Arbëri

Propozimi që BE-ja thotë se Vuçiqi e pranoi dhe Kurti e refuzoi

 

Krijimi i instrumentit të vetëmenaxhimit për serbët, njohja e dokumenteve të ndërsjella dhe simboleve kombëtare, shpërbërja e strukturave të administruara nga Serbia në Kosovë dhe tranzicioni i tyre në instrumentin e vetëmenaxhimit si dhe nisja e negociatave për marrëveshje ligjërisht të obligueshme, janë disa nga pikat e propozimit të Bashkimit Evropian për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në takimin e djeshëm në Bruksel, që përfundoi pa ndonjë rezultat. Propozimi është paraqitur nga BE-ja si kompromis për zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit, të arritur mes Kosovës dhe Serbisë, më 27 shkurt të vitit 2023.

Ky dokument, që është siguruar nga KOHA, sipas BE-së, është pranuar nga Vuçiqi, por është refuzuar nga Kurti, i cili pas takimit ka thënë se qëndrimet e Serbisë janë bërë qëndrime të BE-së.