Arbëri

Qeveria kushtëzon zgjedhjet në veri me largimin e masave ndëshkuese të BE-së

Foto: KOHA
 

Zyrtarë të qeverisë së Kosovës e kanë vënë si parakusht heqjen e masave sanksionuese të BE-së para se të mbahen zgjedhjet e reja në veri, sipas dakordimit të arritur mes kryenegociatorit Besnik Bislimi e emisarit Miroslav Lajçak. Në zyrën e BE-së nuk kanë ofruar sqarime lidhur me kërkesën e Qeverisë së Kosovës për largimin e masave, duke thënë se institucionet janë në pushime verore. E njohës të zhvillimeve thonë se BE-ja do t’i përdorë masat si levë presioni për t’u siguruar se Kosova do ta shtensionojë situatën në veri, në mënyrë të pakthyeshme.

Mungesa e vendimmarrjes nga ana e Bashkimit Evropian për t’ia hequr masat sanksionuese Kosovës, po shihet si levë presioni për t’u siguruar se nuk do të ketë tensione tjera në veri. Derisa Bashkimi Evropian nuk ka treguar nëse janë duke e konsideruar heqjen e masave pas veprimeve të qeverisë për shtensionim, zyrtarë të Qeverisë së Kosovës kanë thënë të hënën se nuk do të ketë zgjedhje në veri përderisa BE-ja nuk i heq masat.

Gjatë një takimi me gazetarë të hënën, Bislimi ka thënë se janë në pritje të njoftimit të BE-së për heqjen e sanksioneve, pas pajtueshmërisë së arritur në Bratislavë. Qeveria ishte pajtuar që krahas largimit të njësive speciale në masën prej 25 për qind nga objektet komunale, në katër komunat të organizohen zgjedhjet e reja pas verës.