinën dhe Beogradin për tensionet e krijuara, prej së cilës më së shumti, siç kanë thënë ata, po e pësojnë qytetarët e pafajshëm.

Nenad Radosavljeviq nga iniciativa qytetare “Drejtësia Popullore” në Leposaviq ka thënë se problemet në veri janë pasojë e regjimit të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili, sipas tij, përmes strukturave paralele nuk lejoi qytetarët që të dalin në zgjedhje.