Arbëri

BE-ja e SHBA-ja s’e komentojnë rrugën e zgjedhur nga Qeveria për zgjedhjet në veri

 

Një ditë para miratimit të udhëzimit administrativ, i cili synohet që të vihet në test për t’i larguar kryetarët shqiptarë nga komunat veriore nëpërmjet peticionit, zyrtarë të BE-së dhe ata të SHBA-së nuk kanë treguar nëse e mbështesin rrugën që ka zgjedhur Qeveria në Kosovë për zgjedhjet e reja në veriun e banuar kryesisht me serbë. Ndonëse Beogradi zyrtar ende nuk ka treguar nëse do t’i rekomandojë serbët që t’u përgjigjen zgjedhjeve, njohës të zhvillimeve thonë se Serbia është bindur se tentativa për të sabotuar procesin nuk do të ketë sukses.

As nga Bashkimi Evropian dhe as nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ende nuk janë zbardhur qëndrime lidhur me rrugën që ka zgjedhur Qeveria në Kosovë rreth mbajtjes së zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore, të banuara kryesisht me serbë.

Në prag të miratimit të udhëzimit nga Qeveria e Kosovës, në BE nuk kanë treguar nëse peticioni për largimin e kryetarëve në veri mund të konsiderohet si garanci që serbët t’u përgjigjen zgjedhjeve të reja, të kërkuara nga faktori ndërkombëtar. E, në Ambasadën amerikane në Prishtinë jozyrtarisht kanë thënë se “për momentin nuk kanë asgjë për të ofruar”.