Arbëri

BE-ja nis nga e hëna takimet për raportet Kosovë-Serbi dhe pasojat e mundshme

 

Ndonëse takimet e ndara të së enjtes të përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, me kryeministrin Albin Kurti dhe me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, nuk prodhuan pajtim konkret për hapat drejt shtensionimit të situatës në veri, në BE kanë shprehur optimizmin se ngjarja ka shërbyer për kthimin e normalitetit në raporte dhe në uljen e tensioneve në terren. E pas këtyre takimeve burimet diplomatike në Bruksel konfirmuan se javën e ardhshme do të zhvillohen një sërë takimesh, gjatë së cilave do të raportohet mbi raportet Kosovë-Serbi, si dhe për pasojat e mundshme, nëse nuk ndodh ulja e tensioneve

Ani se në takimin e së enjtes të përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk ka pasur pajtim konkret për hapat që duhet të ndërmerren në veri të Kosovës, diplomatët evropianë kanë shprehur optimizmin se takimet kanë shërbyer për të kthyer pak normalitet në raporte dhe për të ulur tensionet në terren.

Zyrtarët e vendeve anëtare të BE-së presin që tash të njoftohen nga Borrelli dhe nga përfaqësuesi i posaçëm për dialogun, Miroslav Lajçak, për hollësitë e rrjedhës së takimeve, si dhe për pritjet nga palët. Por diplomatët e vendeve të BE-së i mbështesin tërësisht kërkesat që në këto takime i ka paraqitur përfaqësuesi i lartë, Borrell.