Arbëri

Pa marrëveshje për depërshkallëzimin e veriut

 

Nuk është gjetur një zgjidhje për t’i dhënë fund përshkallëzimit të situatës në veri të Kosovës, as në takimet e ndara që Josep Borrel ka realizuar me kryeministrin Albin Kurti dhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Megjithëkëtë, Borrelli ka theksuar se është arritur pajtimi për nevojën e mbajtjes së zgjedhjeve të reja në komunat veriore, me pjesëmarrjen e plotë të serbëve

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka thënë se në takimet e zhvilluara veç e veç të enjten në Bruksel me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është arritur pajtim për nevojën e mbajtjes së zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore të Kosovës, të banuara kryesisht me serbë.

Duke folur në një konferencë për media, pas më shumë se katër orë bisedimesh rreth menaxhimit të krizës në veri, që nuk e prodhuan edhe një takim trepalësh, Borrelli ka thënë se palëve u janë kërkuar hapa konkretë për kthim në procesin e normalizimit.