1 perditesime
00:04

Hoti: Odaloviq e ka të ndaluar hyrjen në Kosovë, ai po i kushtëzon takimet

Kryesuesi i Komisionit qeveritar për persona të zhdukur, Andin Hoti, ka thënë se kryesuesi i Komisionit qeveritar të Serbisë për persona të zhdukur, Veljko Odaloviq, po e kushtëzon mbajtjen e takimeve dhe dhënien e informatave, duke kërkuar që të jetë i pranishëm në to.

Hoti ka thënë se Odaloviq që nga korriku i këtij viti ka ndaluar edhe takimet e nëngrupeve për personat e zhdukur.

“Ka qenë mediale përfshirja e tij në aktet kriminale gjatë luftës në Kosovë, por edhe para luftës. Edhe mospuna e tij prej vitit 2004 deri më sot, e bën atë të parëndësishëm. Është e vërtetë se s’kemi takim të grupit punues që nga viti 2021, mirëpo, takime të nëngrupeve, ekipeve profesionale, ato që e kryejnë punën në terren, nuk janë ndaluar. Kemi pasur 18 takime dypalëshe e shumëpalëshe në vitin 2022, e dy i kemi pasur këtë vit. Më duhet të tregoj se që nga korriku z. Odaloviq i ka ndaluar takimet e nëngrupeve. Fiks një muaj. E ka ndaluar pjesëmarrjen e ekipeve serbe, me arsyetimin se duhet të jetë prezent aty. Ka kërkuar ta shesë vetën, nëse më merrni mu në takime do të mbahen ato, përndryshe jo. Në atë shkallë shkon logjika e tyre”, ka thënë Hoti në “Interaktiv të KTV-së.

Ai ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka bërë të qartë se prania e Odaloviqit në Kosovë është e ndaluar që nga viti 2021. Kurti e ka thënë këtë në Bruksel. Hoti ka thënë se edhe ai pajtohet me këtë.

Hoti ka thënë se është politizuar aq tepër çështja e të zhdukurve, dhe se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq e ka marrë me inat çështjen, duke mos e larguar Odaloviqin nga komisioni.

Odaloviq të hënën në një intervistë për “Kosovo Online” kishte akuzuar palën kosovare për ngecje.

Por, Hoti nuk ka dashur të merret me deklaratat e tij.

Hoti ka thënë se që nga viti 2004 kur Odaloviq është në krye të Komisionit qeveritar të Serbisë për persona të zhdukur, ai ka maltretuar duke dhënë informata të pasakta.

“Ai mund të ketë dhënë që nga viti 2004 jo 2400 mund të kenë qenë edhe 20 mijë e më shumë letra. Por, nëse vini me i pa ato letra, s’tregojnë gjë. Para dy muajve ekipet tona kanë gërmuar në një prej qyteteve të Kosovës në një lokacion, jo në bazë të dokumenteve, por përafërsisht në bazë të tyre. Gati një hekter tokë është kthyer përmbys. Nuk e dini sa e rëndë është që gjithë ai mund dhe nuk pati rezultat. 2700 lokacione janë gërrmuar në Kosovë, çdo 4 kilometër katrorë, shumica prej tyre bazuar në ato dokumente, na kanë munduar të gërrmojmë gati krejt Kosovës dhe shumica prej tyre ishin informata të rrejshme, të thata. Nuk ka gjetje nga ato informata”, ka thënë Hoti.

Hoti ka thënë se nga pesë varreza masive që janë zbuluar në Serbi, tri prej tyre ishin zbuluar deri në vitin 2021, me presionin e bashkësisë ndërkombëtare ndaj Serbisë, që atëherë donte ta dënonte Sllobodan Millosheviqin. E dini se janë gjetur mbi 1000 trupa.

Ai ka thënë se dy lokacione tjera janë gjetur nga viti 2004 deri në vitin 2021. Në secilin nga ato lokacione, Hoti ka thënë se është punuar nga pesë vjet, për shkak të fajit të Odaloviqit.
Ai ka thënë se gjetja e varrezës masive në Kizhevak ishte bërë vetëm falë imazheve satelitore të SHBA-së.

