Vizita e Kurtit nxit reagim te spektri politik shqiptar i Maqedonisë së Veriut
Mungesën e takimeve të kryeministrit Albin Kurti me përfaqësues të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut gjatë qëndrimit të tij të planifikuar për të premten në këtë vend, zyrtarë të Shkupit e kanë kualifikuar si vizitë partiake. Por, në Qeverinë e Kosovës kanë thënë se Kurti vizitën e realizon si kryeministër, me ftesë të kryetarit të Komunës së Çairit e atij të Tetovës. E takimet e Kurtit me përfaqësues shqiptarë të opozitës bëhen në kohën kur partitë shqiptare në Maqedoninë e Veriut kanë shtuar përpjekjet për krijimin e një blloku kundër BDI-së së Ali Ahmetit
Vizita e paralajmëruar për të premten e kryeministrit Albin Kurti në Maqedoninë e Veriut ka nxitur reagime të mërkurën te spektri politik në Shkup.
Kurti është paraparë që të zhvillojë takime me liderë të subjekteve opozitare porse jo edhe me ata të partisë në pushtet gjatë vizitës, e cila do të realizohet në kohën kur drejtues të partive shqiptare që janë në opozitë në Maqedoninë e Veriut – Lëvizja Besa, Alternativa dhe fraksioni i shkëputur nga partia në pushtet, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) – i kanë intensifikuar përpjekjet për bashkëpunim.
Reagimet janë nxitur pasi që ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka thënë se Kurti “me siguri” nuk do të qëndrojë për vizitë në cilësinë e kryeministrit.
“Nuk kam informacione zyrtare. Kështu që, me siguri nuk vjen si kryeministër. Shohim nëpër rrjetet sociale, ndonjë komunikim partiak, kështu që, me të vërtetë nuk kam informacione. Ne jemi shtet i lirë dhe mundet çdo kush të vijë”, ka deklaruar Osmani për televizionin “Sitel”.
Por, në Qeverinë e Kosovës kanë treguar për agjendën e vizitës në Maqedoninë e Veriut të kryeministrit Kurti.
“Vizita e Kryeministrit Kurti në Maqedoni të Veriut do të realizohet me ftesë të kryetarit të Komunës së Çairit, Visar Ganiu, dhe kryetarit të Komunës së Tetovës, Bilal Kasami, me rastin e riemërtimit të një rruge në Shkup me emrin e veprimtarit Adem Demaçi dhe inaugurimit të një segmenti të rëndësishëm rrugor të lidhjes Prizren-Tetovë”, ka thënë Përparim Kryeziu, zëdhënësi i Qeverisë.
Komuna e Çairit dhe ajo e Tetovës drejtohen nga opozita shqiptare. Ganiu është rreshtuar në fraksionin e dalë nga BDI-ja, ndërkaq Tetova drejtohet nga Kasami, i cili njëherësh është kryetar i Lëvizjes Besa.
E Ganiu ka reaguar ndaj deklaratës së Osmanit mbi vizitën e Kurtit, duke thënë se ai do ta vizitojë Maqedoninë e Veriut si kryeministër i Republikës së Kosovës.
“Albin Kurti vjen si kryeministër i Republikës së Kosovës, shtetit më të ri në Evropë dhe në gjithë lëvizjen nga kufiri e këndej, shteti organizon protokoll të përcjelljes dhe të gjitha masat që duhet t’i marrë për një kryeministër. Kjo është gafa e radhës e Bujar Osmanit, apo kabinetit qeveritar që për çdo ditë jemi mësuar t’i shohim me skandale dhe me gafa të ndryshme dhe mund edhe unë ta pyes Bujar Osmanin se a e njeh Albin Kurtin si kryeministër të Kosovës. Ne e njohim, popullata e njeh dhe atë ditë do të ketë pritje madhështore për kryeministrin e Kosovës”, ka thënë Ganiu për gazetën “Lajm” të Maqedonisë së Veriut.
