Haradinaj: Kuvendi ta ndihmojë Kosovën, ta rrëzojë Qeverinë Kurti

- 11:06Haradinaj: Kuvendi ta ndihmojë Kosovën, ta rrëzojë Qeverinë Kurti
- 10:58Selmanaj: Qeveria e ka shndërruar Kuvendin në spektator
- 10:54Tahiri: Produkt i Qeverisë Kurti është korrupsioni galopant, duhet të shkojë në shtëpi sa më shpejt
- 10:49Seanca nis me një minutë heshtje për viktimat e përmbytjeve në Libi
- 08:18Kuvendi sot pritet të mbajë dy seanca, një të rregullt e një të jashtëzakonshme
Haradinaj: Kuvendi ta ndihmojë Kosovën, ta rrëzojë Qeverinë Kurti
Kryetari i Aleancës për Ardhëmrinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se dialogu dhe qeverisja në Kosovë janë rruga e humbur.
Haradinaj në deklarimet jashtë rendit të ditës ka thënë se kushdo që mendon se Qeveria e e Albin Kurtit do ta nxjerrë Kosovën nga kjo rrugë do të dalë gabim.
“Nëse në parlament e shohim Qeverinë tonë që udhëheq vendin në drejtim të gabuar dhe i sjellë goditje vendit, si të veprojmë ne. Nëse dikush prej nesh ende shpreson që Qeveria Kurti do ta nxjerrë Kosovën nga rruga e humbur e nga sanksionet jam i bindur që do të dalë gabim. Besoj që është detyra e parlamentit me e nxjerrë Qeverinë nga drejtimi i gabuar”, ka theksuar Haradinaj.
Ai ka thënë se Kuvendi duhet t’i marr përgjegjësitë dhe ta shkarkojë Qeverinë Kurti.
“Ne duhet t’i marrim përgjegjësitë. Ta ndihmojmë Kosovën me mocion. Ta shkarkojmë Qeverinë Kurti. Nëse ne heshtim në ketë situatë në vazhdimësi po bëhemi pjesëmarrës të përkeqësimit të gjendjes. Dita e sotme kur Kosova ulet si palë në tavolinë e ndëshkuar duhet të na japë alarmin për mocionin që ta nxjerrim Kosovën nga drejtimi i gabuar”, është shprehur Haradinaj.
Kuvendi shkoi në pauzë deri në ora 14:00.
Selmanaj: Qeveria e ka shndërruar Kuvendin në spektator