“Me i dëgju ekipet se çfarë kanë hequr, i kanë detyruar të gërmojnë rreth gjithë asaj pjese, por jo në koordinatën ku gjendeshin trupat. Ta largojmë atë pjesë të kaluarës së tij kriminale, ku ishte drejtor i Millosheviqit, ku janë rezultatet? Janë ende mbi 1600 persona të zhdukur, duke përfshirë edhe babanë tim. Dihen emrat kush i ka marrë, përfshirë edhe babanë tim. Është e paarsyeshme dhe e pakuptimtë të vazhdohet bashkëpunimi me një person që nuk jem informacione, por jep letra që nuk të çojnë askund. 24 vjet janë shumë”, ka thënë Hoti.

Ai ka thënë se në BE ka dërguar në korrik komentet lidhur me termat e referencës të themelimit të Komisionit të përbashkët për personat e zhdukur.

“Komentet janë aq teknike, sa që nuk ka pasur nevojë as dy ditë pritje, por janë afro një muaj dhe ende s’kemi përgjigje nga BE-ja lidhur me komentet. Nuk e di nëse Serbia është në pyetje, nëse prapë po refuzon apo po bën probleme, siç bëri me deklaratën. Deklarata ishte nis në shtator të vitit 2021 dhe u përfundua në maj të vitit 2023. Nuk e di nëse po bën lojë të tillë të zvarritjes Serbia”, ka thënë Hoti. “Mund të jetë që Serbia nuk është pajtuar me komentet, apo që z. Miroslav Lajçak e z. Josep Borrell janë në pushime”, ka thënë Hoti.

Andin Hoti ka thënë se Kosova nuk duhet të kryejë asnjë nga zotimet e marra në marrëveshjen e Brukselit apo aneksin e zbatimit, derisa të ketë përparim në çështjen e personave të zhdukur.

“Konsideroj që Kosovë nuk duhet të kryejë asnjë nga zotimet e saj, cilat do qofshin ato në aneksin apo Marrëveshjen e shkurtit deri në përparim në çështjen e personave të zhdukur, sepse është e vetmja çështje që konsiderohet me urgjencë, është çështje të cilët i vihet një rendësi e veçantë. Prandaj nëse Serbia nuk është e gatshme që të bëjë ose të ofrojë atë që ne po kërkojmë, pse Kosova duhet të bëjë një gjë të tillë”.

Ai ka thënë se Arkivi i Kosovës nuk posedon asnjë dokument që mund të qojë në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur. Sipas tij një dokumentacion i tillë as nuk ekziston dhe se as Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk ka ndonjë dokument të tillë.

“Shteti i Kosovës nuk posedon asnjë lloj informacioni, asnjë lloj arkive, as njëlloj dokumenti që na qon të zbardhja e fatit të të zhdukurve, qofshin ata serbë, shqiptarë, boshnjakë apo të tjerë, nuk ekziston”, është shprehur Hoti.


Hoti: Mendoj që Qerkinaj po përdoret politikisht

Hoti ka folur edhe për kritikat udhëheqësit të Qendrës Burimore për Persona të Zhdukur, Bajram Qerkinaj, ndaj Qeverisë, kryeministrit Albin Kurti e zëvendëskryeministrit Benik Bislimi, me të cilin ka thënë se ka pasur vetëm një takim. Ai ka thënë se Qerkinaj ka dhënë deklarata politike edhe për të, kur ka thënë se ai nuk është i denjë t’i dalë përballë Vuçiqit e t’i thotë se ai ka bërë krime. Sipas Hotit Qerkinaj është duke u përdorur politikisht.

“Unë mendoj që po përdoret (politikisht v.j.) por kjo është çështje e tij dhe jo e imja, mund të jem gabim, nuk e di”, është shprehur Hoti.

Sipas tij Qerkinaj ndonjëherë po bën deklarata politike. “Zotëri Qerkinaj ndonjëherë po del dhe po bën deklarata politike, që nuk do të doja ta shihja për një gjë të tillë, unë prapë e respektoj dhe e kam obligim të vazhdojë ta përkrahë dhe të shkëmbejë informacione çfarëdo që i kemi”, ka theksuar Hoti, duke shtuar se do të donte që ai të mos bënte deklarata të tilla.