E Izet Mexhiti, i cili e ka iniciuar formimin e partisë së re, Lëvizja Demokratike, ka thënë të martën për Radion Evropa e Lirë se vizita e Kurtit është në funksion të thellimit të bashkëpunimit të opozitës shqiptare me Lëvizjen Vendvendosje. Lëvizja Demokratike në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut është e përfaqësuar me tre deputetë.
“Do të bisedohet edhe për tema politike, ku do të ketë një ndarje mes atyre që janë me ‘Ballkanin e Hapur’ dhe atyre, përkatësisht neve, si edhe Kurtin që jemi për Procesin e Berlinit. Normalisht se do të bisedojmë dhe për tema që thellojnë bashkëpunimin ndërmjet frontit opozitar shqiptar në Maqedoni (të Veriut) me Lëvizjen Vetëvendosje në Kosovë”, ka thënë Mexhiti.
Maqedonia e Veriut, krahas Shqipërisë e Serbisë është nismëtare e iniciativës “Ballkani i Hapur”, së cilës Kosova ka refuzuar që t’i bashkohet. Kundër kësaj nisme janë pozicionuar edhe partitë shqiptare në Maqedoninë e Veriut.
Arben Ratkoceri, botuesi i gazetës “Koha” nga Shkupi, ka thënë se takimet e Kurtit me përfaqësues të partive shqiptare nuk mund të përkthehen në mbështetje për opozitën. Por, ai nuk e ka cilësuar si praktikë të mirë shmangien e takimeve të Kurtit me zyrtarët e qeverisë maqedonase.
“Deklarata e z. Osmani besoj ka të bëjë me atë se z. Kurti do të takohet në bazë të agjendës që e dimë ne me dy kryetarë komunash ndërsa nuk pritet që të takohet me kreun shtetëror të Maqedonisë së Veriut, para së gjithash me homologun e tij. Prandaj, mendoj se edhe deklarata e z. Osmanit duhet të jetë në këtë vijë. Ndërsa nga ana tjetër se si e shohim këtë vizitë unë mendoj se ndoshta nuk është praktikë e mirë që kryeministrat e një vendi kur vizitojnë një vend tjetër të mos jenë të shoqëruar nga homologët e tyre, sepse e njëjta gjë po na ndodh edhe në Kosovë kur zyrtarët serbë vizitojnë enklavat e tyre ose komunat me shumicë serbe. Dorën në zemër, edhe neve nuk na vjen shumë mirë”, ka theksuar Ratkoceri.
Sipas tij, mund të ketë edhe tendenca të tilla që të mbështeten subjekte të caktuara nga ana e kryeministrit Kurti, por ai ka kujtuar se sa herë që Lëvizja Vetëvendosje ka mbështetur subjekte të caktuara në Maqedoninë e Veriut, ato gjithnjë kanë humbur.
“Kurti dhe njerëzit rreth tij në cikle të caktuara zgjedhore kanë bërë një tentativë të tillë kur opozita ka qenë edhe shumë më e fuqishme sikurse Aleanca për Shqiptarët e udhëhequr nga Taravari, mirëpo sa herë që ka ndërhyrë partia e tij, ai subjekt ose ai koalicion ka humbur zgjedhjet dhe atë me rezultat shumë të thellë”, ka potencuar Ratkoceri.
Pavarësisht deklaratave të fundit, sipas Ratkocerit, marrëdhëniet mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut në vijë institucionale janë të qëndrueshme, duke iu referuar edhe marrëveshjeve të shumta që janë nënshkruar për lehtësimin e qarkullimit të mallrave dhe njerëzve mes dy vendeve.
Maqedonia e Veriut ndodhet para ndryshimeve të tjera kushtetuese, të cilat ndërlidhen me përfshirjen e bullgarëve në preambulë. Kjo është kërkesa që ka Bullgaria për të mos penguar integrimin e Maqedonisë së Veriut drejt Bashkimit Evropian. Si opozita maqedonase ashtu edhe ajo shqiptare ia kontestojnë legjitimitetin pushtetit aktual për shkak të mungesës së votave për t’i çuar përpara ndryshimet kushtetuese, duke insistuar në mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.