Osmani–liderëve opozitarë: Uniteti në këtë kohë të rëndë është thelbësor
Foto: KOHA
Zyra e Presidentes ka njoftuar se në takimet e sotme të presidentes Vjosa Osmani me kryetarët e partive opozitare ku u diskutua për zhvillimet e fundit të sigurisë në vend, krerët opozitarë janë informuar për rreziqet e shkaktuara nga Serbia si shkak i agjendës së saj destabilizuese e luftënxitëse.
Më tej bëhet e ditur se në të gjitha takimet janë përgëzuar institucionet e sigurisë për ballafaqimin me sulmuesit, të cilët janë quajtur struktura të dirigjuara nga Serbia e që kanë kryer sulm terrorist kundër Kosovës.
“Presidentja Osmani ka theksuar se uniteti nacional në këtë kohë të rëndë për Kosovën është imperativ dhe për këtë duhet të kontribuojmë të gjithë së bashku. Ajo i ka falënderuar partitë opozitare për qëndrimin korrekt dhe përkrahjen ndaj institucioneve të sigurisë në këtë fazë të ballafaqimit më agjendën destabilizuese të Serbisë kundër Kosovës”, thuhet më tej në njoftim.
Zyra e Presidencës ka shtuar se liderët opozitarë do të njoftohen në çdo fazë të zhvillimeve dhe se do të ketë bashkërendim të plotë me aleatët.