Arbëri

Produktet nga Maqedonia e Veriut i zëvendësojnë ato serbe

 

Prishtinë, 2 shtator – Ka më shumë se dy muaj që tregu i Kosovës ka nisur të pakësohet nga produktet e Serbisë. Vaji, gruri, pijet freskuese e të tjera janë zëvendësuar me produkte të shteteve të tjera. Qeveria e Kosovës i ka ndaluar pothuajse të gjitha importet nga Serbia qysh më 15 qershor, kur forcat serbe kanë arrestuar tre policë të Kosovës.

Ndërkohë që policët janë liruar për t’u mbrojtur në liri, masa e ndalesës së prodhimeve ka vazhduar. Në Doganën e Kosovës konfirmojnë për Radion Evropa e Lirë se hyrja e prodhimeve serbe ka rënë dukshëm. Në qershor dhe korrik të këtij viti, vlera e importeve serbe ka qenë afër 20 milionë euro, apo mbi 50 milionë euro më pak se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Zyrtarë të Doganës sqarojnë se importet që kanë vazhduar, përfshijnë produkte të lëndës së parë dhe gjysmë-produkte që nevojiten për prodhimin final. Në disa dyqane ushqimore që ka vizituar Radio Evropa e Lirë këtë javë në Prishtinë, vërehen mungesa ose sasi të vogla të produkteve serbe.