4 perditesime
21:26

“Kosova nuk do duhej të ulej në dialog pa ekstradimin e sulmuesve serbë që ikën në Serbi”

Redaktori i Kohës, Besnik Krasniqi ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk do të duhej të ulej në dialog pa u ekstraduar personat që sulmuan në veri e ikën në Serbi.

“Qeveria nuk mund të thotë se nuk e di kush janë ata. Sepse disa janë shtruar në spitale. Kjo do të duhej të ishte kërkesa më minimale. Kurse kërkesa për largim të Policisë nga veriu, do të nënkuptonte autonomi dhe heqje dorë nga kjo pjesë”, ka thënë ai.

Analisti Agim Sopi ka thënë se Bashkësia Ndërkombëtare tregoi se nuk ka inate me shtetin e Kosovës, pas ngjarjeve në Banjskë.

Ai ka thënë se aksioni i cili filloi në Banjskë, po të fillonte në gjithë veriun, policia, ushtria dhe forcat e NATO-s që janë aktualisht në Kosovë nuk do të mund ta mbanin në kontroll.

Sipas tij, në Kosovë do të fillonte një luftë e re.

Profesori i së drejtës, Flamur Hyseni, ka thënë se nuk beson që Bashkësia Ndërkombëtare do t’i vendos sanksione Serbisë.

Ai ka thënë se në proceset dialoguese ecet përpara duke pasur parasysh se kush të mbështetë, jo kush ka të drejtë.

“Nuk funksionon politika e jashtme pse ti ke të drejtë”, ka thënë ai.

Analisti Rron Gjjinovci ka thënë se beson që Bashkësia Ndërkombëtare do të kërkojë që nga veriu të tërhiqet Policia e Kosovës dhe të qëndrojë vetëm KFOR-i.

“Por besoj që Qeveria nuk do ta pranojë”, ka thënë ai.

20:57

Krasniqi: Motivi për hakmarrje te sulmuesit që ikën do të rritet

Redaktori i Kohës, Besnik Krasniqi ka thënë se nuk sheh sinjale që është duke ndryshuar imazhi i Policisë te serbët e Kosovës.

Ai ka thënë se çfarëdo politike që është aplikuar në funksion të integrimit të serbëve, nuk është parë ndonjë rezultat, edhe pse sipas Krasniqit, Kosova është treguar shumë tolerante ndaj tyre.

Duke folur për aksionin e së dielës në Banjskë, ka thënë se sulmuesit nuk do duhej të liheshin të iknin.

“Problemin që unë e kam është toleranca e tepërt që është treguar deri tash, që edhe Qeveria Kurti ka doza tolerance me ta. Unë jam i pakënaqur me epilogun e aksionit të Policisë. Nuk mund t’i shohim në varg terroristët tek ngjiten malit sikur janë grup hikingu dhe që ecin me aq lehtësi drejt Serbisë. Sveçla na tha ditën e diel që grupi është i rrethuar, kurse sot drejtori i Policisë për rajonin e veriut na tha se nuk ishte qëllimi për t’i vrarë por për ta çliruar territorin. Unë nuk po them t’i vrasin, por terroristët duhej të vendoseshin në pranga. Çka nëse ky grup riorganizohet. Unë besoj që motivi për hakmarrje do të rritet tek ata. Unë druaj që do të riorganizohen dhe çka nëse kjo do të rezultojë me më shumë policë të vrarë”, ka thënë ai.

Sipas tij, aty nuk kanë qenë vetëm 30 persona.

Krasniqi ka shtuar se nëse vijnë grupe të armatosura në Kosovë “ose duhen vrarë, ose duhen kapur”.

“Ose na ka gënjy ministri, ose Kurti në konferencë duke thënë se grupi terrorist është i rrethuar”, ka thënë ai.

