Arbëri

Biserko: Në veri po provokohej konflikt që të hynte ushtria serbe e të ndahej Kosova

 

Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko, në një intervistë për CdM, ka thënë se sulmi në veri të Kosovës mund të pritej, duke pasur parasysh sjelljen e Beogradit në muajt e fundit.

“Grafiti ‘Kur të kthehet ushtria në Kosovë’ si njoftim ka vërshuar jo vetëm Beogradin, por edhe brendësinë e Serbisë. Më pas ishte fjalimi i presidentit Aleksandar Vuçiq në Asamblenë e Përgjithshme, toni dhe mesazhi i tij – e gjithë kjo tregon se diçka është duke u përgatitur. Beogradi ka qenë gjithmonë transparent në synimet e tij, si në vitet 1990 kur u nis për të shkatërruar Jugosllavinë”, shpjegon qartë Biserko.