Hoti ka theksua se nuk është e vërtetë që Bislimi e ka takuar vetëm një herë Qerkinajn. “Nuk po e mbroj zotërinë Bislimi, publikisht po e them që nuk jam në parti me Bislimin, e kam thënë disa herë, nuk kam interes ta mbrojë pavarësisht që e kam në hierarki, por më duhet ta them të vërtetën, Bislimi ka thënë se është i gatshëm ta takojnë sa herë që shoqatat kërkojnë, sa herë që kanë kërkuar t’i takojë i ka takuar, sa herë i kanë dërguar shkresa ai u është përgjigjur”, ka deklaruar Hoti.

23:18

Hoti: Ndërkombëtarët ta kthejnë në kushtëzim presionin ndaj Serbisë për të pagjeturit

Kryesuesi i Komisionit qeveritar për persona të zhdukur, Andin Hoti, ka thënë se presioni i faktorit ndërkombëtar karshi Serbisë për çështjen e personave të zhdukur duhet të kthehet në kushtëzim.

Ai të hënën në një intervistë në emisionin “Interaktiv” të KTV-së ka theksuar Bashkimi Evropian ka mënyra se si do të mund ta kushtëzonte Serbinë me këtë çështje, që sipas tij është humane.

Derisa ka folur për moszbatimin e Deklaratës për persona të zhdukur mes Kosovës dhe Serbisë, të dakorduar në Ohër, Hoti ka deklaruar se nuk ka pritur që Serbia të ketë qasje ndryshe pas kësaj.

“Nuk është që kam pritur nga Serbia një qasje ndryshe pas kësaj deklarate, nuk është që kam pritur që Serbia do t’i marr dokumentacionet, arkivat dhe do t’i ofrojë, sepse në të njëjtën kohë do të thoshte që Serbia i ka bërë krimet, sepse ajo i ka vrarë e i ka zhdukur, unë kam pritur dhe vazhdoj të pres nga partnerët tanë, nga miqtë tanë, Bashkimi Evropian e Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që të rrisin presionin dhe të kalojnë edhe në kushtëzim, që ajo të japë këto informacione”, ka theksuar Hoti.

Sipas tij familjarët e të zhdukurve ende mashtrohen nga grupet kriminale serbe, sa i përket vendndodhjes së të pagjeturve.

“Familjarët e të zhdukurve ende janë në luftë me Serbinë, ende kanë ankth, ende kanë pritje, ende mashtrojnë nga grupe kriminale serbe se kinse e dinë vendndodhjen e personave të zhdukur, për horë të tyre është dashur që presionin ta konvertojnë në kushtëzim”, është shprehur Hoti.

Sipas tij edhe pse në aneksin e Ohrit është cekur si çështje urgjente çështja e të zhdukurve, kjo nuk është duke u zbatuar nga ana e Serbisë.

“Më 5 maj është miratuar Deklarata për persona të zhdukur mes Kosovës dhe Serbisë, menjëherë pas kësaj kemi pasur ta formojmë komisionin e përbashkët të kryesuar nga BE-ja, kemi pas afat 40 ditë për këtë nga 5 maji, por kjo nuk ndodhi”, ka deklaruar Hoti.

Ai ka thënë se muajin e kaluar kanë qenë në Bruksel dhe i kanë dhënë komentet e tyre sa i përket këtij Komisioni, por se ende nuk kanë marrë një përgjigje nga emisari Miroslav Lajçak për këtë.

Hoti ka theksuar se nuk e dinë nëse edhe Serbia i ka dërguar komentet sa i përket këtij Komisioni.

Ai ka thënë se bazuar në Deklaratën ka kërkuar nga Serbia dhe presidenti i Serbisë që t’i dërgojë informacionet që ndihmojnë në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.

kërkuar nga presidenti Vuçiqi që të na i jap arkivat e klasifikuara prej një batalioni që ka bërë krime në Kosovë ... që ka vepruar në rajonin e Drenicës dhe atje kemi pasur shumë masakra, shumë krime e shumë persona të zhdukur nga ai rajon, nuk kemi marr përgjigje nga ai”, ka theksuar Hoti, duke shtuar se ato dokumente janë riklasifikuar si sekrete nga Serbia.