Drejtori i Instituti EPIK, Demush Shasha, deklaroi se skenave të rrahjes në Kuvendin e Kosovës u gëzohet presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ndërsa tha se Kosovës këto s’i bëjnë nder në botë.
Shasha shkroi në Facebook se me urgjencë, spektri politik kosovar duhet të ulë gjuhën dhe tensionet në diskursin publik, pasi sipas tij, “askush asnjëherë s’ka fituar asgjë nga shkopi i bejsbollit”.
“Gjuha ka pasoja. Tani e disa ditë të fundit gjuha në diskursin publik të Kosovës ka shkuar duke u ashpërsuar jashtëzakonisht shumë, duke ushqyer dhe ngritur kështu emocionet jo vetëm të politikanëve, por edhe njerëzve të rëndomtë. Fjalët sikur “krimineli”, “tradhtari”, “shpiuni”, “argati serb”, “hajni”, janë bërë dalëngadalë terma të pranueshëm. Nga stacioni i autobusëve e deri tek tavolinat e kafeve vërehet në ajër një tension i rritur tek qytetarët. Aty ku ka benzinë zjarri lehtë bëhet. Këtë e pamë sot”, tha Shasha.
Sipas drejtorit të EPIK-ut, pushteti e opozita kanë mundësi t’i përdorin forcat politike dhe legjislative në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por refuzojn “pasi që kuptojnë natyrën shkatërruese për vendin e tyre”.
“Dhe në fund ka vetëm një që gëzohet gjithë kësaj që ndodhi: Vuçiqi. Skenat e sotme nuk i bëjnë nder Kosovës në botë. Prandaj, është urgjente që i gjithë spektri politik sa më parë të ulë gjuhën dhe tensionet në diskursin publik duke njohur kështu se askush asnjëherë nuk ka fituar asgjë nga shkopi i bejsbollit”, shtoi Shasha.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.