Arbëri

Gjermania kërkon veprime shtesë për situatën në veri para heqjes së masave

 

Gjermania është duke kërkuar veprime shtesë për të siguruar përparim në shtensionimin e situatës në veri të Kosovës. Përmes një përgjigjeje, Ambasada e këtij shteti në Prishtinë ka thënë se vazhdon t’i mbështesë masat sanksionuese që i janë vendosur Kosovës nga Bashkimi Evropian më 14 qershor. E, në Qeverinë e Kosovës insistojnë se tashmë janë ndërmarrë veprimet e kërkuara, teksa kanë kërkuar heqjen sa më të shpejtë të masave sanksionuese

Hapa shtesë në funksion të shtensionimit të situatës në veri ka kërkuar Gjermania, para se ta konsiderojë heqjen e masave sanksionuese ndaj Kosovës. Situata në veri bëri që shteti i cili ka lidhur marrëveshje të shumta me Qeverinë e Kosovës për përkrahje financiare në fushën e investimeve, t’i pezullojë ato. Kjo politikë është në linjë me qëndrimin e BE-së që ende nuk e ka në shqyrtim largimin e masave. Përmes një përgjigjeje me shkrim, nga Ambasada gjermane kanë thënë se mirëpresim hapat e deritashëm të Qeverisë, por që nuk janë të mjaftueshëm.

“Ambasada gjermane mirëpret masat e para të iniciuara nga Qeveria e Kosovës si pjesë e procesit të deeskalimit dhe u kërkon autoriteteve të ruajnë këtë moment pozitiv. Megjithatë, nevojiten veprime shtesë siç përshkruhen në deklaratën e 3 qershorit për të siguruar përparimin e qetë të procesit”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës gjermane.