20:40

Gjinovci: Konflikti i radhës do të ndodhë shumë shpejt

Analisti Rron Gjinovci duke folur për ngjarjet e fundit në Banjskë ka thënë se Bashkimi Evropian, Britania e Madhe dhe SHBA-ja në shërbimet e tyre sekrete i kanë pasur informacionet se diçka po përgatitet.

Sipas tij, është e pamundur që sasia e armëve në vlerë prej 5 milionë eurosh të futet në Kosovë e të mos e dijë askush.

Ai ka thënë se këto armë nuk prodhohen nga Serbia, por tregtohen.

Ka shtuar se konflikti i radhës do të ndodhë shumë shpejt i përmasave më të mëdha, pasi sipas tij, Rusia dhe Serbia e kanë menduar këtë.

“Është e pamundur me u bë lëvizjet e dhjetëra-qindra personave në territorin e Kosovës, pa pas dijeni NATO. Pra, ata e dinë që prapa grupeve terroriste qëndron Serbia. Pse ata nuk e thonë, është që të mos ndërpriten negociatat. Ata kanë marrë vendim me bë luftë, por ajo nuk ka qenë data kur kanë dashur t’ia nisin. Për me parandalu çfarëdo konflikti me Serbinë, nuk janë negociatat por nëse e marrim vesh pak para tyre se kur po duan me sulmu që me dit me u mbrojt”, ka thënë ai.

Sipas Gjinovcit, ndërkombëtarët po duan që t’i ndalin konfliktet, përmes negociatave.

Ka deklaruar se Kosova duhet të shkojë në negociata.

20:30

Hyseni: Kosova duhet ta përdorë rastin e veriut në dialog

Profesori i së drejtës, Flamur Hyseni, ka deklaruar se Kosova do të mund t’i përdorë provat e sulmit ndaj Policisë së Kosovës në Bruksel në dialogun me Serbinë.

Ai ka deklaruar se nëpërmjet provave të siguruara në terren do të ndikohet edhe në rrjedhën e dialogut, duke shtuar se ato do të ndikojnë edhe te ndërmjetësuesit e Bashkimit Evropian.

“Krejt faktet prej të dielës dërgojnë se është një lloj sulmi që mund të kualifikohet si terrorist i një grupi të strukturuar, i përdorur nga Serbia për të shkaktuar aktin terrorist. Faktet e tilla dhe provat mund të përdorën shumë fuqishëm nga Qeveria e Kosovës, në raport me faktorin ndërkombëtar, me ndërmjetësuesin e dialogut”, ka thënë ai.

Sipas Hysenit, Serbia do të vazhdojë të sillet si viktimë.

20:18

Sopi: Shteti i Serbisë është i përfshirë në sulmin në veri

Komentuesi politik, Agim Sopi, ka deklaruar se s’ka dilema që shteti i Serbisë është direkt i përfshirë në sulmin në veri të Kosovës.

Ai ka deklaruar të mërkurën në “Konfront” të KTV-së se dëshmitë vetëm sa shtohen se i përfshirë në këtë sulm nëpërmjet direktivave ka qenë presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

“Këtu s’ka pasur dilemë se ushtria qëndron prapa ,gjegjësisht shteti i Serbisë. Tash kemi edhe dëshmi të tjera që involvojnë edhe Radojiçiqin, ku ai e ka udhëhequr aksionin. Fliten për zëra që është plagosur, por ai fshihet. Ky fakt dëshmon se është i involvuar thellë, e sot Policia doli me dëshmi tjetër me letërnjoftimin e njërit nga viktimat që është truproja e z.Vulin, ministrit të BIA-s”, ka deklaruar Sopi.

Sipas saj, vrasja e truprojës në anksion dhe përfshirja e Milan Radojiçiqit, nënkryetarit të Listës Serbe, që sipas Sopit ai është dorë e djathtë e presidentit Vuçiq, e implikon shtetin e Serbisë në këtë sulm ndaj Policisë së Kosovës.