2 perditesime
20:42

Gjinovci: Dëmtim i interesit kombëtar është ta vjedhësh vendin për 20 vjet

Analisti Rron Gjinovci, ka thënë se dëmtim i interesit kombëtar është ta vjedhësh vendin për 20 vjet.

Ai ka thënë se qëllimi i përgjimeve është të tentohet të thuhet se të gjithë janë të njëjtë.

Ka shtuar se kjo Qeveri e ka shpallur organizatën e Milan Radojçiqit terroriste dhe e ka shpallur atë në kërkim.

Gjinovci ka deklaruar se partitë opozitare e kanë diskredituar vendin.

“Dëmtim i interesit kombëtar është të vjedhësh 20 vjet pa kontroll, me shkatërru çdo send, me sjell arsimin dhe shëndetësinë këtu ku e kemi. Për mu dëmtim i interesit kombëtar është me e pranu në zyrë Radojçiqin”, ka thënë ai.

Koordinatori i Departamentit për Drejtësi në kuadër të Kabinetit për Qeverisje të Mirë të Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, tha se qeverisja e kryeministrit Albin Kurti është më e dobëta në 20 vjetët e fundit.

Ai tha se në 20 vjet ka pasur gjëra që s’kanë qenë si duhet, por sipas tij, Kosova e ndan fatin e saj me rajonin dhe është më së miri me lirinë dhe demokracinë.

Me këtë s’u pajtua aktivisti Rron Gjinovci, që tha se Kosova është vendi më i varfër në rajon, derisa akuzoi PDK-në për keqqeverisje.

20:39

Sopi: Ajo çka tha Kusari-Lila do të duhej të ishte e mjaftueshme për Kurtin që ta largojë

Analisti Agim Sopi ka thënë kryeministri Albin Kurti duhet ta largojë nga grupi parlamentar Mimoza Kusari-Lilën për deklaratat e saj që dëgjohen në përgjimet e fundit të publikuara nga “Nacionale”.

Sopi ka thënë se biseda e saj me Slavko Simiqin e Listës Serbe do të mjaftonte që Kurti të ndërmerrte veprime.

“Ajo që më la përshtypje më shumë nga përgjimet, është kur Kusari-Lila thotë ‘ju e dini që unë nuk kam qenë në VV, atëherë kur VV-ja ka qenë e keqe, nacionaliste dhe kundër jush, por jam tash kur VV-ja është bë e mirë’. Kjo fjali do të ishte e mjaftueshme për Kurtin që t’i thotë Kusarit që nëse nuk ke qenë atëherë me ne, nuk je me ne as tash”, ka thënë ai në “Konfront”.

Sopi ka thënë se ajo çka ka proklamuar Kurti para se të vinte në pushtet nuk përkon aspak me politikën e tij tash.

“Kurti ka ardhur me kauzën e ndryshime rrënjësore, çkapjen e institucioneve, krijimin e shtetit ligjor, shtetin e së drejtës, të barabartë, aktivizimin e njerëzve të vlefshëm të eliminuar nga politika. Kjo nuk ka ndodhur, Kurti ka krijuar një Qeveri mikse me shoqëri civile, një pjesë e të cilëve ka prejardhje shumë të dyshimtë, për të mos thënë që ka agjenda paraprakisht, nuk e di të kujt, që me siguri nuk është agjendë e Kurtit dhe VV-së”.

20:26

Gruda: Përgjimi i Kusari-Lilës, akt kundër Kosovës - Kurti të japë dorëheqje

Koordinatori i Departamentit për Drejtësi në kuadër të Kabinetit për Qeverisje të Mirë të Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, deklaroi se biseda e Shefes së Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lilës, me Listën Serbe, e dëgjuar në përgjime, është akt kundër shtetit të Kosovës. Si rrjedhojë, sipas tij, Qeveria Kurti duhet të japë dorëheqje dhe Kosova të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

Ai deklaroi në “Konfront” të KTV-së të mërkurën se biseda e Kusari-Lilës është edhe kundër aleatëve të Kosovës dhe fyerje ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Përgjatë debatit që kemi pasur për veteranët, e kemi pasur të qartë se diçka nuk shkon me këtë Qeveri. Por, përgjimet tregojnë se problemi ka qenë që zonja Kusari-Lila ka ndarë këtë temë dhe ka diskutuar me Simiqin, që është punëtor i Radojçiqit. Qeveria i ka borxh qytetarëve një shpjegim. Pas këtij shpjegimi, asnjë ditë kjo qeveri s’duhet të rri. Vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme”, tha Gruda.

Sipas zyrtarit të partisë opozitare, për gjithçka që Qeveria Kurti është votuar nuk ekziston më, ndërsa tha se këto përgjime shfaqin një skandal “më të madh se Pronto”.

“Kjo është më skandaloze se Prontoja. Është një akt kundër interesit kombëtar dhe është akt kundër një shtrese që përfaqëson shtresën më përfaqësuese”, u shpreh ai.