Sulmi i së dielës në Banjskë të Zveçanit, ku i vrarë mbeti rreshteri policor, Afrim Bunjaku, e një tjetër u plagos, ka tërhequr vëmendjen edhe të mediave të mëdha ndërkombëtare. BBC-ja, Associated Press, The Guardian, Reuters e Al-Jazeera kanë raportuar gjerë e gjatë
“Policia e Kosovës rrethon 30 persona të armatosur në manastir pas vrasjes së një polici”, është një ndër titujt kryesorë në mesin e raportimeve më të lexuara të Agjencisë ndërkombëtare të lajmeve BBC, të dielën.
Në tekstin e BBC-së janë cituar deklaratat e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që ka thënë se forcat policore kanë rrethuar 30 persona të armatosur, që janë futur në oborrin e manastirit të Banjskës, fshat i Zveçanit.
Për ngjarjen, që nisi në orët e hershme të mëngjesit të së dielës, e ku i vrarë mbeti rreshteri policor, Afrim Bunjaku, kurse një tjetër u plagos, kanë shkruar edhe media të tjera ndërkombëtare.
Associated Press, Reuters, The Guardian e Al-Jazeera, por edhe media të tjera theksin e kanë vënë mbi deklaratat e kryeministrit Kurti.
“Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, thotë se bisedimet me Serbinë kanë arritur në qorrsokak”, është titulli kryesor i gazetës The Guardian, e cila raportimin e nis me një deklaratë të kryeministrit Kurti mbi bisedimet e ndërmjetësuara nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për të cilat Kurti ka thënë se kanë arritur në një rrugë pa krye. Citohet po ashtu një pjesë e intervistës së kryeministrit Kurti për The Guardian të dhënë para ngjarjes së kësaj fundjave, se paqëndrueshmëria e vazhdueshme e ka bërë rajonin “një shesh për lojërat gjeopolitike të Federatës Ruse dhe Republikës Popullore të Kinës”.
Rrjeti amerikan, Associated Press, raportoi më në detaje për sulmin, duke përmendur edhe një historik të shkurtër të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, si dhe duke cituar deklaratat e dhëna nga presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, emisari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak e ambasadori i SHBA-së në Kosovë. Jeffrey Hovenier.
Associated Press u kushtoi vëmendje edhe raportimeve të mediave serbe. Ka cituar kryetarin e parlamentit të Serbisë, Vladimir Orliq, i cili tha se Kurti “nxitoi të fajësonte serbët”, duke shtuar se “kryeministri kosovar është ai që dëshiron përshkallëzimin në veri”.
Ndërkohë, Al-Jazeera në raportimin e saj për ngjarjen e së dielës u përqendrua në detajet e sulmit, të bëra publike në konferencën për media, të mbajtur pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë se Kosovës.