Praktika e shkeljes së afateve vazhdon ta përcjellë edhe Marrëveshjen e fundit në dialog
Praktika e shkeljes së afateve të dakorduara është duke i përcjellë edhe marrëveshjet e fundit të arritura në Bruksel dhe Ohër mes Kosovës e Serbisë. Ndonëse u zhvilluan dhjetëra takime pas ujdisë së fundit të arritur më 18 mars, palët kanë shfaqur mospajtime të thella sa i përket sekuencimit të zbatimit të Marrëveshjes. Për pasojë, së shpejti pritet të konsumohet edhe afati për organizimin e një konference të donatorëve për Kosovën e Serbinë, zotim ky i dhënë nga ana e Brukselit
Mungesa e hapave thelbësorë për zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të dakorduar në Ohër më 18 mars, pritet ta konsumojë njërin prej afateve të vëna në letër. Bëhet fjalë për Konferencën e Donatorëve të cilën ishte zotuar ta organizonte Bashkimi Evropian brenda 150 ditësh për Kosovën e Serbinë, por me kushtin që paraprakisht ndërmjetësi në dialog të përcaktojë se të gjitha dispozitat e Marrëveshjes janë zbatuar plotësisht.
“Për të zbatuar nenin 9, BE-ja do të organizojë një konferencë donatorësh brenda 150 ditësh, për të krijuar një paketë investimesh dhe ndihme financiare për Kosovën dhe Serbinë. Asnjë shpërndarje nuk do të ndodhë përpara se BE-ja të përcaktojë se të gjitha dispozitat e Marrëveshjes janë zbatuar plotësisht”, shkruan në aneks- marrëveshje.
Sipas nenit 9, Kosova dhe Serbia pajtohen që të mos e bllokojnë zbatimin e asnjë prej neneve.
Referuar dinamikës së tanishme palët janë larg përmbushjes së detyrimeve të marra përsipër, të cilët mbetën nën hijen e tensioneve të fundit në veri.
Demush Shasha nga Instituti Epik thotë se një konferencë e tillë nuk do të mbahet përderisa palët nuk dëshmojnë vullnetin e nevojshëm për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.
“Sa i përket organizimit të konferencës së donatorëve të paraparë në kuadër të Marrëveshjes së Ohrit, unë nuk besoj se është në rend dite. Pra, organizimi i asaj konference është parë si një nga elementet për të përkrahur apo incentivizuar palët në zbatimin e të gjitha obligimeve që derivojnë nga Marrëveshja e Ohrit. Sidoqoftë, duke pasur parasysh që palët nuk kanë ndërmarrë hapa thelbësorë për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, rrjedhimisht unë besoj se organizimi i Konferencës së Donatorëve shtyhet për një momentum të ri kur palët do të tregojnë vullnetin e nevojshëm për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit”, ka theksuar Shasha.
Në takimet e fundit në Bruksel që emisari Lajçak pati ndaras me kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi, dhe atë të Serbisë, Petar Pektoviq, u diskutua për katër tema në kuadër të kornizës së marrëveshjes. Por nuk pati dakordim në asnjërën prej tyre, përfshirë atë për sekuencimin e zbatimit të Aneksit, pikë rreth së cilës palët kanë mospajtime të mëdha. Madje pas takimit të fundit Bislimi tha se edhe ndërmjetësi Lajçak po mundohet t’i shtyjë përpara vetëm kërkesat e Serbisë, që kryesorja është themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, i cili trajtohet në kuadër të nenit 7 të Marrëveshjes.
E në mungesë të dakordimit, BE-ja së fundi u mor me menaxhimin e krizës në veri, pas vendosjes së kryetarëve shqiptarë në objektet komunale, veprim ky që nxiti protesta të dhunshme nga serbët. Dhjetëra ushtarë të KFOR-it italian e hungarez u lënduan në Zveçan, derisa sulme pati edhe ndaj Policisë së Kosovës dhe gazetarëve.
Duke iu referuar zhvillimeve të fundit rreth shtensionimit të situatës dhe takimit në Bruksel, Demush Shasha është optimist se palët do t’i rikthehen konstruktivitetit në dialog.
“Këtë e them duke pasur parasysh se të dyja palët kryeministri Kurti dhe presidenti Vuciq me veprimet e fundit kanë treguar një dozë të shëndetshme të konstruktivitetit. Pra, në njërën anë, presidenti Vuçiq ka ndikuar në tërheqjen e protestuesve para objekteve komunale në veri. Ndërsa, në anën tjetër, Kurti ka ndikuar në tërheqjen graduale të prezencës policore në veri. Po ashtu Kurti ka shfaqur publikisht vullnet për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme në veri. Të gjitha këto veprime kanë qenë në përputhje me planin e sekuencimit të hapave për deeskalim të situatës në veri të dakorduar me Bashkimin Evropian”, ka thënë Shasha.
Sipas tij, nga këto veprime vërehet një vullnet i ri për kthimin e normalitetit në kuadër të dialogut që, siç thotë Shasha, nga niveli i lartë politik ka zbritur edhe në nivelin teknik.
“Prandaj rrjedhimisht pamë se në takimin e fundit të dialogut në nivelin teknik, Bislimi ka dhënë shenja të optimizmit ndonëse të kujdesshëm për progres në kuadër të dialogut. Pra, me pak fjalë po shohim një mjedis më konstruktiv në kuadër të dialogut. Sa u përket hapave të fundit të sekuencimit në kuadër të dialogut unë besoj se palët do të sigurojnë zbatimin e tyre”, ka potencuar Shasha.
Por, në terma afatgjatë ai është skeptik se do të ketë zbatim të shpejtë të marrëveshjes.
“Ndonëse jam optimist për uljen afatshkurtër të tensioneve në veri dhe kthimin e normalitetit në dialog ngelem pesimist se palët do të ndërmarrin hapat seriozë afatgjatë në zbatimin thelbësor të Marrëveshjes së Ohrit”, ka potencuar Shasha.
Në Qeverinë e Kosovës e as Zyrën e ndërmjetësit të BE-së, Miroslav Lajçak, nuk janë përgjigjur në pyetjet e KOHËS lidhur me ngecjet në zbatimin e Marrëveshjes.