Arbëri

BE-ja e shqetësuar me situatën në veri, kërkon hapa të tjerë nga Qeveria

 

Zyrtarë të Bashkimit Evropian i kualifikuan të pamjaftueshme veprimet e deritanishme të Qeverisë në funksion të shtensionimit të situatës në veri, për të cilën kanë përsëritur se mbesin ende të shqetësuar. Ani se e kanë mirëpritur reduktimin e forcave policore, në BE deklaruan se duhet që të bëhet edhe pezullimi i operacioneve të Policisë së Kosovës brenda dhe në afërsi të katër objekteve komunale në veri, teksa e kërkuan edhe largimin prej tyre të të gjithë kryetarëve të zgjedhur në fundprill. E aktualisht, vetëm Lulzim Hetemi është duke e ushtruar mandatin nga objekti komunal në Leposaviq

Hapat e deritanishëm të Qeverisë në funksion të shtensionimit të situatës në veriun e Kosovës, të banuar kryesisht me serbë, janë kualifikuar si të pamjaftueshëm nga Bashkimi Evropian.

Ndonëse zyrtarë të Qeverisë thanë se janë bërë veprime konkrete drejt shtensionimit, në zyrën e lehtësuesit të dialogut Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, kërkuan të ndërmerren hapa të tjerë.