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Driton Selmanaj e ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti për mungesë transparence sa i përket procesit të dialogut me Serbinë.
Në deklarimet jashtë rendit të ditës, në seancën e Kuvendit që po mbahet të enjten, Selmanaj ka pyetur deputetët nëse e dinë agjendën e takimit që Kurti pritet ta zhvillojë me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq.
“Sot ndodh një takim në Bruksel më thoni a e dini ju agjendën se për çka takohen. E kujtoj se ky Kuvend ka miratuar tri rezoluta që e obligojnë Qeverinë që të raportojë në Kuvend para e pas çdo takimi. Kjo Qeveri e ka shndërruar Kuvendin në spektator. Ky takim a po bëhet me koordinim a pa koordinim. Pa koordinim me forcat politike në Kuvendin e Kosovës po, por me koordinim me kë?”, ka deklaruar Selmanaj.
Kritika pati edhe ish-kryeministri Avdullah Hoti, deputet i LDK-së. Ai ka thënë se e sheh të nevojshme që në këtë fillim sesion të listojë “disa lajme të këqija” që janë prodhuar gjatë mandatit të kësaj qeverie.
“Në fillim të sesionit, e shoh të nevojshme të listoj disa lajme të këqija që janë prodhuar gjatë mandatit të Qeverisë. Trazirat në veri - ne mund të pajtohemi që nuk kanë qenë të iniciuara nga Kosova, por mënyra e menaxhimit atje ka degraduar. Përleshja në Kuvend. Tendenca e pushtetit për të mbyllur mediat. Sanksionet nga BE-ja i kemi kthyer në normalitet, jemi vendi i parë evropian prej ‘99-s që Bashkimi Evropian vendos sanksione. Asnjëherë në historinë e shkurtë të Kosovës nuk ka pasur kaq shumë ligje antikushtetuese. Aferat korruptive me Martin Berishaj ambasadorin e kebi bërë normale, madje e mbajmë ende në pozitë. Ndërhyrjet në drejtësi, dy herë tendenca për të marrë kompetenca në Këshillin Prokurorial të Kosovës. Bllokimi i buxhetit të komunave, edhe me të hyrat vetanake edhe me tatimin në pronë”, ka thënë Hoti.
Tahiri: Produkt i Qeverisë Kurti është korrupsioni galopant, duhet të shkojë në shtëpi sa më shpejt
Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka hedhur akuza të rënda drejt Qeverisë Kurti, duke thënë se është një qeverisje me korrupsion galopant dhe e cila, sipas tij, duhet të shkojë në shtëpi sa më shpejt.
Në fillimin e sesionit vjeshtor në Kuvend të enjten, Tahiri i ka përmendur “të gjitha skandalet” që kanë shoqëruar Qeverinë Kurti gjatë tre vjetëve në krye të shtetit.
“Po fillojmë sesionin vjeshtor, përmbylljen e vitit të tretë të kësaj qeverisje. Për këto tre vjet kemi pasur qeverisje anemike. Nuk arritëm të shënonim asnjëherë momente suksesi e progresi të qeverisjes në vend. Ne jemi kundërshtar politik, por ja duam suksesin vendin tonë dhe do të kishim dashur të kishim pasur sukses në ekonomi, arsim, shëndetësi. Por asnjëra nga këto tema nuk kanë zënë vend në diskutimet tona në këtë legjislaturë. Na është imponuar të flasim e të debatojmë të asaj që ka dalë në shesh si produkt i kësaj qeverisje. Në këto tri vite, produkt i Qeverisë Kurti kanë qenë keqqeverisja dhe korrupsioni galopant në KEK me kontrata njëburimore, me kontrata të nënshkruara nga zyrtari i VV-së, Nagip Krasniqi, që tash është në burg. Produkt i qeverisjes tuaj ka qenë ambasadori Martin Berishaj, shpëlarësi i parave të pista të mafies serbe, i papenguar dhe sot e kësaj dite vazhdon të ketë përkrahje nga kryeministri dhe presidentja. Produkt është edhe Faruk Mujku, zyrtari i VV-së i arrestuar për korrupsion dhe iu gjetën 60 mijë euro cash në shtëpi, ndërsa kishte deklaruar vetëm 500 euro në AKK. Është vjedhja e rezervave shtetërore përmes mikut tuaj Ridvan Muharremi. Vidhet në vaj, në grurë, në sheqer. Lidhjet me Radojçiqin. Ikja masive e të rinjve tanë, kjo është arsyeja pse Qeveria Kurti nuk guxon të nisë regjistrimin e popullsisë. Produkt i qeverisjes tuaj është Besnik Mujeci, një narkotrafikant që u kap me drogë me vlerë 500 mijë e që nuk po lejoni që t’i bastisen pronat. Zhdukja e mostrave të Astrit Deharit është produkt i kësaj qeverie”, ka thënë Tahiri.
Shefi i GP të PDK-së ka paralajmëruar se në vijim do të elaborojnë kontratat njëburimore të trashëgimisë kulturore, “ku shihet se si vidhet në emër të restaurimeve, në emër të dëshmorëve”.
Tahiri ka thënë se nuk do ta mbështesin mazhorancën në asnjë rrethanë e asnjë marrëveshje ndërkombëtare.
“Angazhimi jonë do të jetë që kjo legjilstaurë të përfundojë sa më shpejt, të shkojë në shtëpi. Nuk lejohet që kjo legjilslaturë të vazhdojë me korrupsion e me narko-trafikantë”, ka thënë ai.
Hoxhaj: Kosova në dialog pa asnjë mik, faqja e parë e menysë janë sanksionet e BE-së
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Enver Hoxhaj, ka thënë se Kosova në dialogun me Serbinë është pa asnjë aleat.
Ai në deklarimet jashtë rendit të ditës, në seancën e se enjtes, ka theksuar se faqja e parë e menysë në takimin e së enjtes mes kryeministrit Albin Kurti e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, janë sanksionet që BE-ja i ka vendosur Kosovës.
“Unë prita që do të thotë diçka se çfarë po ndodhë në Bruksel. Sot Kosova është pjesë e menysë dhe faqja e fundit e menysë, ndërsa tema kryesore janë zgjedhjet e jashtëzakonshme në veri. Faqja e parë e menysë janë sanksionet e BE-së. Sot në dialog Kosova është pa asnjë mik, pa asnjë aleat. Sot nuk ka fare dialog me Washingtonin, me Londrën, Berlinin, Parisin”, ka theksuar Hoxhaj.
“Nëse zoti Kurti i ka bërë 1200 ditë në Qeveri, për 1200 ditë ka treguar që nuk ka guxim te marrë vendime të mëdha. Ky vend ka mbetur pa lidership që guxojnë të marrin vendime të mëdha. Ne na duhet një qeveri e re një lidership i ri”, ka shkruar Hoxhaj.

