Arbëri

BE-ja kërkon zgjedhje pa parakushte dhe gjithëpërfshirëse

 

Ditën kur qeveria do të duhej ta miratonte udhëzimin administrativ që u hap rrugë zgjedhjeve të reja në veri, zyrtarë të Bashkimit Evropian kanë thënë se duan zgjedhje të shpejta, pa parakushte e gjithëpërfshirëse. Por, ata nuk kanë dhënë një vlerësim përkitazi me rrugën që ka zgjedhur qeveria drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme, dhe as nëse kanë marrë garanci në Beograd se serbët nuk do t’i bojkotojnë ato

Zgjedhje pa parakushte dhe gjithëpërfshirëse ku marrin pjesë edhe serbët në veri kanë kërkuar zyrtarë të Bashkimit Evropian (BE), kur janë pyetur nëse pajtohen me rrugën që ka zgjedhur qeveria për t’u hapur rrugë zgjedhjeve të parakohshme, përmes peticionit qytetar për largimin e kryetarëve aktualë.

Qëndrimin e kanë dhënë pas takimit që emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, e pati me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq. Por, në Bruksel nuk kanë treguar nëse kanë marrë garanci nga Vuçiqi se nuk do t’i thërrasë serbët për bojkot.