Arbëri

OKB-ja alarmon për rrezikun nga një konflikt i ri mes Kosovës dhe Serbisë

 

Manipulimi i ngjarjeve nga e kaluara përmes rritjes së diskursit nacionalist mund ta ringjallë një konflikt të ri mes Kosovës e Serbisë, është konstatimi që ka nxjerrë këtë muaj një raportues special i Kombeve të Bashkuara, pas vizitave në Kosovë e Serbi. Veç mungesës së bashkëpunimit për zbardhjen e fatit të të zhdukurve nga lufta e fundit, raporti thekson edhe mungesën e ndjekjes penale të kriminelëve të luftës dhe glorifikimin e të dënuarve duke i vendosur në pozita të larta udhëheqëse

Një raportues i Kombeve të Bashkuara (OKB) ka alarmuar për rrezikun e ndezjes së një konflikti të ri për shkak të diskursit në Kosovë e Serbi. Pas vizitave në të dyja vendet, raportuesi special, Fabian Salvioli, ka vlerësuar se veç diskursit, që nuk dallon nga ai i pasluftës, ka edhe mungesë bashkëpunimi mes dy vendeve në shkëmbimin e informacioneve për personat e zhdukur nga lufta e fundit.

“Raportuesi special është i alarmuar me përdorimin e vazhdueshëm në Kosovë dhe Serbi të narracioneve etnocentrike, nacionaliste, të njëanshme ose jo të plota për konfliktin, në politikë, media, kulturë dhe arsim. Manipulimi i ngjarjeve të së kaluarës dhe përforcimi i njëkohshëm i ndjenjave nacionaliste dhe etnike për arsye politike, edhe nëse duket se siguron përfitim politik jetëshkurtër për mbështetësit dhe autorët e tij, nuk është vetëm i paligjshëm dhe në kundërshtim me standardet ndërkombëtare, por edhe i afatshkurtër”, shkruan në raport. “Këto pamje, të pahijshme dhe mbi të gjitha aktet e papërgjegjësisë publike mund të çojnë në përsëritjen e dhunës nga e kaluara”.