Seanca nis me një minutë heshtje për viktimat e përmbytjeve në Libi
Kuvendi i Kosovës ka nisur seancën plenare me një minutë heshtje në nderim të viktimave që kanë humbur jetën si pasojë e përmbytjeve në Libi.
Numri i viktimave në Libi ka shkuar mbi 5 mijë, ndërkohë që edhe së paku 10 mijë persona vazhdojnë të jenë të zhdukur.
Kryebashkiaku i Dernas, Abdulenam Al-Ghaithi, ka thënë për “al-Arabiya TV” se numri i të vdekurve mund të arrijë deri në 20 mijë.
Kuvendi sot pritet të mbajë dy seanca, një të rregullt e një të jashtëzakonshme
Kuvendi i Kosovës sot pritet të mbajë dy seanca plenare, një të rregullt e një të jashtëzakonshme.
Seanca e rregullt plenare pritet të nisë në orën 10:00. Në rend ditë në këtë seancë, përveç pikave të rregullta që janë deklarimet jashtë rendit të ditës e pyetjet parlamentare, deputetët pritet të votojnë edhe Propozim-Rezolutën për punën dyvjeçare të Qeverisë së Kosovës.
Gjithashtu pritet të bëhet shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së financimit në mes të Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Bankës Evropiane për Investime për projektin “Rehabilitimi i linjës hekurudhore 10 B, shqyrtimi i dytë i Projektligjit për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në familje, dhuna ndaj grave dhe dhuna në baza gjinore dhe shqyrtimi i dytë i Projektligjit për të drejtat e autorit dhe të drejtat e përafërta.
Deputetët pritet të formojnë edhe Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një anëtar të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, nga radha e komunitetit serb.
Ndërsa në seancën e jashtëzakonshme pritet të zhvillohet një debat parlamentar lidhur “me dështimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për sigurimin e teksteve shkollore për nxënësit e nivelit të arsimit fillor dhe arsimit të mesëm të ulët për vitin shkollor 2023/2024”.
Kjo seancë është thirrur me kërkesë të deputetëve të opozitës dhe javën e shkuar ka dështuar të mbahet në mungesë të kuorumit, pasi që deputetët e pushtetit nuk kanë marr pjesë.
Seanca plenare
Rendi i ditës
Miratimi i procesverbaleve nga seancat e mëparshme,
Deklarimet jashtë rendit të ditës,
Pyetjet parlamentare,
Votimi i Propozim-Rezolutës për punën dyvjeçare të Qeverisë së Kosovës,
Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-251 për ratifikimin e Marrëveshjes së financimit në mes të Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Bankës Evropiane për Investime për projektin “Rehabilitimi i linjës hekurudhore 10 B”,
Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-185 për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në familje, dhuna ndaj grave dhe dhuna në baza gjinore,
Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-205 për të drejtat e autorit dhe të drejtat e përafërta,
Formimi i Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një (1) anëtar të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, nga radha e komunitetit serb.
Seancë e jashtëzakonshme
Rendi i ditës
1. Debat parlamentar lidhur me dështimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për sigurimin e teksteve shkollore për nxënësit e nivelit të arsimit fillor dhe arsimit të mesëm të ulët për vitin shkollor 2023/2024.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Gërvalla kërkon anëtarësim të shpejtë të Kosovës në Këshill të Evropës

Ajri i pashëndetshëm në Prishtinë, IKSHPK-ja me thirrje për qytetarët që të mos dalin në qytet

Townsend: Ballkani të mos mbetet larg vëmendjes së SHBA-së dhe BE-së

Vrasjet brutale të grave në Ballkan ngrenë alarm për lëshimet në sistem

Gjinovci për rezultatin në “PISA 2022”: Qeveria duhej të mbante mbledhje urgjente

Osmani: Në COP28 u prezantua vizioni i Kosovës përmes projekteve inovative

Batalioni italian nga Forca Rezervë e NATO-s vendoset në Kosovë

Koci: Kushdo që e përmend Kanunin, duhet të procedohet penalisht

Kosova rrezikon anëtarësimin në KiE nëse nuk i adreson gjetjet e raportit

Qindra protestues kërkojnë drejtësi për gratë e vrara

Demolli: Shtëpia sot për gratë është më e pasigurt se kurrë
